Shqipëria dhe Serbia kanë firmosur parimisht një projekt të përbashkët të ngjashme me atë të firmosur mes Gjermanisë dhe Francës.
Kryeministri, Edi Rama ka bërë të ditur se marrëveshja do të zyrtarizohet gjatë vizitës së homologut të tij serb në Tiranë, që do të zhvillohet në prag të ndeshjes Shqipëri-Serbi në futboll.
“Kemi firmosur projektin e përbashkët shqiptaro-serbo njësoj si Francë-Gjermani. Aktin e zyrtarizimit të kësaj marrëveshje kemi vendosur ta bëjmë pas ndeshjes me Serbinë”, u shpreh Rama gjatë konferencës së sotme për shtyp.
Kjo marrëveshje synon unifikim e të gjitha procedurave mes dy vendeve.
“Unifikim të të gjitha procedurave, për të pasur një lëvizje të lirshme jo vetëm të njerëzve por edhe të mallrave. Të jemi palë, e një procesi një tregu rajonal. Duke përgatitur në këtë proces në bazë të normave Evropiane”, tha Rama.
Gjatë konferencës, Rama foli edhe për arritjet gjatë Samitit të Vjenës duke thënë se ka marrë mbështetjen për krijimin e Bankës Rajonale për Ndërtim e Zhvillim.
Gjithashtu, Rama tha se dy projektet e infrastrukturës Nish-Prishtinë-Durrës dhe Korridori i Kaltër do të nisin shumë shpejt. Si dhe janë miratuar për financim 5 projekte të rëndësishme në fushën e ndërlidhjes energjetike
“Gjatë këtij viti është përcaktuar harta e ndërlidhjes përmes projekteve të përbashkëta në infrastrukturë. Prioritet në këtë drejtim është Korridori i Kaltër, që lidh Shqipërinë me Malin e Zi, ndërkohë që mbështesim edhe projektin e quajtur Rruga e Paqes, që lidh Serbinë, Kosovën dhe Shqipërinë përmes aksit Nish-Prishtinë-Durrës”, u shpreh ai.
