Diskutimi për “financim qeveritar të arsimit privat” na çon natyrshëm në një tjetër temë të “nxehtë”, akreditimi i universiteteve. Të gjithë flasin për këtë, por askush nuk i informon njerëzit se si do bëhet ky akreditim. Eshtë pak vështirë të besosh se ky proces mund të realizohet me strukturën aktuale. Mjafton të hedhim një sy në përbërjen e stafit të disa universiteteve për të kuptuar se ata që kanë pasur si detyrë të kontrollojnë dhe të akreditojnë universitetet tashmë janë të punësuar në këto universitete. Për të mos përmendur pastaj “profesorë të shquar” që mund të jenë pjesë të stafeve akademike njëkohësisht në 5-6 universitete publike dhe private. Megjithëse këto fakte nuk bëhen publike, nuk është vështirë të kuptosh se ku janë rrënjët e këtij monopolizimi të arsimit të lartë. Pikërisht kjo është situata aktuale.
Një akreditim i vërtetë duhet dhe mund të realizohet vetëm nëpërmjet institucioneve të pavarura, ndërkombëtarisht të besueshme dhe larg konfliktit të ngushtë të interesit.
Revolucioni në arsim, si në çdo fushë tjetër, ka kosto të madhe politike dhe njerëzore dhe nuk mund të bëhet nga njerëz, të cilët, jo për faj të tyre, e kanë të lidhur ekzistencën me një rrogë shteti dhe me një rreth shoqëror që shpesh nuk i mirëkupton. Tani, më shumë se kurrë, në prag zgjedhjesh politike, njerëzve u duhen ofruar alternativa të qarta dhe të prera. Atyre u duhet ringjallur shpresa nëpërmjet një distancimi radikal me ato çudira që kanë parë deri tani në arsimin shqiptar.
Email nga adresa: [email protected]