(Ky është varianti i parë me këtë titull i shkruar në vitin 1996. Më pas janë shkruar dhjetëra poezi satirike po me këtë titull. Botohet pa asnjë ndryshim.)
Shqipëria ime,
shqiponjë e plagosur,
vidh e vidh të gjithë,
e ti s’ke të sosur.
Shqipëria ime,
paske qenë xhenet,
me mijëra hajdutë,
kanë dalë në çetë.
Polli pa hesap,
kjo kohë zuzare,
hajdutë modernë,
me “Benz” e kollare.
Sa s’plas nga shëndeti,
gjithë kjo ujqëri,
poshtë dhjamit të bardhë,
u rrjedh gjak i zi.
Kope e hajdutëve,
jo-nuk ka të sosur,
me targë të verdhë,
kudo është vulosur.
Kope e hajdutëve,
me këmborë e zile,
me targa të verdha,
me targa jeshile.
Kope e hajdutëve,
si kope e ujqërve,
gjysma ngjyrë blu,
gjysma ngjyrë e kuqe.
Jo-nuk ka të sosur,
gjithë kjo lukuni,
nga polic i vogël,
gjer në ministri.
Kjo racë vampirësh,
është zënë në valle,
kush e kush të shqyej,
copën më të madhe.
Dje vidhej një kockë,
për të mbajtur frymën,
e sot pushtetari,
përlan krejt uzinën.
Njeriu i shkretë,
sa nuk lot nga trutë,
s’qe gjë Ali Baba,
me dyzet hajdutë.
S’qe gjë Ali Baba,
hajduti i tmerrshëm,
mes tyre do ishte,
burri më i ndershëm.
Fukarenjtë me mijëra,
jetojnë si në geto,
hajdutët modernë,
pijnë wiski shqeto.
Vila përrallore,
ngrenë maskarenjtë,
kjo kohë zuazare,
qesh me fukarenjtë.
Shqipëri ç’u trete,
Shqipëri ç’të tretën,
tek ty Amerikën,
pushtetarët gjetën.
Shqipëri ç’u shite,
Shqipëri ç’të shitën,
mbahesh me lëmoshë,
mezi e shtyn ditën.
Qeveria jonë,
jetës i ngre prita,
në behar pa ujë,
në dimër pa drita.
Veç t’i lutesh Zotit,
s’të ka mbetur tjetër,
zotërinjtë hajdutë,
rrojnë porsi mbretër…
Shënim: Në atë kohë gjithë makinat e administratës shtetërore dhe lokale qenë me targa të verdha, makinat qeveritare qenë me targa jeshile.

bravo .dua ti ndaj ujqerit ,vec blute e vec te kuqet por jane ngerthyer aq shume me njeri tjetrin saqe duket sikur jane ne fazen e shumezimit.
fiks fare, ske çfare te shtosh, fatkeqesisht ai popull ka vdekur!