Marshim kundër kancerit të gjirit

anazapta

Sensibilizimi për kujdesin ndaj sëmundjeve tumorale ka kulmuar gjatë ditës së djeshme, ku dhjetëra gra e vajza nën shoqërinë e artistëve, politikanëve, dhe personaliteteve të tjera të jetës publike të vendit i janë bashkuar marshimit në sheshin “Nënë Tereza”, duke apeluar për shtimin e përpjekjeve në drejtim të mposhtjes së kancerit të gjirit. E për të arritur këtë, theksi është vënë tek parandalimi që mund të arrihet vetëm nëse tregojmë kujdes për ndjekjen e kontrolleve periodike tek mjeku që në stadet më të hershme.

Të pranishëm në këtë marshim ishin kreu i shëndetësisë, Ilir Beqaj, Ambasadori i SHBA-së Aleksandër Arvizu, politikanë, mjekë, si dhe dhjetëra gra e vajza që kanë fituar betejën kundër kancerit të gjirit, ku secili prej tyre lëshoi apelin për më shumë kontrolle dhe përkujdesje për të mposhtur këtë “vrasës të heshtur”. Ministri Ilir Beqaj, vuri në dukje faktin se strategjia e Qeverisë është fokusuar në parandalimin dhe diagnostifikimin e hershëm të sëmundjes. “Për fat të keq ne në Shqipëri kemi një numër shumë të lartë fatalitetesh për sëmundje të ndryshme përfshirë edhe kancerin e gjirit. Pra më shumë se 3/4 e rasteve përfundojnë në fatalitet.

Ne si qeveri jemi të angazhuar të ofrojmë fokus më të madh te parandalimi dhe diagnostikimi i hershëm. Por, nga masat tona jam shumë i kënaqur nga raportimet që më kanë sjell, ku kohët e fundi ka shumë vizita në kabinetet e mamografisë që janë në Shqipëri”, deklaroi ministri Beqaj. Ndërsa, ambasadori Arvizu bëri thirrje për më shumë kujdes dhe vëmendje për të diagnostikime sa më të hershme. “Kontrollet e hershme janë absolutisht jetike sepse nëse fillon që kjo sëmundje godet dikë sa më herët të dallohet aq më shumë ekzistojnë trajtimet e duhura, larmia e këtyre trajtimeve në mënyrë që mund të ndihmoj në kurimin e kësaj sëmundje”, ka theksuar në fjalën e tij Arvizu.

Sipas OBSH-së, katër nga 9 lloje të kancerit mund të zbulohen herët, që do të thotë se në parim janë gjithashtu të parandalueshme, por, diçka për të cilën nuk mund tё bëhet fjalë sot, ku mbi 75 për qind e  kancereve të gjirit, mitrës dhe laringut kur diagnostikohen janë në fazën e fundit, pra janë të pashërueshme. (Më shumë se 75 për qind e rasteve me kancer te gjirit, diagnostikohen në stadet e vona [stadet III dhe IV], kur trajtimi është më i vështirë, më pak i suksesshëm dhe më i kushtueshëm).

 

 

Share This Article
1 Comment
  • Sa mire do ishte te benit nje marshim per ajrin e paster, ecjen, dhe te pezullonit 1 dite trafikun ne Tirane, ajri me papastertite tij eshte shkaku i pare per cdo semundje. Nuk trembet Kanceri nga marshimet. Masat parandaluese jane, ajri, uji, tubacionet e ujit me % te larte plumbi, amalgami i dhembeve, etj.etj.
    Megjithate te besh nje marshim eshte me mire se te mos besh asgje.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *