MAS: City University Studies Albania nuk është i licensuar

Dita

Vijojnë çudirat dhe absurditetet me arsimin e lartë në vend. Prej ditësh të tëra, në mënyrë abuzive drejtuesit e një godine të ashtuquajtur universitet, kanë nxjerrë në qarkullim reklama të shumta vizive në lidhje me ofrimin e studimeve në fusha të ndryshme.

Duke marrë shkas nga disa reklama televizive dhe postera të të ashtuquajturit “City University Studies Albania”, Ministria e Arsimit dhe Sportit nisi menjëherë monitorimin e ligjshmërisë për aktivitetin e këtij subjekti.

“Grupi i punës inspektoi mjediset e tij, (Autostrada Tiranë-Durrës, Km 3), ku pasi takoi drejtuesit dhe administratorët e këtij subjekti, u informua në lidhje me statusin ligjor të kësaj sipërmarrjeje, e cila nuk është licencuar për të ofruar shërbim në fushën e edukimit në territorin shqiptar”, sqarohet nga burimet zyrtare të MAS.

Nga kontrollet e ushtruara është vënë re se subjekti në fjalë ka aplikuar për licencë pranë Qendrës Kombëtare të Licencimit, për të hapur një institucion parauniversitar plotësues, por akoma nuk është licencuar për këtë qëllim. Në mënyrë abuzive, ky subjekt, ka ndërtuar një faqe interneti www.city.al cila nuk shpjegon qartë se çfarë ofron ky institucion në të vërtetë, dhe ndërkohë ofron aplikacionin për aplikim online të menjëhershëm për regjistrim në kurse. Pas shkeljeve të konstatuara, MAS kërkoi heqjen e menjëhershme të reklamave që keqinformojnë publikun.

Me kërkesë të MAS, ky subjekt hoqi, nga godinën qendrore e tij, tabelën e përmasave të mëdha, me emrin e subjektit. Gjithashtu, Ministria e Arsimit i ka kërkuar Bashkisë së Tiranës që të ndërhyjë në heqjen e të gjitha reklamave të këtij subjekti nga stendat e afishimit që janë në administrim të Bashkisë, pasi keqinformojnë publikun, dhe autoritetit të Mediave Audiovizive për marrjen e masave për heqjen e të gjitha reklamave dizinformuese në media, si dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve për kontroll të specializuar të subjektit.

Share This Article
1 Comment
  • Cudirat Shqiptare .Kushdo qe i takon te beje rrugen Tr-Dr , e ka vene re qe ish “Kristali” po “nuserohej” si City….. me lart .Eshte si ajo puna qe nje person vret pastaj thjesht nderron gjinine nga Kristaline ne Siti dhe quhet person tjeter dhe nuk mban pergjegjesine per demet qe ka bere me pare .Kemi derdhur mund dhe sakrifice neper auditoret e Universitetit shteteror dhe na eshte shvleresuar diploma si certfikate .Kjo duhej te mirrte fund .Shkolla e Larte nuk eshte si kurset e anglishtes ne fillim te viteve ’90 , qe kush dinte 2 fjale anglisht hapte kurse .

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *