Ministria e Arsimit dhe e Sportit ka hedhur poshtë akuzat e PD-së për largime masive nga detyra të mësuesve.
MAS sqaron se ajo çfarë po ndodh në gjithë shkollat e vendit, është thjesht zbatimi i ligjit.
Zëdhënësi i kësaj ministrie, Gjergj Hamiti, deklaroi se grupet e punës po zhvillojnë inspektime në gjithë shkollat e vendit për të identifikuar të gjithë mësuesit që japin mësim jashtë profilit të tyre si dhe ata që nuk kanë kualifikimin e duhur.
“Pas identifikimit që do të bëjnë grupet e inspektimit, procesi do të vijojë me sistemimin e mësuesve sipas profilit për të cilin janë kualifikuar. Nxënësit janë dhe do të vazhdojnë të jenë prioritet i MAS dhe qeverisë shqiptare ndaj nuk do të lejojmë që të ketë më, në asnjë shkollë të Shqipërisë, mësues që japin mësim jashtë profilit”, tha Hamiti.
Ky është inspektimi i parë që po bëhet për cilësinë e mësuesve në çdo shkollë të vendit. Gjetjet e këtij inspektimi do të bëhen publike në ditët në vijim. /E.K
