Universitetet shqiptare bëhen pjesë e rrjetit të kërkimit shkencor ndërkombëtar. Ministria e Arsimit Lindita Nikolla, ka nënshkruar gjatë ditës së djeshme marrëveshjen e bashkëpunimit me Organizatën Evropiane për Kërkim Bërthamor (CERN), e cila merr përsipër të ofrojë ndihmën e duhur që edhe institucionet e arsimit të lartë të përfshihen në zhvillimin e kërkimit shkencor. Bashkëpunimi me Organizatën CERN hap një rrugë të re për cilësinë në arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor, pasi krijon mundësi të reja për shkencëtarët, inxhinierët dhe studentët nga Shqipëria për t’u trajnuar apo shkolluar në institucionet prestigjioze që kjo organizatë evropiane ofron. Në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes, organizuar në Universitetin e Shkodrës, “Luigj Gurakuqi”, ministrja Lindita Nikolla theksoi rëndësinë që ka kjo marrëveshje për zhvillimin e kërkimit shkencor në Shqipëri, duke bërë të mundur që shkencëtarë, inxhinierë dhe teknikë nga Shqipëria të mund të zgjidhen dhe emërohen si anëtarë të personelit të kësaj organizate. Sipas ministres, Shqipëria do të mbështesë projekte kërkimore të CERN-it, për të cilat institutet shkencore dhe universitetet nga Shqipëria kanë ekspertizë të veçantë, duke përfshirë fushën e fizikës eksperimentale dhe teorike, përshpejtuese, e inxhinierisë elektronike, si dhe informatikën. “Qeveria Shqiptare, në Programin e saj Qeverisës e konsideron progresin shkencor si paraprijës të zhvillimit shoqëror, ekonomik e kulturor, si një faktor të konsolidimit demokratik dhe si një pjesë themelore të imazhit të Shqipërisë Evropiane”, u shpreh Nikolla.
