Detajohet udhëzuesi teknik me hapat konkrete që maturantët duhet të ndjekin për të vijuar garën për ndjekjen e studimeve në universitetet publike të vendit. Ministria e Arsimit dhe Agjencia Kombëtare e Provimeve kanë zbardhur gjatë ditës së djeshme udhëzuesin teknik për aplikimin në portalin e internetit e-albania, në të cilin maturantët do të plotësojnë formularin A1 dhe A1Z. Plotësimi i këtyre formularëve do të bëhet online sipas një grafiku të caktuar për të gjitha rrethet e vendit. Në vijim të shkrimit do të gjeni të detajuar të 13 hapat konkret dhe shënimet përkatëse se si duhet të veprojnë maturantët deri në përzgjedhjen e 2 lëndëve që do të japin si provime me zgjedhje, krahas 3 provimeve të detyruara. Maturantët duhet të jenë të kujdesshëm në hedhjen e të dhënave, dhe duhet të ruajnë kodet përkatëse në mënyrë që të mos përballen me ndonjë të papritur gjatë garës për pranimet në universitete. Hapi i parë është hyrja në faqen e internetit www.e-albania.al, nga ku do të nisë hedhja e të dhënave të kërkuara për secilin kandidat që do të konkurrojë për të ndjekur studimet e larta në universitetet publike gjatë vitit të ri akademik 2014-2015. Plotësimi online do të bëhet sipas 13 hapave që gjenden të shpjeguara në mënyrë skematike në tabelat bashkangjitur shkrimit. Në përfundim të gjithë hapave të përshkruar më sipër çdo maturant më pas duhet të paraqitet në shkollën ku studion dhe do të vijojë pjesën tjetër të aplikimit nga Portali i Maturës Shtetërore tek faqja http://matura.akp.gov.al/, nën udhëheqjen e mbikëqyrësit të caktuar. Ky i fundit do të verifikojë për çdo maturant edhe një herë të dhënat e tij dhe sidomos plotësimin e kushteve për lëndët me zgjedhje Z1 dhe Z2 sipas udhëzimit të miratuar nga Ministria e Arsimit.
6 kriteret që duhen plotësuar për 2 provimet me zgjedhje
- Numri i lëndëve që do të zgjidhen duhet të jetë detyrimisht 2.
- Shuma e krediteve të dy lëndëve që zgjidhen, duhet të jetë jo më e vogël se 8.
- Kur zgjidhet një lëndë bërthamë, nuk mund të zgjidhet e njëjta lëndë e thelluar (përjashtuar lëndët e detyruara).
- Maturanti ka të drejtë të zgjedhë gjuhën e huaj, të cilën parapëlqen nëse e ka zhvilluar ose jo në shkollë, në nivelin gjuhësor B2.
- Maturantët e shkollave artistike mund të zgjedhin vetëm njërën nga lëndët e grupit II: “Vetëm për shkollat artistike”.
- Maturantët e shkollave profesionale mund të zgjedhin vetëm njërën nga lëndët e grupit III: “Vetëm për shkollat profesionale”. Teoria profesionale është e zbërthyer në profile sipas indeksit të shkollave dhe maturanti mund të zgjedhë vetëm një prej tyre.
