Kryeministri i Turqisë, Ahmet Davutoglu, thotë se po zbatohen masa të reja të sigurisë në gjithë vendin, pas sulmit me makinë-bombë këtë javë në kryeqytetin Ankara, ku u vranë 28 vetë.
Davutoglu po ashtu i ka hedhur poshtë pretendimet e grupit militant kurd TAK, që tha se ka dorë në këtë sulm me bombë.
Davutoglu theksoi se TAK e ka marrë përgjegjësinë si “zëvendësim” për ta mbrojtur milicinë siriane kurde, të njohur si YPG.
Davutoglu tha se më tepër forca sigurie do të vendosen në kryeqytet dhe prania e tyre do të jetë “më tepër e dukshme”.
Duke folur në një konferencë për gazetarë që është transmetuar në televizion, Davutoglu tha po ashtu, se Shtetet e Bashkuara duhet ta shohin çdo sulm ndaj Turqisë si sulm në Shtetet e Bashkuara.
