Masakra e ballistëve mbi këshilltarët e fushës

Leda Hysa

 

 Në 75 vjetorin e Çlirimit

  Nga  Naun  Kule

 1.Shënpjetra-fshat i  vogël  me  burra  të  mëdhenj…

Shënpjetra është njeri nga fshatrat e Komunës së Semanit të Bashkisë së Fierit,  e vendosur dajmas në fqinjësi me fshatrat Hoxharë, Topojëqerim, Sheqmarinas, etj.  Ideologjia ateiste  ia ia ndryshoi emrin e herëshëm sa vet ajo, nga Shënpjetër në Fushë. Por, pavarësisht  kësaj, ajo ishte dhe është  Shënpjetra, me historinë e lashtë dhe banorët e saj autoktonë myzeqarë. Emri i ri nuk ngjiti dot ndonëse, u shkrua dhe u vulos në  gjithë të shkruarat e 30-40 vjetëve të këtyre banorëve. Kjo edhe sepse në një fushë si gjithë Myzeqeja, emërtimi i një fshati me emrin Fushë, nuk thoshte asgjë të veçantë. Por jo vetëm kaq. Emërtimi i ri nuk mbante dot dhe as përcillte ndër breza peshën e memories historike të këtij fshati dhe banorëve të vet, lindur e rritur këtyre anëve me krenarinë e ligjëshme të paraardhësve.

..Pak e dinë se burra të dëgjuar dhe të njohur gjer larg si luftëttarë për pavarësi kombëtare dhe mësim shqip si Kostandin  e Jani Minga (babai dhe biri), se Dëshmori i LNÇ, kleriku dhe mësuesi  martir  Papa Isaija (Irakli Pylli), se  atdhatari i shquar për këngë dhe pushkë siç ishte Llaz Shënpjetra(Spiro), kanë për vendlindje, për djep dhe vatër, pikërisht këtë; fshatin Shënpjetër. Shtoju këtyre burrave edhe emra të tjerë, të lashtë e të rinj, që sot  flasin nga lapidarët  ndër këto fshatra, si ato të këshilltarëve të LNÇ, Todi Micit-kryetar i këtij Këshilli, Miti  Papa, Kiço Mici, Xoxi Rrapi,  Naun Kërri dhe korrierit të Këshillit, 14 vjeçarit Lili Stavre.

Xhahilët e Ballit, nuk e kursyen as këtë fëmijë.

Zbrazën në gjoksin e tij të njomë, batare plumbash tek  mbështetej  dhe binte mes  këshilltarëve, të lidhur dorë për dorë.

***

…..“Mësuesi Kostandin prej Myzeqejetpërmendet në historinë    arsimore të Beratit,  pasi  jep mësim atje  që më  1862…

Por, e thamë, djepi dhe vatra e Mingëve, është Shënpjetra në  kishën e të cilës Kostandini shërbeu si pësalës  dhe  mësonjës.

Toponimet e shumta të derisotme si “arat e Mingës…pusi i Mingës, evgjeri i Mingës”etj, plotësojnë   gjenezën   dhe hisorinë e re e të lashtë të këtij fshati dhe figurave të tij të shquara.

“Mësuesi i Popullit” Jani K. Minga,(1872-1947), një personalitet i shquar kombëtar i atdhetarizmës dhe i mësimit shqip, shtysën e parë për gjithçka bëri, e mori me qumështin e nënës pikërisht këtu,  nga parardhësit, nga i ati dhe bashkëvëndësit e tij myzeqarë, për tu ngritur dhe mbetur  në përmasat e një modeli dhe reference si atdhetar, mësues e autor i teksteve shkollore, si një orator i pakrahasueshëm, një kuadër i paarritshëm si inspektor i arsimit në disa rrethe të Shqipërisë, Vlorë, Gjirokastër, Tiranë, etj.

I sulmuar egër nga qarqet antishqiptare të kohës si atdhetar i paepur, i burgosur nga fashizmi, i kërcënuar nga kleri dhe grekomanët, ky mësues e luftëtar, nuk mund të  bënte apo të ishte ndryshe veçse ai; Jani Kostandin Minga i Shënpjetrës  së Myzeqesë..!

***

Irakli Pylli, Shënpjetër (1882-1944), alias  Papa Isaija, mësues, klerik, Dëshmor i atdheut. Që në vitet 1905-6, bashkë me shokun e vet, Ymer Hoxha, (klerik mysliman), shpërndanin libra dhe botime shqip nëpër skolirat  e Myzeqesë.

Në vitin 1907, i arrestojnë autoritetet osmane.

U varën në qafë njerit këmborë e tjetrit zile dhe,  të lidhur bashkë, i shëtitën nëpër pazarin e Fierit duke i fyer e goditur. Më  1914,  e arrestojnë “gegët rebelë” të Haxhi Qamilit dhe  e mbyllin në kampin-burg të Shijakut ku  torturohet  dhe fyhet për disa muaj. Më 1918, pushtuesit italianë, pasi arrestuan në Zharrnec mësuesin Naun Doko Priftin  dhe pushkatuan mësuesin Papa Saqellarin, shkuan   të arrestojnë edhe Papa Isaijën. Me që nuk e kapën dot, ia dogjën shkollën në  Shënpjetër. I nxitur nga bashkëfshatari  Jani Minga, Papa Isaija iu bashkua protestave të popullit dhe klerikëve të Korçës, duke përzënë dhespotin grek   dhe meshoi shqip në kishën e Shën   Gjergjit në Korçë. Për këtë akt dhespoti  grekoman i Beratit, e shkishëroi.

Pas pushtimit të Shqipërisë nga fashizmi, u lidh me forcat NÇL dhe zhvilloi luftë të vendosur për çlirimin e Shqipërisë.

Me ndihmën e spiunëve, në dhjetor 1943 arrestohet nga gjermanët. E mbyllin në burgun e Elbasanit dhe më pas në kampin famëkeq të Zemunit në Jugosllavi.

Këtu vdiq nga torturat e xhelatëve nazistë, në shkurt 1944.

***

Një tjetër figurë e spikatur dhe bir i këtij fshati myzeqar, është edhe ajo e “Këngëtarit të burgut”.

Llaz Shënpjetra-Spiro, njeri nga profilet e shquara të folkloristikës së Myzeqesë, këngëtar virtuoz, atdhetar dhe luftëtar trim.   I mbyllur në  burgun e Beratit si antizogist, Llazi këndonte aq shumë dhe aq bukur sa prishte gjithë rregullat e burgut. Drejtuesit e burgut  u ankuan  duke ua treguar oborrtarëve të  mbretit, si rast i pazkontë me të cilin kishin gjetur belanë. Ftesës së  Lartmadhërisë, Zogut të Parë për  t’ia sjellë të këndonte në oborrin mbretëror, Llazi iu përgjegj me thënien e njohur asokohe, për trazirën që  solli ndër  mëkëmbësit e mbretit  e cila, përcillet edhe sot me admirim ndër bashkëfshatarët e këtejmë:

Jo madhëri; këngën nuk e shes! dhe qëndroi e këndoi në burg.

 

***

  1. Kur trimëria partizane ngjitej maleve…

Viti 1943, ishte viti vendimtar dhe gjithëpërfshirës i shqiptarëve në Luftën për çlirim kombëtar. Qëndresa kundër pushtuesve dhe tradhëtarëve të vendit po   organizohej  edhe ushtarakisht në grupime dhe çeta  luftëtarësh.

Veprimet   luftarake dhe organizimet në njësi partizane,u   kthyen shëmbuj nga  dhe si   duhej   organizuar dhe luftuar për çlirimin e vendit.

Të kujtojmë se, që në dhjetor 1941, në Lushnjë u krijua celula e parë e  pksh. Po kështu, në aksionin kombëtar të 24 korrikut 1942 për prerjen e gjithë lidhjeve telefonike, vetëm në Fier-Lushnjë vepruan tri grupe të rinjësh duke  prerë lidhjet telefonike të këtyre qyteteve   me   Vlorën, Durrësin,  dhe Beratin.  Në nëntor 1942, në dy qëndrat  qytetare të Myzeqesë, Fier-Lushnjë, u festua demonstrativisht, 30 vjetori i Pavarësisë shqiptare. Është me rëndësi të theksohet se në këto demostrata për herë të parë merrnin pjesë dhjetëra vajza myzeqare.

Gjenerali fashist S.Robino, i shqetësuar nga këto ngjarje informon komandën e lartë të pushtimit se:

“…Populli i Lushnjes, mes tyne edhe vajza, ka bamun demonstracion të fuqishëm duke hedhun edhe parrullat – Poshtë Italia…Poshtë Duçja… Poshtë fashizmi, etj.”

Në datën 26  dhjetor 1942 në Kolonjë (Ardenicë), u krijua Çeta e parë partizane e Myzeqesë me 23 luftëtarë vendas, njëra nga  çetat e para partizane.   Viti i ri 1943, që në muajin e parë të tij, nis me veprime luftarake te formacioneve partizane të Myzeqesë.  Më 28 janar 1943, çeta e Myzeqesë bëri pagëzimin luftarak kundër fashistëve, me   sulm të rrufeshëm ndaj karabinerisë bregdetare italiane e  dislokuar   në hanin e Libofshës.

Ndërkohë, rrushi shihte rrushin…

Fjalët  liri, pavarësi, partizanë etj, ishin  qoshja e bisedave të ditës. Frika ishte vrarë dhe trimëria e guzimi po shtonte shëmbuj heroizmi. Goditja e çetës së Myzeqesë kundër fashistëve në Libofshë, dhe largimi i tyre përfundimtar,u dha zemër bujqërve. “…Më 28 të vazhduesit-  i shkruante komandës së vet gjerarku fashist në datën 30 janar 1943,- rreth orës 20-të, kompania jonë bregdetare e dislokuar në Libofshë, u sulmua nga një çetë e ardhun prej kodrave të Ardenicës…

U plagosën ushtarët Xhuzepe dhe Polumbo…”

Ndërkohë çeta të tjera partizane krijoheshin njera pas tjetrës.

Në  katër shkurt 1943 u krijua Çeta partizane  e Mallakastrës e cila, menjëherë u përfshi në veprime luftarake siç qenë sulmet mbi Patos, mbi Selenicë, etj. (Gazeta “Telegraf” nga Prof. B.Zotaj, dt. 05. 02. 2018)

Në muajin mars 1943, krijohet çeta “I.Qemali” në Kraps.

Në  Zharrëz  u krijua  batalioni partizan “Petro Sota”, në Suk,  gusht,1943 u krijua batalioni “Tofik Lapani”  e më pas, edhe batalioni “Semani”.  Në shtator, Grupi partizan i Myzeqesë me 800 luftëtarë,  u  organizua në katër batalione.

***

Ky ishte teatri luftarak i banorëve të këtyre anëve, në verë-vjeshtën e vitit 1943. Mbi  këtë  shtrat heroik dhe luftarak, u ngrit ngjarja  madhore  e Luftës tonë  çlirimtare; kur më 14 shtator 1943,   nga qyteti i Fierit, dolën partizane në një natë 68 vajza, të nxitura  nga shembulli i shoqes së tyre, heroinës, Liri Gero.

(Lapidari në Fier dhe  libri i K.Boçovës “Nëno moj do pres gërshetin,”

   Askund në historinë e luftërave tona dhe jo vetëm, nuk përsëdytet ky  akt burrëror dhe flijues i këtyre vajzave fierake, në mezin e dyzetë e treshit, kur  nuk dukej as fati, as  fundi i Luftës.

Ç’emër tjetër mund t’i vesh një vetflijimi të tillë veçse një trimërie të brishtë e bërë bashkë;  vajzash dhe djemësh, nënash dhe baballarësh të cilët, i  rritën e stolisën çupat e tyre  për t’i nusëruar për tek dhëndurrët, por i armatosën dhe i ngjitën maleve për t’u përgjakur me pushtuesin. Kjo është trimëri e lindur pranë djepit dhe sofrës familjare, e ushqyer dhe e përcjellë po aty; në mëhallë e në fshat, në lagje dhe qytet, gjersa u rrit dhe shpërtheu…

Por kjo nuk ishte  trimëria e parë për motrat tona fierake. E para ishte ajo që i nxori fitimtare në  luftë me vetveten. Me mjedisin patriarkal gati të një shekulli më parë, që i ngriti mbi  kanunet e kohës dhe parullat denigruese të “baballarëve të kombit “

Kjo ishte për ato beteja dhe fitorja e parë me zemrën dhe arsyen, me familjen dhe prindërit,  me opinionin vrastar të kohës…

Kjo ishte fitorja e tyre më e madhe, pas të cilës iu hapën udhët e luftës dhe të jetës…

***

  1. Më trembëdhjetë të nëntorit, të vitit dyzetë e tre…

 

Nata e 12-13 nëntorit, të dyzetë e treshit,  për banorët e Shënpjetrës,  ishte më e zezë dhe më e ftohtë se gjithë dimri i atij viti. Ishte natë e përgjakshme. Thuajse çdo natë  bujqit e këtejmë flinin me veshët nga rruga dhe  fjala e parë e ditës ishte “ A pati  gjak sonte..?” Spiunët e shoqëruar nga banda ballistësh, trokisnin  në mesnatë. Merrnin    burrat a djemtë  e dyshuar se ndihmonin luftën dhe,100-200m larg shtëpisë, i pushkatonin.

Kjo ishte detyra e batalionit ballist me emrin “Xhandarmëria civile”  komanduar nga kryeballisti Besim Belishova.

Informacionet thoshnin se  trakte dhe komunikata të Luftës   hyjnë strehë më strehë në kasollet e këtyre fshatrave. Qerret me armë të  mbuluara me kashtë a lëpushka, kalonin bazë më bazë   gjersa përcilleshin për  tek partizanët.

Disa kasolle tymosnin ditë-natë..! thoshnin hafijet. –U pjekin bukë partizanëve.Të tjera krehin  e tjerrin lesh; bëjnë çorape e fanella..

Dhe, të gjitha këto   ndihma e ushqime, i drejtojnë këshilltarët, këshilli NCL i fshatit. Edhe ata që   bashkohen me partizanët..!  

Nata e 12 nëntorit qe një mësymje e egër kundër gjithë këtyre  ndodhive. Shtëpi e ballistë, shtëpi e xhandarë. Me listë në dorë kërkoheshin djemtë e fshatit që luftonin maleve, por që ushqeheshin, visheshin dhe armatoseshin që këtu, nga këta…!

Babait i kërkonin djalin, motrës vëllain, nënës evlatin, gjyshes nipin…Nën goditjet e kondakëve të pushkëve dhe thirrjet e  ngjirura të ballistëve, davaritej mugu i ditës së ftohtë që po vinte, 13 nëntor, 1943. Armiqtë kanë vënë në shenjestër disa nga burrat që gjetën në fshat. Të drejtuar nga spiunët, kanë zënë në befasi edhe disa nga këshilltarët. I lidhën, i grumbulluan dhe nisën t’i merrnin në pyetje.  Tri ditë më parë ishin gjendur të vrarë dy nga spiunët e njohur që vinin  nga qyteti gjoja për të bërë tregti me bujqit e këtejmë. -Kush na i vrau  shokët?

-Populli…! përgjigjej qetë-qetë Todi Mici. -Pyesni kujt i kanë mbetur borxh… Se tregtarë ishin, apo jo? Tregtari e xhambazi…

-Dëgjoni, edepsëza…! Thuajini vet prapësitë tuaja. Të gjitha i dimë, po flisni të shpëtoni kokën!…Kush i theu grazhdaret e beut? Kush  e fshehu qerren me armë në pyll? Kush po na i bënë gjithë këto prapësira në  fshat? Rrëfehuni të shpëtoni kokën!

– S’ka nevojë të rrëfehemi  zoti komandant!  Ne na njeh gjithë fshati.   Këtu, as rrëfejmë as gënjejmë dot…

Burri njëherë flet e…Kemi folur me shokët, me djemtë  tanë..!

…Acarimi arriti kulmin.Komandandi urdhëroi nxjerrjen e këshilltarëve nga fshati. U trëmbeshin bashkëfshatarëve.   Disa të afërm i kthyen   se gjoja do t’i shpinin në komandën e Fierit.Kujt i shkonte mendja  tek hataja…?…Fshati pyeste dhe priste në ankth. Dhe ja, heshtja u thye…Nga fundi i fshatit, të shtëna mitrolozi..?!

Në pamundësi ta zinin  gjatë natës,  ballistët e pritën te shtëpia  këshilltarin  tjetër, Xoxi Rrapin…

-E  vranë Xoxin!  pëshpëritën mes tyre. Todi nguli sytë andej…      Shtrëngoi dhëmbët e ledhatoi Lilin e vogël,  i cili e vështronte herë pas  here me sytë e butë të fëmijës dhe pyeste:-

-Ku po na  shpien xhaxhi Todi…?

-Mos u tremb  pëllumb! Jemi bashkë… Jemi burra apo jo..!?

-Derra,  hidhini  këmbët! Kështu do ta pësoni…Të gjithë!

Bashkë me ballistët ecte edhe zonja e një  spiuni të porsavrarë.

-Dua gjakun e burrit!…Me 100 lalë e lalesha të shlyhet…!

Vrasja e Xoxit  e ngriti fshatin. Por  trembi më shumë bandën e ballistëve. I rreshtuan  pas një vidhishteje dhe i pyetën sërish.

-A jeni të gjithë këshilltarë?

-Po! tha Todi Mici.-Unë jam kryetari..!

-Ashtu..? Dhe flet serbes e çapraz? Xhelati  u pizmos.

-Edhe ti Kiço, me partizanët?

-Po ti piçiruk…? Edhe ti me këta?

Djalthi ia nguli sytë egërsirës dhe shtrëngoi nga krahu Todin. Ky, i shkoi dorën ndër flokë e i ledhatoi faqet.

-Ku e ke vëllain ti piçiruk?

-Në mal me partizanët…

-Kur do vijë në shtëpi, të ka thënë.?

-Po…! Kur të çlirohet Shqipëria…!

-Ju pyesim, në doni të ktheheni gjallë..Për herë të fundit..!

Këshilltarët shtrënguan grushtet të mbështetur tek njeri tjetri si të  sfidonin  vdekjen përballë…

-Po ju dalim borxhit..Ndryshe, në qafë paçi veten.!

Grykat e zeza të armëve,  u ngritën   mbi ta.

-Për të fundit herë. Kush do flasi del nga rreshti…!

Këshilltarët folën njëherësh,fortë:-Rroftë Shqipëria..!

-Zjarr..! Mitrolozët kositën gjithçka..!

Ballistët ia mbathën. Këshilltari Naun Kërri, duke shtrënguar   gjoksin e përgjakur, pati fuqi të thërrasë:

– Ikët o qënër…O frikacakë, o zagarë..!

Njeri nga ballistët ktheu kokën dhe  tërhoqi këmbëzën e gjer në fund…Nauni dhe Todi Mici qenë bërë shosh e mbytur në gjak. Katërmbëdhjetë vjeçari Lili  Stavre,  qe zvarritur gjer tek  rrëkeja e ujit për të lagur buzët. Aty kishte vdekur…

Vetëm Kiço Mici shpëtoi ndonëse me disa plumba në trup. Bujqit e Shënpjetrës vrapuan për aty. Kiçon e shëruan. Ai mundi të shijojë lirin e fituar me gjakun e vet dhe të shokëve.

… Jetoi edhe dy dekada  si dëshmia e gjallë e këtij akti heroik.   Njëherësh, edhe si dëshmia e kësaj  masakre të ballistëve mbi këshilltarët  myzeqarë të Shënpjetrës, vepra e të cilëve ruhet e freskët, në këngë  dhe lapidarë,   në mendjen dhe në zemrën e gjithë popullit shqiptar.

Tetor, 2019

Share This Article
6 Comments
  • Te paharuar vepra, gjaku i derdhur, mundi e sakrificat e patrioteve Shqipetare, partizaneve heroike, luftetareve te lirise!

    Rrofte LANCi!

  • Me ju lumte ajo PENE-atdhetare i nderuari-Dhori Kule.

    Faleminderit sa shkruani ,si Myzeqene, Zavalanin sa mbare Dangelline Ballistet, krah pushtuyesve digjnin e Vrisnin njerezit e pafajshem.Faleminderit i nderuar Naun Kule qe me bere te jetoj me ato vite,une 8 vjecar ne Zavalanin e Dangellise Naimjane.ato vite. Nje pershkrim te njejte,do te beje per mizorite Balliste krah pushtuesve nw tere Dangelline.Duhet te shkruhet si shkruani ju, i ndruar Naun Kule,per Jano P.Xhoga Zavalani,rene me 1913te, krye cetes qe komandonte ne mbrojtie te PV.sa shpallur i madhi Ismail Qemali ,fqinjet jugore sulmuar.sa Nipi itij, Peci Xhoga do te vrites me 1940ten sa hyre pushtuesit Italo -Greke. Nga zavalani pas asaj ngjarie, 6 Partizane dolen nga fshati, tre,Xhogallare( Stavri, Xhoxhi e Sotiri,me tre nga fisi myslimane’ iSulo e Hasani…; Qazimi, Hakiu e Mestani. Pa harruar,djegur shtepite e Stavri Mihalit partizan sa, Rushanit Nekos,.qershor 1944. Juve ju lumte sa shkruani i nderuar Dhori Kule.keq me vjen, 83 vjecar ne dhe te huaj aktualisht…s’po mundem ….me shume te shkruaj.
    Lavdi te reneve te Kombit.!

    “Pasuesi veteran”83 vj.
    Guri Naimit D. (Dh Xhoga)

  • Eshte kenaqsi e madhe te lexosh shkrimet e profesorit, historianit dhe shkrimtarit tone te nderuar myzeqar Naun Kule.
    Mendja e ndritur dhe pena e arte e ketij mesuesi po hedhe drite mbi historine e lavdishme te Krahines se Myzeqese e lene qellimisht ne harrese nga antimyzeqari dhe antidhqiptari i Çorrushit te Mallakastres Mehmet Ismail Shehu dhe klani e kalemxhinjte e tij ekstremist islamik (mallakastriot e vlonjat) qe drejtuan ne ate kohe në Myzeqe(Fier-Lushnje-Kuçove) dhe Ministrine e Arsimit e qeverine Tiranes.
    Mehmet Ismail Turku me origjine nga Izmiri sherbetor i sherbimit sekret osman me gjenerata bente filma per keshilltaret e Hekalit, kurse per keshilltaret e Shën Pjetres nuk lejoi te shkruhen as ne lista.
    Fshati i Shën Pjetres qe e perbuzte turkoshaku mallakastriot Mehmut Shehu I ka dhene shume kollos kombit Shqiptar.
    Ne krye te ketyre viganeve myzeqar qendron profesori Kostandin Minga(babai Jani qe ka dhene mesim ne shkollen e Apollonise dhe te Ardenices.Ai nen terrori turko-grek u mesonte femijeve gjuhen shqipe dhe historine e Skenderbeout e te trimave myzeqar te Myzakeve, Matrangasve e me rradhe.
    Bravo profesor!

  • Rrespekt padyshim edhe profesorit te shquar Naun Kule
    q shkruan me ji Mjeshteri e trasmeton aq realiteste

    ndjenjen atdhetare te luftetareve e patrioteve Athdetareve Muzeqare
    te tradheruar si ne cdo kohe ga fara e djallit ne Shqiperi ,
    te cileve ju a la Shqiperine Turkmuti me tapi dhe

    ishin po kta dobicat e pushtueseve qe vazhduan deri me sot ,
    shkaterrimin e shqiperise ,Historise Tradites Kultures Inteligjeces Zhvillimit te Shqiperise .

    Ka ardhur koha qe te luftohet si dikur jovetem me pene
    por edhe “me pushke te bashkuar ne nji Bese ” se kjo fare e djallit vetem ate gjuhe njeh e sepse djalli uk shkulet me fjale e pene nga ky vend.
    Shqiperia mbahet pushtuar nga Djalli i Mallkum !

    Respekt e jete te gjate o Shqiptare me Bese shqiptari …

  • Lftetaret e PV dhe Clirimit ne PERJETESI-mbesin.
    Te me falin Kostat e Zavalanit te Dangellise,se kam harruar “Herroin”nje jete invalid LUFTE deri ne trojet e Kosoves moter te mirin Mina Pilo Kosta, qe edhe si invalid lufte deri pas lufte,pas maries se invaliditetit punoi nje jete, nisur ne Hekurudhat e Para,kra kunatit tij stavri M Xhoga nga Partizan,drejtues ndertimi nje jete.Minai,siu nda pues nga vite 60t, Ne qytetin e Ri te Vores sa krijuar,ate bij te kthyer nga lufta si ndetues.Aty dhe i prehen e shtrat e tij.. I perjetshem qote kujtimi tij,qe nioat dhe mbesat e nderojne,deri me grada te larta ne ushteri,deri sot(cupa-LILIANES) Dite NJEMIJE.
    I tille dhe Llukan Xhoga invalid si oficer, nje jete atje ne Dangelli ritur femije te suksesshemnga mesues deri Farmaciste e tj. Pa harruar “Heroin e PUNES” Fadil K Hamiti,nje jete drejtues i ekonomise ne Dangelli e Permet. Si Ai Dylber Hasani, nje jete nderues sa Gazetar e botues, vrare aksidentalisht ne Tirane,ne kulmin e punes tij deri ne K’Q te Rinise sa gazetes “PUNA’.Si Ai dhe Qamil A .Shehu, viktime ne Ushteri,me vite 70t.qe ju be ai nder,shpene trupin e tij te pajete ne Vnedlindie Zavalan,,Stavri si ish Drejtor i Hekurudhes ne ndertim Vore-Lac…..
    Iperjstehem kujtimi TYRE.
    Faleminderi i nderuar naun Kule qe nga “ZGJON” kujtesa te pa harruara deri herroizmi. Sa kemi per te shkruar per ato vite,me “luge ne brez”po KRENARE dhe sa luftetare,ndertues te atdheut tone me hostori legjendash.
    Lavdi festave te NENDOREVE!
    “Pasuesi veteran” 83 vjecarine mergim..
    Dhimiter M Xhoga,

  • F A L E N D E R I M
    —————————
    Shoqata patriotike”Fronti i Bashkuar Shqiptaro- Amerikan” qe vepron ne qytetin Nju Jork te Shteteve te Bashkuara te Amerikes i vlereson shume interesimin, perpjekjet dhe punen e madhe dhe teper te rendesishme qe bene mesuesi, historiani dhe shkrimtari yne i ndritur myzeqar Naun Kule.
    Ky patriot i zjarrt, krijues pasionant, dhe intelektual i fuqishem klasi me shkrimet e artikujt e shumte dhe librat e tij po nxierr ne drite gjithe historine e lavdishme te krahines se Myzeqese e lene padrejtesisht ne erresire dhe me qellime te caktuara nga element te pa pergjegjshem, medioker, pa nivel dhe jo kombtar per dekada te tera.
    Me penen e tij te arte historiani Naun Kule ashtu si paraardhesite e tjere myzeqar Jakov Xoxe, Vath Koreshi e shume te there po jep nje kontribut teper te vyer edhe ne pasurimin e kultures dhe te historise se kombi tone.
    Per punen e madhe qe ka bere dhe vazhdon te bej ne sherbim te popullit Myzeqar dhe te Shqiperise ne si shoqate patriotike e falenderojme per kete veprimtari dhe i urojme jete te gjate dhe suksese te metejshme ne fushen e krijimtarise tij edhe lemin e historiese!
    Shoqata jone ketu larg ne merging I eshte teper mirenjohes profesorit dhe shkrimtarit tone myzeqar Naun Kule per ndihmesen e tij që po jep për treven e Myzeqese.

    Fronti i Bashkusr Shqiotaro-Amerikan

    Kryetari Sekretarii
    Pashko Camaj. Andy Apolloni

    New York
    October 27, 2019.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *