Grabitje e dhunshme me armë dhe maska në Sarandë, plagosen nënë e bir, terrorizohet fshati. Ngjarja ndodhi mëngjesin e djeshëm në fshatin Livadhja, kur të paktën 10 persona të maskuar hynë të armatosur në ambientet e lokalit të fshatit dhe pasi terrorizuan klientët dhe banorët, sulmuan me qytat e armëve e sende të forta pronarët nënë e bir, Marjana Xhaferri dhe Pandeli Xhaferri, 44 dhe 24 vjeç. Pista e parë është ajo e grabitjes dhe e dyta sulmi si hakmarrje për ndonjë konflikt të vjetër. Policia vendore nisi hetimet dhe ka shoqëruar 15 persona të dyshuar si kontigjent vjedhjesh në zonë dhe në Sarandë. Mendohet se autorët mund të jenë nga Konispoli dhe janë hakmarrë për ndonjë konflikt të vjetër me familjen Xhaferri, duke e mbuluar ngjarjen si grabitje të rëndomtë, pasi kanë marrë edhe një shumë parash nga arka.
Ngjarja
Personat e maskuar janë futur në lokal për grabitje dhe pas rezistencës së pronarëve për t’u dhënë lekët e xhiros, kanë plagosur me mjete të forta dy pronarët nënë e bir. Policia tha se mori denoncimin nga të dëmtuarit dhe banorët e fshatit Livadhja, 44-vjeçarja Marjana Xhaferri dhe djali i saj Pandeli Xhaferri, 24 vjeç. Të plagosurit u dërguan në spital për mjekim dhe mbahen jashtë rrezikut për jetën, ndërsa rrëfyen edhe momentet e krimit. Madje 24-vjeçari Xhaferri mësohet se ka marrë edhe plagë thike në bark gjatë përleshjes. Bluzat e bardha thanë se nënë e bir kanë dëmtime të shumta në trup, hematoma nga goditjet në kokë dhe thyerje.
Hetimet
Në vendngjarje kanë mbërritur forca të shumta të policisë së Sarandës dhe nga Vlora, të cilët po punojnë për identifikimin dhe kapjen e autorëve të grabitjes dhe plagosjes së pronarëve të lokalit. Sipas hetimeve paraprake, autorët kanë qenë të shumtë, të veshur sportiv, me kapuça dhe maska e të armatosur nga pistoleta, deri tek thika, shkopinjtë dhe dorezat. Nga hetimet e deritanishme hetohet në pistën e një grabitje për shkak se autorët kërkuan xhiron ditore të lokalit dhe kanë hasur rezistencën e dy familjarëve. Kurse pista e dytë është hakmarrja për ndonjë konflikt të vjetër ndaj 24-vjeçarit pronar i lokalit. Edhe banorët e fshatit i thanë policisë se kanë parë në rrugë personat e maskuar dhe të armatosur që vraponin pasi masakruan nënë e bir në lokal. Policia ka kryer kontrolle të shumta banesash në Livadhja dhe rrethinat e saj, duke shoqëruar edhe të rinjtë banorë, apo persona që kanë pasur mosmarrëveshje me familjen Xhaferri kohët e fundit.
