Firma fantazmë për rimbursimin e TVSH-së, pranga 4 biznesmenëve dhe ish-Tatimorit

redaktor

Një tjetër skemë abuzimi me rimbursimin e TVSH-së është goditur nga Policia dhe Prokuroria, duke kryer 5 arrestime, mes tyre një ish-inspektor Tatimesh dhe 4 biznesmenë, ndërsa një i gjashtë, ish-zyrtar tatimesh u shpall në kërkim.

Drejtoria për Krimin Ekonomik e Financiar në Policinë e Shtetit dhe ajo e Lezhës ka kryer mbrëmë operacionin e arrestimit të disa biznesmenëve dhe zyrtarëve të Tatimeve, pas masës “arrest me burg”, dhënë nga Gjykata e Rrethit Kurbin.

Të arrestuarit janë Dalip Kadriu, 57 vjeç, banues në Tiranë, administrator i shoqërisë “Kavaja CO”, Mark Dedaj, 60 vjeç, banues në Laç, pronar i shoqërisë “Kurbini”, Ramazan Balliu, 41 vjeç, banues në Krujë, pronar i shoqërisë “R&B 2011”, Xhelil Toshi, 52 vjeç, banues në Krujë, pronar i shoqërisë “Erad&Xht”, të akuzuar për mospagim taksash, mashtrim, falsifikim dhe fshehje të të ardhurave dhe Agron Gjokaj, 42 vjeç, banues në Lezhë, për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”, ish-inspektor i vlerësimit pranë Drejtorisë Rajonale Tatimore Lezhë (inspektori i dosjes së shoqërisë “Kurbini”.

Gjithashtu është shpallur në kërkim edhe një i gjashtë N. D., 47 vjeç, nga Lezha, po për “shpërdorim të detyrës”, ish-inspektori i kontrollit në terren pranë Drejtorisë Rajonale Tatimore Lezhë.

Hetimet për gjashtë të dyshuarit kanë nisur prej vitit 2013 dhe në vijim, për veprën penale të “pastrimit të produkteve të veprës penale”, ku 4 biznesmenët në bashkëpunim kanë kryer aktivitetin kriminal. Ata kanë bërë veprimtari fiktive të shitjes së skrapit, në sasi dhe vlera monetare shumë të larta, duke i shkaktuar shtetit një dëm ekonomik të konsiderueshëm.

Biznesmenët përdornin kryesisht emra të panjohur, familje të varfra apo që nuk kanë dijeni për legjislacionin, duke krijuar shoqëri fiktive dhe nëpërmjet blloqeve tatimorë kryenin procedura fiktive shitje-blerjeje, me qëllim përfitimin e kompensimit të TVSH-së, rimbursimit. Gjykata ka aprovuar gjithashtu edhe sekuestron preventive ndaj 4 kompanive.

Share This Article
1 Comment
  • Ja kjo eshte pune shume e paster, kapje ,burgim e kthimi ne arken e shtetit te pareve te vjedhura (sekuestrimi),,! Te mos mbete asnjd hajdut pa u denuar,,,!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *