Një mashtrim i denjë për skenarët hollivudianë është denoncuar në policinë e Korçës nga disa gra të moshuara. Të paktën 4 raste mashtrimi që kanë për protagonist 56-vjeçarin Spiridon Likaj janë denoncuar te blutë e Korçës, ndërsa dyshohet se mund të ketë edhe raste të tjera, kur gra të moshuara kanë rënë viktimë e tij. Sipas policisë së Korçës, e cila e ka arrestuar mashtruesin Likaj, ky i fundit shkonte në shtëpitë e grave të veja dhe duke u hequr si i njohur i familjes së tyre, u kërkonte shuma parash. Gazeta Shqiptare sjell sot intervistën e njërës prej viktimave të mashtrimit të 56-vjeçarit shkodran, i cili paraqitej në dyert e tyre i veshura e i kollarisur, duke u hequr herë si doktor e herë si kandidat për martesë. Sipas policisë, në njërin prej rasteve, Likaj kishte arritur të merrte përmes mashtrimit shumën prej 2 milionë lekësh të vjetra, ndërsa në tri rastet e tjera bëhej fjalë për shumën 20-40 mijë lekë të vjetra. 82-vjeçarja Elvira Çeliku nga qyteti i Korçës, tregon për GSH se si ra viktimë e mashtruesit Likaj. “Ishte ditë e martë. Isha në shtëpi duke parë televizor. Më trokiti dera, e hapa dhe pashë një zotëri të veshur dhe kollarisur nga koka tek këmbët. Ishte diku rreth të 50-ve. Më foli me emër, dhe sikur më njihte prej kohësh. Ai fliste vazhdimisht duke u përpjekur të më mbushte mendjen se ishte një i njohur i familjes sime. Nuk ngurova dhe e ftova brenda, se ne korçarët mikpritjen e kemi zakon. U ul dhe nisi të më pyeste edhe për fëmijët. Ai para se të trokiste në derë, pyeste në lagje për të siguruar informacionin që i duhej. E kishte profesion mashtrimin. Më thanë fqinjët, pasi iku ai burri, se i kishin treguar ata, që grua pa burrë isha unë. Gratë kishin menduar që ai më kërkonte mua. Ai u kishte thënë grave që kërkonte një plakë, të moshuar që i ka vdekur burri dhe ato i kishin treguar portën time. Madje i kishin thënë që unë kisha dy vajza në Greqi. Ndaj dhe ai më pyeste se si i kisha vajzat në shtetin grek, gjë që mua për momentin më bëri ta besoja. Më pas pa fotografinë e burrit tim të vendosur në mur, dhe tha që e kishte vizituar vite më parë, para se bashkëshorti im të vdiste. Mashtruesi e mbante veten për doktor. Në fakt dyshova, pasi burri im kishte 25 vjet që kishte vdekur, ndaj pyesja veten se kur e kishte vizituar ai? Megjithatë, ai fliste me bindje dhe në një mënyrë që të bënte për vete. Një plakë si puna ime e besonte lehtë. Pastaj më tha që kishte lënë makinën në servis dhe nuk kishte paratë. I duheshin 25 mijë lekë. Ai m’u lut ta ndihmoja, ndërsa më tha se nuk kishte ku të shkonte, pasi vetëm familjen time njihte. Foli e foli dhe një zot e di se si më bëri të besoja që ai ishte i njohur i familjes sime. Në fillim i thashë që nuk kam marrë pensionin dhe nuk kam marrë as ilaçet. Por pastaj nxora 15 mijë lek të vjetra dhe i dhashë që ato kisha. U mjaftua me aq. Nuk bëri naze, i mori dhe iku”, tregon gruaja e moshuar.

Njoh nje miken time ne pogradec qe i ka ndodhur nje histori e njejte.Uroj ky alabak te paguaje per cfare ka bere