Vijon nga numri i djeshëm
Në mbi 80 HEC-et që do të jepeshin për ndërtim kompanive private me koncesion (dhe i gjithë kapaciteti i tyre i prodhimit do të ishte rreth 15 MË), e dimë shumë mirë sa kanë përfunduar, rreth 25-30, sa janë duke u ndërtuar dhe sa janë në tratativa për të shitur të drejtat e tyre. Në fund të fundit, ekonomia jonë nuk po përfiton asgjë, ose më mirë gjëra të papërfillshme në krahasim me ato që duhet të ishin realizuar nga projektet e përgatitura nga qeveritë e mëparshme.
Gjithashtu, në 40 HEC-et e tjera që do të prodhonin energji me një kapacitet 140 MË, ende kanë filluar një apo dy të tillë, por nuk dihet se ku shkon kjo energji, se nuk po e shohim faktikisht atë: këtë na e tregon bilanci i energjisë që po importojmë më tepër se më parë duke prodhuar “gjoja” më shumë. Po ashtu edhe me Kalivaçin; po largohen pa filluar ende. Është një turp i madh për këtë administratë dhe qeverinë e saj që të largohet një kompani e tillë. Kjo do të thotë se koncesioni është dhënë në mënyrë korruptive, jo transparente dhe sigurisht që përfundime të tilla do të ketë. Ka tetë vjet dhe nuk arriti të fillonte ndërtimin, kur nga Kryeministri ynë u quajt “superfuqia energjitike”. Tallet me popullin dhe njerëzit mediokër që mban pas?
Një pjesë e mirë e HEC-eve të vegjël, përveçse do të prodhonin energji, do të përdoreshin edhe për normalizimin e sistemit të vaditjes, si dhe të rregullimit të ambientit duke zvogëluar sadopak ndotjen të cilën e gjen kudo, në fshat dhe në qytet. Por çfarë rezulton nga monitorimi i tyre? A zbatohen kriteret për të cilat janë dhënë dhe licencat? Përse nuk vazhdon ndërtimi i HEC-ve të tjerë për të cilët janë dhënë koncesionet? A janë shkelur kufijtë kohorë? Kush mban përgjegjësi dhe a janë vendosur personat përgjegjës para ligjit dhe koncesionarët para penaliteteve të kontratave?
Këtë më mirë e di dikasteri që e mbulon, pra Ministria e Ekonomisë dhe Energjitikës, por sigurisht që ata nuk flasin për punën e tyre, sepse i tillë është drejtimi që bëhet në këto ministri, bashkë me njerëzit që punojnë në to. Një pjesë e personelit të administratës është e paaftë, një pjesë e kryen shumë mirë detyrën e korrupsionit, një pjesë tjetër nepotike, një pjesë ka marrë një dokument të PD-së dhe mjaftohet me rrogën që merr për të ngrënë vetëm bukë. Po intelektualët e vërtetë, të ndershëm ku janë? A thua vërtet se nuk ka të tillë në administratën tonë? Por edhe nëse ka mbetur ndonjë, sigurisht që atij i ka ikur edhe karakteri, edhe intelektualizmi. Po ndodhin çudira në këtë vend, nuk di edhe sa do të shikojmë të tilla.
Në demagogjinë e qeverisë flitej edhe për një Park Energjitik në Seman-Povelçë, ku do të ngrinte një terminal gazi të lëngshëm, dhe mandej do të ngrihej një TEC duke përdorur këtë lloj gazi. Por, kush është specialist, i di shumë mirë parametrat batometrike të kësaj zone. Aty është e pamundur të ngresh një kioskë me dërrasa, jo më një park industrial apo një terminal gazi të lëngshëm.
Kjo qeveri ka folur shumë edhe për ndërtimin e një TEC-i me gaz metan në kufirin Greqi-Shqipëri, me kompaninë private “Prometheus Gas-Gaz Prom” (ruse), një ndërmarje e përbashkët midis grekëve dhe rusëve, por që mbeti një ëndërr.
Është miratuar Ligji i Eficencës së energjisë për kursimin e saj dhe nuk po shohim asnjë veprim nga ministria e linjës që kjo të zbatohet. (thuhet “tre ligjet” “te ligjet” që po na hapkan portat e parajsës, po pse nuk zbatohen njëherë këto “treqind” që kemi?!) Dhe konkretisht, që të reduktohet kostoja e energjisë për ngrohjen e mjediseve, të izolohen pjesët e ndërtesës ku ka humbje të mëdha të energjisë, si: taraca, dritaret, dyert, muret e jashtme, hapësirat e pallateve, muret e brendshme apo dhe dyshemeja. Kjo njihet mjaft në Evropën Lindore dhe Qendrore. Jemi një vend që nuk kemi ende sistem ngrohje, kur mundësitë i kemi, por nuk veprojmë. Ministri Ruli e dinte shumë mirë këtë, prandaj dhe e shkriu Agjencinë Kombëtare të Energjisë, e cila në fund të fundit këtë e kishte një ndër detyrat kryesore të saj për të bërë sensibilizimin, të përgatiste aktet ligjore dhe nënligjore dhe në fund t’i zbatonte ato.
Kryeministri flet përditë se ne jemi një vend super-energjitik. Ndonjëherë thotë se jemi vendi i parë në të gjithë rajonin që prodhojmë dhe eksportojmë energji. Por, cili është bilanci energjitik i vendit? Sa euro në vit harxhojmë për të blerë energji? Si e menaxhojmë këtë sistem energjitik? A e di qeveria se familjarët tanë për të pagur energjinë elektrike në një muaj paguajnë gjysmën e rrogës apo pensionisti pothuaj të gjithë rrogën? Le t’i japë përgjigje Kryeministri me ekspertët e tij këtyre pyetjeve dhe pastaj të kërkojë votën e popullit.
Ristrukturimi i kompanisë së shpërndarjes
Çfarë ndodhi në kompaninë e shpërndarjes? Niveli i humbjeve nuk arriti asnjëherë nën 36%, dhe po me këtë nivel humbjeje kompania e shpërndarjes u privatizua. Duhet thënë se kishte një studim të mirëfilltë në disa faza të bërë nga “Lahmeyer International” për “Projektin e Rehabilitimit dhe Ristrukturimit të Sektorit të Energjisë Elektrike”, ku tregon mjaft qartë rrugën e reformave dhe të ristrukturimit dhe më pas drejt privatizimit të shpërndarjes që minimumi do të ishin tre kompani, dhe jo një e vetme. Pra, nuk ishte kjo vlera që u privatizua shpërndarja, por një tjetër vlerë dhe ekspertët e kësaj fushe e dinë mirë.
Eksperienca e huaj, për sa i përket kompanive të shpërndarjes, në Evropën Perëndimore, Evropën Juglindore dhe atë Lindore tregon se në Francë EDF-i është shitësi me pakicë dhe shpërndarësi kryesor, në shpërndarje janë një numër i madh kompanish të pavarura bashkiake, por në përgjithësi ato janë kompani të vogla dhe llogariten për afërsisht 5% të konsumatorëve. Në Gjermani është pothuaj e njëjta gjë: ajo ka 930 kompani shpërndarje, Italia ka 178 kompani shpërndarje. Në Evropën Juglindore: Bosnja ka 4 kompani, Rumania ka 8 kompani, Serbia 27 kompani dhe vetëm Maqedonia dhe Kroacia kanë nga një kompani shpërndarje. Në Evropën Lindore: Republika çeke ka 7 kompani, Hungaria 6, Polonia 33 dhe Sllovakia 3 kompani shpërndarje.
Edhe këtu tek ne është e pabesueshme që shpërndarjen e mori vetëm një kompani me probleme kaq të mëdha, sa nuk dihet se një ditë do të zgjidhen ligjërisht apo jo? Disa nga problemet kryesore me të cilat u ndesh kompania CEZ qenë: humbjet e mëdha nga 36% ajo i çoi më shumë se 50%, kjo do të thotë që kjo kompani nuk bëri asgjë për këtë gangrenë që e kemi pasur prej vitesh; mungesën e investimeve, nuk pamë investime që të ndryshonin fytyrën dhe sjelljen e kësaj kompanie, faturimi me shumë se 30 ditë, është absurd ta mendosh një gjë të tillë që ky faturim shkonte deri në 60 ditë, një vjedhje ashiqare, çmimi i lartë, madje më i larti në të gjithë rajonin në këtë vend që është më i varfri, një menaxhim shumë i keq, por dhe një monitorim aspak korrekt, për të mos thënë nuk u monitorua fare.
Prokuroria dhe Energjia
Kërkohej që urgjentisht kjo kompani të hetohej nga parlamenti, prokuroria dhe ministria e linjës dhe si përfundim, nëse ishin të vërteta ato që po shikonim dhe dëgjonim, atëherë kjo kompani duhet të kishte ndërprerë me kohë marrëveshjen me shtetin tonë. Duke menduar se edhe vlera e privatizimit të saj u bë në kushte jo transparente, atëherë dilte domosdoshmëri edhe një herë ndërprerja e kësaj kontrate. Shumë pushtetarë thonë kjo ndodhi tani, ndërsa unë ngre pyetjet: Përse u lidh kjo kontratë në kushte të disfavorshme për shtetin? Fillimisht vlera e kontratës ishte rreth 400 milionë euro, përse përfundoi në 120 milionë euro? Përgjegjësit kryesorë për monitorimin e kësaj kontrate ishin ERE dhe ministria e linjës, le të përgjigjen për këtë humbje të madhe. Le ta fillojë prokuroria punën pikërisht cilët ishin përgjegjësit për monitorimin dhe çfarë dëmi ka shkaktuar në ekonomi dhe çfarë do të shkaktojnë më pas, sepse proceset janë të ndërvarura dhe ato pasojnë njëra-tjetrën.
Nuk pamë një interpelancë nga opozita për ERE-n. ku e shikojnë ata përgjegjësinë e tyre? A mos mendojnë ata se janë të larë nga kjo punë?
Humbjet teknike në rrjetin e transmetim-shpërndarjes janë ende relativisht të larta rreth 50% e energjisë elektrike të furnizuar ose rreth 2500 GËh. Kjo do të thotë që masat e marra nga ana e dikasterit deri tani, por gjasat janë edhe për të ardhmen, kanë rezultuar jo efikase, totalisht të dështuara.
Humbjet jo teknike, që në gjuhën teknike do të thotë energjia elektrike e marrë nga rrjeti nga lidhjet ilegale dhe ajo që nuk paguhet është pothuaj rreth 1000 GËh. Të gjitha humbjet teknike dhe ato joteknike së bashku kapin vlerën rreth 3400 GËh ose 3.4 TËh/vit.
Nëse prodhimi i energjisë elektrike në rastin më të mirë p.sh për vitin 2006 u arrit në rreth 5 TËh/vit, sepse në rastin më të keq është rreth 3.5 TËh/vit, kjo do të thotë që mbi 50% e energjisë së prodhuar në rastin më të mirë dhe 70% të energjisë së prodhuar në rastin më të keq, është humbje. Të gjitha këto kanë një kosto të jashtëzakonshme ekonomike në arkën e vetë KESH-it, por edhe të shtetit që është i detyruar të derdhë para apo valutë për ta shpëtuar këtë kompani tashmë të falimentuar.
Dështime dhe tallje
Në sistemin energjetik, kjo qeveri dështoi totalisht, modeli i dështimit ishte kontrata me CEZ-in, një kontratë jotransparente, e manipuluar, e korruptuar. Pastaj vazhdon me privatizimin e HEC-ve, të cilët sapo kishin përfunduar ristrukturimin me paratë e taksapaguesve shqiptarë, i falën dikujt sikur të ishin mall pa zot.
Në sistemin e naftës, ishte ARMO si fillim dhe pastaj, turpi i kohës me privatizimin e ALBPETROL-it, sa dhe rusët tallen me ne, le që dhanë një ofertë 15 milionë dollarë, por thonë se pas 23 qershorit do të marrin pjesë në konkurrimin e mundshëm, a thua se është më tepër se tallje? A mos nuk e dinë rusët se vetëm një pus shpimi kushton 30-50 milionë dollarë?
Kur shikon dhe dëgjon nga këto gjëra, menjëherë mendoj se kësaj qeverie i paska rënë fare autoriteti, madje më duket se ata mendojnë se në Shqipëri ka një tufë gangsterësh që bëjnë me këtë popull çfarë të duan. Në sistemin minerar, Bulqiza është shembulli më tipik, sepse edhe këtu ka ndodhur katrahura më e madhe që mund t’i bëhej këtij sektori strategjik. Nëse do të menaxhohej mirë dhe ndershëm ky sektor jo vetëm do të rriste të ardhurat tek zonat ku zhvillohet ky aktivitet, por do të ulej edhe bilanci import-eksport që do të ndikonte sadopak në stabilizimin e financave të këtij shteti të korruptuar totalisht.
Opozita duhet domosdoshmërisht të fitojë dhe duhet të sjellë ndryshime të mëdha, duhet të nxjerrë përgjegjësit para ligjit dhe ata të paguajnë për ato që kanë marrë dhe kanë dëmtuar. Por, pyetja e shumë e shumë njerëzve që nuk përballojnë jetën e përditshme është: A është në gjendje opozita të marrë pushtetin dhe më pas ta menaxhojë atë? A po bën zgjedhjet apo prurjet e duhura në këtë kohë të vështirë Edi Rama? Ku i ka ekspertët opozita, se deri tani po shohim të njëjtët figura, të njëjtat pamje, të njëjtat imazhe, të njëjtët njerëz që flasin dhe për naftën dhe për probleme të tjera, kur në të vërtetë nuk janë specialistë? A mos do blihen prapë deputetët si domatet në pazar? Faktikisht më shkojnë shumë pyetje në mendje, por nuk dua t’i bëj të gjitha, sepse më krijohet një mosbesim në vetvete, por opozitën duhet të mos e zejë gjumi natën, sepse gjërat janë bërë katrahurë. Kam thënë dhe përsëris që ky është shansi i fundit i opozitës, sepse na dhemb shpirti kur shikojmë se si ky vend po vazhdon të rrokulliset në një grope të pafund.
Nuk jam specialist por artikulli me duket i argumentuar dhe me vlera mbasi ky vend e ka marre rrokullisjen dhe duhen shume kuadro specialiste me mend e deshire per ta rregulluar kete vend te shkaterruar aq shume sa u duhet shume pune e djerse per ta vene ne VIJE.