Seanca parlamentare e ditës së enjte do të vendosë mbi kërkesën e grupit parlamentar socialist për ngritjen apo jo të komisionit hetimor parlamentar për qarkun e Kukësit. Ky ishte vendimi i marrë sot nga Konferenca e Kryetarëve, mbledhje e cila miratoi kalendarin dy javor të punimeve të Kuvendit.
Kështu, pas akuzave për shtim fiktiv të popullsisë në 5 komuna të këtij qarku, socialistët kërkojnë të hetojnë rolin e Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile dhe drejtorive rajonale, në këtë proces. Në vlerësimin e socialistëve të dhënat statistikore të Ministrisë së Brendshme për popullsinë e qarkut Kukës përbëjnë indicie të qarta për shtesa jo të natyrshme të popullsisë duke pasur një impakt direkt dhe të menjëhershëm në ndryshimin e pupullsisë për efekt të ndarjes së mandateve për deputetë.
Deputetë socialistë synojnë propozimin e ndryshimeve të nevojshme legjislative dhe organizative me qëllim korrigjimin e mangësive të konstatuara në zbatimin e ligjit. Komisioni hetimor, sipas kërkesës së Partisë Socialiste, do të shtrijë veprimtarinë e tij në një afat kohor prej 6 javësh dhe do të përbëhet nga 11 deputetë, ku 5 i përkasin opozitës dhe 6 mazhorancës. Por i takon seancëssë rradhës që të thotë fjalën e saj.
Bëhet me dije se mazhoranca nuk do të pranojë ngritjen e një komisioni të tillë,megjithë ende nuk ka një vendim zyrtar nga ana e grupit parlamentar të Partisë Demokratike.
Pritet që takimi i nesërm i ligjvënësve demokratë të vendosë mbi një çështje të tillë. Ndërkaq Konferenca e Kryetarëve ka miratuar për të votuar në seancat e mbetura të këtij viti një sërë ligjesh të paketës fiskale, por jo rezolutën çame. Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet dorëzoi në datën 10 dhjetor në Kryesinë e Kuvendit rezolutën çame duke i kërkuar deputetëve të parlamentit ta votojnë.
Në draftin e paraqitur pak ditë më parë, renditen 13 kërkesa lidhur me rikthimin e pronave të çamëve në Greqi, si dhe shfuqizimin e ligjit të luftës së vitit 1940.