DOKUMENTI SKANDALOZ: Në kohën, kur rekrutët shqiptarë në Bunavi për mungesë këpucësh stërviteshin me pantofla, Ministra Shqiptare e Mbrojtjes kërkonte të blinte nga Irani avionë pa pilotë.
Akuzave për kontrabandë armësh qeveria iu është përgjigjur se po “pastron depot” nga armët e komunizmit. Pastrim plehrash të Enverit – siç thotë ministri Imami – apo tranzitim dhe trafikim armësh? Ja një listë dokumentesh kompromentuese për Ministrinë e Mbrojtjes
Gjergj Thanasi
E kemi theksuar edhe në një shkrim të mëparshëm se një nga justifikimet tipike të Ministrit të mbrojtjes Imami për akuzat për kontrabandë armësh ose hajdutëri në shitblerje armatimesh ishte se shqipëtarët duhet t’ia dinë për nder (ministrit Imami pra), që “po pastron depot nga plehrat e komunizmit” (!).
Nuk po i hyjmë këtu vlerës reale dhe sa po i shet ministri “plehrat” e komunizmit, pavarësisht se ministri hiqet sikur ka te njëjtin hobi me romët. Fatkeqësisht nga dokumentacioni i pjesshëm, që disponojmë na rezulton se Ministria e Mbrojtjes nuk shet vetëm “plehrat” e Enverit, por blen lloj- lloj armatimesh me sebepin e “modernizimit të forcave të armatosura”, por i rishet më vonë.
Ministria e territ informativ
Ka mungesë totale transparence. Sa blihen? Sa shiten? Ku shkojnë armët, sepse justifikimet me EUC (end user certificate) fallso, nuk para pinë më ujë. Nuk dihet se ku shkojnë diferencat e parave midis çmimit të blerjes dhe atij të shitjes dhe sidomos se si ndahen paratë e komisioneve të sekserëve për të tilla transaksione shumë të dyshimta. Në vend të personave të specializuar për këtë punë Ministria pak vite më parë caktonte personel SHIU me llogari të veçantë në Bankën Credins, si psh. rasti i Arben Toskës, thjesht për të mbuluar transfertat e parave për transaksione të tilla.
Sot lincensohen firma private mundësisht me pronarë, të cilëve iu është hequr shtetësia shqiptare, që në vitin 1991, për të rishitur armatimet e blera me justifikimin e modernizimit të ushtrisë dhe të arritjes së standarteve të NATO-s.
Blerje problematike për SHBA-të
Siç shihet nga faksimilet e dokumentave në vjeshtën e vitit 2005 u kërkua me ngut në Kinë, Kore të Veriut dhe Iran të bliheshin lloj lloj armatimesh, disa prej tyre në sasi tepër të mëdha. Shumica e këtyre armatimeve ose nuk ishin të nevojshme për ushtrinë shqiptare (sepse ishin patenta të vjetra nga 30 deri në 50 vjeçare) ose bliheshin në sasi të stërmëdha pikërisht në kohën, që efektivat e ushtrisë shqiptare shkurtoheshin vazhdimisht. Në prillin e vitit 2006, përshembull u kërkua me këmbëngulje të bliheshin raketa kundër ajrore tip MANPAD “Iglla”. Blerja krijonte problem me aleatin tonë strategjik SHBA-të. Kujtojmë këtu se tre ambasadorë të ndryshëm amerikanë kishin insistuar pranë 4 ministrash mbrojteje shqiptarë , që raketat kineze tip MANPAD model QË-1 të hiqeshin nga arsenali shqiptar. Amerikanët me apo pa të drejtë frikësoheshin se segmente të devijuara të organeve shtetërore shqiptare mund t’i kalonin këto rraketa në duart e terroristëve. Kur amerikanët përpiqeshin me mish e me shpirt për të eliminuar rrezikun e raketave thuajse obsoleshente “Qian Uei-Pararoja”, kuptohet sa problematike do ishin rraketat “Iglla” një apo dy gjenerata më moderne sesa “pararojat” kineze.
Dhe për një qeveri të djathtë të një vendi, që qurravitej vazhdimisht për t’u pranuar në NATO, tingëllonte absurde kërkesa për t’i blerë raketat Iglla 16 dhe 18 në Kinë, Kore të Veriut apo në Iran (varianti Misagh 1).
Rasti i Iranit
Rasti i Iranit sic shihet nga dokumenti i afrohet kufijve të fantashkencës. Në kohën, kur rekrutët shqiptarë në Bunavi për mungesë këpucësh stërviteshin me pantofla, ne kërkonim të blinim nga Irani lloj lloj avionësh pa pilotë. Se për çfarë mund të na hynin në punë ne avionët pa pilotë, kur hiqnim nga arsenali edhe mortajat 120 mm, një zot e di. Shpjegimi i vetëm është: për t’u trafikuar.
Raketat kundërajrore u blenë dhe u rishitën në kundërshtim me angazhimin zyrtar të Ministrisë shqiptare të Mbrojtjes (shiko EUC-në përkatëse) . Kjo rishitje normalisht e ndërlikon edhe më shumë problemin.
Tipike në këtë “listë pazari”, është porosia për një qind mijë automatikë AKM (patentë e vitit 1959) shumë të ngjashëm me qindra mijë automatikë model 56 (AK 47) që ishin pjesë e “plehrave” të Enverit, të cilat me shumë vështirësi po i hiqkan qafe ministrat shqiptarë të mbrojtjes. Në pamje të parë tentativat për blerje të tilla mund të duken si fantazi Pinariste dhe kaq. Fatkeqësisht eksportimi i disa prej këtyre artikujve, provon se së paku një pjesë e artikujve të porositur janë blerë realisht me qëllimin për tu rishitur me fitim.
Se ku ka përfunduar ky fitim normalisht është objekt për një tjetër shkrim ashtu si edhe prezenca e vazhdueshme e sekserëve serbo-sllavë në shitblerjet dhe tranzitimet e armatimeve të kryera si nga Ministria shqiptare e Mbrojtjes ashtu edhe nga firma private të lincesuara për veprimtari të tilla nga organet kompetente shqiptare.
Në rastin e një mijë automatikëve Kallashnikov me granatahedhës kalibër 40 mm të inkorporuar në tytë tymi i këtij transaksioni i doli në Kongo. Një tjetër rieksport tashmë drejt Uagadugut të Burkina Fasos ish Voltës së sipërme, ka shumë propabilitet të jetë shumë fish më problematik sesa shfarosja e pak dhjetra mijëra banorëve të tribuve tutsi dhe hutu në kufirin kongolezo-ruandez.
300 predhat e Burkina Fasos
Përsa i përket eksportimit të predhave për antitank RPG 7 (ose kloni kinez mod. 63) kalibër 40mm implikimet mund të jenë jashtëzakonisht problematike. Në 1 gusht 2007 firma HDLI Trading LTD kërkon të blejë nga Shqipëria predha për bazukë-antitank RPG 7(mod. 63). Përgjigja shqiptare është se disponohen 2 000 copë predha për bazukë RPG 7. Predhat janë tip PG-7VR, dhe gabohet qëllimisht duke i quajtur prodhime kineze të fillimit të viteve 70-të. Kjo lloj predhe bazuke quhet ndryshe tandem dmth. me plasje të dyfishtë. Është prodhuar në vitet 80-të dhe ka aftësi shpuese shumë më të mira se simotrat e saj më të vjetra. Ajo është projektuar specifikisht për të depërtuar blindin reaktiv. Kështu pjesa e parë e predhës kalibër 64mm shkatërron blindin reaktiv, ndërsa pjesa e dytë kalibër 105mm shkatërron blindin e zakonshëm tip RHA. Aftësia blindshpuese e saj kundra blindazhit të kombinua është 600mm ndërsa predhat e vjetra vetëm 260mm RHA dmth kanë zero efekt kundër blindid reaktiv. Kjo lloj predhe bën që bazuka 60 vjeçare në distanca tëë afërta,nëse përdoren me mjeshtëri të asgjesojnë çdo lloj tanku moderrn(fjala vjen Leopard2, T 90, Challenger, Merkava 3 apo Abrahams i modernizuar). Të tilla predha gjithsejt 300 copë rezultojnë të jenë eksportuar zyrtarisht në Burkina Fasso në periudhën prill-tetor 2011. (shiko faksimilen e dokumentit).
Armët në vrasjen e Stevens
Eksportimii kësaj ngarkese të përbërë nga predha bazuke, 300 copë, mortaja, predha mortajash, municion armësh këmbësorie e miktrolozi kundërajror u bë me rrugë ajrore teorikisht drejt aeroportit të Katcharit të Burkina Fasos, në kufi me shtetin e Nigerit. Asnjë nga fqinjët e Burkina Fasos nuk ka mjete të blinduara të pajisura me blind reaktiv, kështu që duket i pakuptimtë një import i tillë nga Burkina Faso, një vend i varfër me ushtri me efektiv vetëm 6 000 vetë.. Gjëagjëza u bë më e kuptueshme, kur në Mali në qytetin e sapo pushtuar të Timbuktusë militantët e organizatës terroriste “Ansar Dine” u panë në video me bazukë RPG 7 në dorë mepredha tip PG-7 VR.
Gjatë sulmit kundër konsullatës amerikane në Bengazi të Libisë dhe kundër kompleksit të ndërtesave të menaxhuara nga CIA , u filmuan njerëz të paisur me bazuka RPG7me municion tip PG-7 VR. Dëmet e shkatuara në ndërtesat e këtyre komplekseve gjithashtu sugjerojnë përdorimin e municioneve moderne jo vjetërsirave 50 vjeçare. Elementë të brigadës ekstremiste “Ansar al Sharia “ishin të armatosur me të tillë armatim, madje edhe ndonjë element i brigadave “Mburoja e Libisë” dyshohet të ketë marrë pjesë në sulm dhe të ketë qenë i armatosur me municion të tillë. Fatkeqësisht për shkak të dobësisë së qeverisë qëndrore libiane amerikanët e kanë të vështirë marrjen në pyetje të dëshmitarëve për të mësuar më shumë për armatimet e përdorura në sulmin terrorist ku humbi jetën Ambasadori Stivens.
Rruga nëpërmjet Nigerit
Gjatë kryengritjes anti Gedaf, shteti fqinj i Nigerit shërbeu si vend për tranzitimin e armatimeve për regjimin e Gedafit, që po luftonte për mbijetesë. Pra rruga nëpërmjet Nigerit nuk është diçka e re.
Normalisht kërkon një investigim më të hollësishëm në terren nëpërmjet verifikimit të numrave të partive të prodhimit të këtyre municioneve për të provuar përtej çdo dyshimi të arsyeshëm përdorimin e predhave antitank (bazuke) shqiptare nga militantët ekstremistë të brigadës “Ansar Al Sharija”. Të tilla municione nuk përjashtohet mundësia të kenë mbërritur në Libi edhe nga burime të tjera.
Po kërkohen rrugë të reja
E rëndësishme është, që tani që po na mbarohen “plehrat e Enver Hoxhës”, po kërkohen rrugë të reja për të bërë para duke u maskuar pas qëllimeve të mira siç është importimi i armatimeve gjoja për modernizimin e ushtrisë shqiptare në fakt për t’i trafikuar me qëllim fitimi. Gjithsesi në një botë globale, ku krimi, terrorizmi dhe tahmaja për para e zyrtarëve shtetërorë pa din e iman përzihen bashkë, nuk është çudi që trafikut të Tiranës t’i dalë tymi në Burkina Faso, në Timbuktu apo në Bengazi. Për momentin mund të themi vetëm se gazetarë shumë të aftë të mediave shumë prestigjoze perëndimore po e investigojnë shumë seriozisht edhe këtë pistë.