Në Kuvend u diskutua kryesisht për ligjin e mbetjeve ndërsa akuzat dhe kundër-akuzat nga dy partitë krysore për mashtrim dhe krim nuk munguan. Por ndërsa aty u thanë plot të vërteta – nuk u përmendën të vërtetat kryesore nga të cilat burojnë të vërtetat që cituan: Se me të vërtetë qeveria “Rama” dikur në opozitë kundërshtoi sjelljen e mbeturinave nga vendet e BE-së, por nuk tha “opozita”, arsyen e vërtetë se pse e ndryshoi kundërshtimin e saj kur erdhi në pushtet: Sepse arsyeja e vërtetë nuk është “lidhja e qeverisë me mafian”. Por është humbja e pavarësisë ekonomike përmes shkatërrimit të strukturave ekonomike nga të dyja partitë në pushtet që i detyron ato të “kthejnë pllakën” kur janë pushtet.
Një arsye e dytë, vendimtare, që buron nga para, është përqindja e vogël e mbështetësve që gëzojnë partitë në pushtet: sepse kur zvogëlohet mbështetja e popullit dhe paralelisht rritet varësia e politikanëve profesionistë nga institucionet e bllokut ekonomik dhe juridik të BE-së dhe më tej, të globalizmit neoliberal (FMN etj.), njëherësh, për karrierën e tyre politike dhe realizimin e premtimeve parazgjedhore, sepse janë kryesisht institucionet e BE-së dhe institucionet ndërkombëtare që përcaktojnë realizimin e tyre, dhe kapitali i huaj, me prurje të re terminologjike, si “investime të huaja”…vendimet politike do të jenë në interes të gjithë këtyre të fundit sesa në interes të popullit shqiptar. Nga ana tjetër, vetë qeveria u mbrojt duke na thënë se ligji për mbeturinat ka pësuar 6 ndryshime:
-ndalimi i importit të mbetjeve për djegie
-ndalimi i mbetjeve të rrezikshme dhe lejimi vetëm i atyre të parrezikshme me qëllim ruajtje apo asgjësimi në territorin shqiptar
-import vetëm për mbetjet e ngurta të listës së gjelbër si lëndë të para sekondare, (lista prej 25 rrymash, miratuar në vitin 2012 parashikohet të kufizohet edhe më tej, duke hequr përbërës të dëmshëm si plumbi);
-Hyrja e tyre është përcaktuar në jo më shumë se 3 pika doganore e gjobat për shkelësit e ligjit do të jenë nga 1.500.000 – 2 milionë lekë;
-Parashikohet që autorizimi për importin e mbetjeve jo të rrezikshme, ndryshe nga më parë (…) t’u jepet vetëm subjekteve të liçencuar për të plotësuar nevojat e industrisë ricikluese të vendit; dhe
-E së fundi, me ligj parashikohet transparencë për gjithë këtë proces.
Në rastin e parë ajo mashtron sepse nuk e lidh problematikën e “importeve të mbetjeve për djegie” me gjendjen aktuale që ka krijuar qeveri “Berisha”, për të cilën është përgjegjëse edhe qeveria aktuale. Dhe ja si paraqitet ajo…
Paraqitja e gjendjes në Marikaj dhe më tej
Në fshatin Marikaj të Vorës është dhënë leje që në vitin 2010 nga qeveria “Berisha” për t’u ndërtuar një ndërmarrje (“AMA Recycling”) për mbledhjen dhe riciklimin e aluminit dhe bakrit të improtuar nga Italia, Mali i Zi dhe Kosova: për një vit dhe për 7000 tonë. Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, janë përgjegjëse për kontrollin e procesit, përfshirë dhe radioaktivitetin.
Në Shqipëri operojnë edhe dy ndërmarrje të tjera për mbledhje dhe riciklim: “POLYPA shpk” në Prush, Vaqarr të Tiranës, për plastikë, dhe “ZODIAC shpk”, në ish-serat Mëzez, Tiranë, për bakër, bronz, alumin, çelik dhe bateri. Por ndërmarrja e Vorës vazhdon operimin e saj! Katastrofa që ka shkaktuar në mjedisin e fshatit Marikaj të Vorës është tejet e madhe. Vetë komunitarët më kanë komunikuar, nga hetimi im në terren, se kur fillon shkrirja e aluminit ata mbyllen brenda banesave që të ruajnë mushkritë.
Nga ana tjetër, disa vreshtari në pjesën kodrinore të fshatit, janë shkatërruar nga grimcat e aluminit. Për ta ngritur problemin në masmedian kombëtare – komunitarëve u kanë kërkuar më shumë se 20 milion lekë. Ngaqë ata janë të varfër dhe të paorganizuar – çështja ka mbetur në errësirë dhe ndotja vazhdon. Kjo është një arsye tjetër se përse unë e quaj masmedian tonë kombëtare si “porno-gazetari”.
Pa përmendur punëtorët e ndërmarrjes në fjalë të cilët janë të ekspozuar në mbetjet e shkrirjeve dhe nuk dihet se nëse merren masa mbrojtëse. Komuniteti thotë se punëtorët nuk tregojnë për kushtet e punës se kanë frikë se mos i pushojnë nga puna. Nuk është e rastit që djegiet ndërmerren gjatë natës. Qëllimi është të mbulojnë shtëllungat e blozës që çliron djegia me natën…
Duhet thënë se alumini shkrin në temperatura të larta (rreth 660.32 °C). Komunitetet e vendeve të tjerë ku ndërtohen impiante shkrirëse të metaleve kanë protestuar: në gadishullin e Malajzisë, për shembull, banorët protestuan kundër ndërtimit të impianteve të rinj, sepse jeta rreth fshatit dhe shëndeti i tyre është përkeqësuar – për mos të thënë, shkatërruar. Njëlloj kanë vepruar në Brazil e vende të tjera.
Efektet e djegies së metaleve në shëndetit e njeriut dhe ekosistem
Një studim i dorëzuar në Agjencinë Europiane të Kimikateve (ECHA) në dhjetor të vitit 2010, i cili u kërkua nga Programi i Bashkimit Europian (REACH), lidhur me efektet e mundshme në shëndetin e njeriut nga pluhuri i aluminit (Al), oksidi i aluminit (Al2O3), dhe hidroksidi i aluminit (Al(OH)3)— tregon se alumini, megjithëse është i kudondodhshëm në koren e tokës (përbën rreth 8% të saj), i lehtë dhe gërryes dhe, oksidohet menjëherë në kontakt me ajrin dhe formon një veshje të plogët (inerte) dhe është shumë i fortë dhe rezistent…mund të shkaktojë në shëndetin e njeriut, dhe rrjedhimisht, në shëndetin e kafshëve dhe bimëve që ekspozohen në të, një sërë patogjenezash: nga efektet neurologjike (dializë encefalopatike, një sindromë neurologjike degjenerative në veshkë), Alzheimer dhe efekte të tjerë neurotoksikë që mund të kontribuojnë në rënien e aftësive njohëse (kognitive), deri te kanceri, veçanërisht për punëtorët që ekspozohen në prodhimin e tij (përmes frymëmarrjes dhe rrugëve dermatike)! Agjencia ndërkombëtare për kërkime mbi kancerin (IARC) e rendit “prodhimin e aluminit” në “grupin 1” të burimeve kancerogjene.
Mund të konkludojmë se partitë në pushtet, edhe në këtë çështje, me pasoja katastrofike në shëndetin e vendit tonë, janë bashkëfajtore. Për arsyet që u cituan më lart, zgjidhja e kësaj çështjeje kalon nga organizimi politik i popullit: Sepse është ky i fundit që mundëson krimin e organizuar kur voton, dhe riprodhon pushtetin e partive krysore, ndërsa nuk organizohet për të protestuar dhe pretenduar një rend tjetër.
Nga ana tjetër, veprimtarët politikë, kur protestojnë, ngurrojnë të hartojnë kërkesa bazuar në shkaqet e gjendjes dhe mjaftohen me protestat! Problemi që krijon kjo qasje, nga veprimtarët, është se ata mund të krijojnë ndonjë parti politike, ose mund të kooptohen nga partitë në pushtet, dhe të riprodhojnë krimin e organizuar. Një qasje tjetër problematike, që qarkullon nga disa veprimtarë, ndoshta të ndikuar nga broçkullat që përmendin përfaqësuesit tanë në kuvend, është fakti se Gjermania i administron ashtu apo kështu mbetjet!
Këta, jo vetëm që nuk konsiderojnë faktin se Gjermania deri para dhjetë vjetësh kishte qelbur lumenjtë kryesorë të saj me mbetje toksike që lëshonin ndërmarrjet e saj kapitaliste për të ulur koston e administrimit…dhe filloi t’i pastronte së pari duke i transferuar linjat e prodhimit në vendet e ashtuquajtur në zhvillim (Turqi etj.) ku qelb gjithashtu, por ajo ka rreth 25 vjet që ka financuar projekte kërkimore në industrinë e riciklimit pikërisht për të çqelbur veten dhe eksportuar teknologjinë përkatëse. Aktualisht ajo eksporton teknologjinë e saj ricikluese në disa vende.
Kjo është njëra anë; tjetra është se ekonomia e Gjermanisë lulëzon pikërisht për shkak të rolit të saj hegjemonik në BE dhe avantazhet që krijoi përgjatë konsesusit social-demokrat në ekonomi dhe me vonë, me krijimin e eurozonës, në politikat monetare. Kjo nënkupton se Gjermania ka mundësi ekonomike të zhvillojë struktura teknologjike dhe fushata ekologjiko-sociale për organizimin e mbetjeve. Kjo s’do të thotë, sigurisht, se Gjermania e ka zgjidhur problemin me mbetjet toksiske. Ajo vazhdon, për shembull, të përdor linjitin si burim energjitik me gjithë pasojat që shkakton ai në mjedis dhe shtresat e varfëra të shoqërisë gjermane.
Mbështetja e idesë për zhvillimin e një referendumi për importin e plehrave, si fillim e pretenduar nga Rama, kur ishte në opozitë sigurisht, dhe e mbështetur nga të ashtuquajturit të ”majtë” dhe “ekologjistë”, në prag të miratimit të ligjit për lejimin e importit, madje edhe nga “Vetëvendosja”, është qesharake, pikërisht për arsyet që cituam më lart: Se mbetjet shkaktohen nga sistemi dhe mënyrat e prodhimit dhe se importi i tyre është një sasi tjetër që kapitalistët europianë duan ta asgjësojnë në vendin tonë, pikërisht sepse kostoja e punës është e lirë…për të mos thënë, mjerane! Gjendja, në fjalë të tjera, nuk do të ndryshojë me referendumin edhe nëse populli voton kundër.
Kjo është arsyeja që veprimtarët duhet të synojnë hartimin –jo thjesht të kërkesave- për ndalimin e mbetjeve që janë shpërhapur gjithandej, në ajër, ujë dhe tokë, por edhe ndryshimin e mënyrave të prodhimit: sepse pa ndryshuar këto, ne nuk kemi asnjë mundësi t’i administrojmë mbetjet që shkaktojmë me industrinë kapitaliste dhe elitat që kemi krijuar 25 vitet e fundit.
Sepse ndërmarrjet kapitaliste, gjithnjë nuk do të administrojnë mbetjet e tyre, meqenëse kanë mundësi gjithnjë të blejnë përfaqësuesit tanë, dhe meqenëse ato gjithnjë, për shkak të paaftësisë administrative, do të kërkojnë të ulin koston e prodhimit herë duke shtrënguar mëditjet e punëtorëve dhe herë duke rryshfetuar përfaqësuesit për moskontrollimin e procesit të djegieve.
Gjykuar nga këto kushte, pesë pikat e tjera të ndryshuara në ligj, s’kanë asnjë kuptim…
Ylli Përmeti / Botuar sot në DITA

Nuk ka mbeturine “te mire,te gjelber,ekologjike”Fjalet nuk i pastrojne dot.Edhe sikur te jene “te gjelbera”.mbajne ere.Kane grafem te tmerrshme..Une do ta besoj Ramen kur mbeturinet tja dergojne prane bunkerit te tij ne Surrel.
Histori ne shekuj ka vertetuar se kur nje popull hesht,pa tjeter do te vuaj pasojat e tmerrshe te heshtjes se tij.Dhe kjo eshte vertetuar ne Babilonine e lashte,ne Italine fashiste,ne Gjermanine naziste,e Japonine militariste,pa harruar ato vende qe vuajten nga diktatura komuniste,Dhe ato ekstremiste te c’do forme,ngjyre e besimi qofshin.Vetem protestat masive e te pa ndaleshe kundret ketyre dukurive sa korruptive aqe dhe kriminale ne politikat e Tiranes zyrtare ne dite e vite,do te thote nderim ndaj vetes,familjes,Shqiperise dhe brezave qe vijne pas.PROTESTO DHE VETEM PROTESTO NE MBROJTJE TE JETES DHE MORALIT NJEREZOR.Historia ka vertetuar ne shekuj se para forces se SOVRANIT te cdo kush qe guxon ta perdhunoje me fuqine e pushteteve, ka qene dhe do te mbetet ASKUSHI.
Kur shqiptarèt tè ndèrgjegjèsohen se jeta nè komunitet èshtè mè e rèndèsishme sesa parimi shpellar shqiptar,,,,,,,,, Marikajn nuk e shoh me sy, tymin e fabrikès sè shkrirjes sè aluminit, jo e jo. Atèherè, çfarè mè intereson mua protesta e disa familjeve atje,,,,,,, besoj se do jetè vonè, tepèr vonè pèr tè evituar hijen e vdekjes mbi kètè vend.
Fabrikèn nè Marikaj, nuk e shohin as nè Tiranè e as nè Durrès por qumèshtin e “lopève tè lumtura” atje, “mishin BIO” apo perimet e zonès , nuk mund ti evitojnè tè shiten ne tregun pèrkatès. Me to, ushqejnè veten dhe fèmijèt.
Ata qè nuk duan ta shohin fabrikèn e Marikajt, do TA NDJEJNÈ NÈ TRUP ATÈ, nè formè sèmundjesh qè nuk ka mjek ti japè zgjidhje.
Ndaj èshtè me rèndèsi qè tè kuptohet diçka thelbèsore. Politika dhe politikanèt tanè, “tè majtè” apo “tè djathtè”, nuk duhen lejuar mè, tè helmojnè fèmijèt tanè, ndèrsa tè tyrit i shohim nèpèr pasarelat e modès europiane apo motoskafet nè brigjet e Kroacisè, nè universitetet elitare tè SHBA apo thjesht duke shijuar jeten nè Holandè dhe duke trajtuar Shqipèrinè, vetèm si vend pune.
Boll me kèto kriminelè ordinere. REFERENDUM.
Rama i ka sherbyer me shum se asnje politikan ne keto 25 vjet vendit , qe kur ishte kryetar bashkiet dhe pastroj lumin e Lanes ne Tirane u kthye ne nje shprese per shqiptaret se me ne fund dikush po punon per emrin e tij dhe per vendin .
Po gabimet ose fajet e Rames jane ligji per plehrat dhe mosmbajtja e premtimit per liberalizimin e kolaudimit te automjeteve qe po rendon qytetaret si ne asnje vend te botes , nuk e di ne se vete z.Rama shkon te kualidoje mjetin e tij dhe te shohe kalvarin pa lidhje me sherbimin e automjetit .
I ka qepur Ridvan Bode me Berishen keto ligje qe te sillnin c’do lloj mbetjesh dhe kane bere pasuri te madhe! Po te hetohet Berisha do te dalin krime te llahtarshme qe i jane bere ketij populli!
Ishte mire te na prezantonit z.Permeti,ose te ish prezantuar vet ai dhe kryesorje eshte se z. Permeti,nuk na jep nje statistike te sakte,per cilesine e punishteve,normat dhe niveli faktik i ndotjes,si dhe cfare eshte konstatuar klinikisht,lloji i semundjeve tek personaat punonjes apo banoreve perreth,qe mund te jene prekur nga ato semundje dhe ne cilat klinika jane vizituar.
Pa keto shkrimi i z.Permetit,i ngjan nje leksioni te thate shkolle..