Prokuroria e Tiranës përfundon hetimet dhe dërgon për gjykim kërkesën ndaj shtetasit Hajdin Zyberaj, administrator i shoqërisë së ndërtimit “Dini-2009”, për veprën penale të “mashtrimit ndaj shumë personave me pasoja të rënda”.
Hetimet ndaj tij nisen pas kallëzimeve të 30 qytetarëve, të cilët kishin paguar paratë për të njëjtin apartament.
Zyberaj tashmë rezulton person i shpallur në kërkim, dhe sipas sistemit TIMS ka lënë Shqipërinë më Tetor të 2013 drejt Maqedonisë.
Nga hetimi i prokurorisë rezulton se i pandehuri ka mashtruar së paku 36 persona, të cilët kanë blerë apartamente dhe dyqane në ndërtimin e tij në zonën e Qesarakut, Linzë, por që më pas ka rezultuar se këto prona u janë shitur dy ose më shumë personave të tjerë.
Personat e dëmtuar janë të pajisur të gjithë me kontrata noteriale për blerjen ose prenotimin e pasurive të paluajtshme, vlera e të cilave arrin në disa milionë euro.
