Maskat grabisin firmën e skrapit

redaktor

Një tjetër grabitje e armatosur me maska ndaj kompanive private, pas asaj të duraluminit në Marikaj javën e kaluar. Katër persona të maskuar kanë sulmuar pikën e mbledhjes së skrapit dhe kompaninë e materialeve të ndërtimit në qytetin e Fushë-Krujës, afër fshatit Arameras. Autorët, nën kërcënimin e armëve, çarmatosën rojet e sigurisë dhe morën një sasi parash të mbledhura nga xhiro ditore e aktivitetit. Burime policore thanë se firma e sulmuar rreth orës 13:00 është “Shijaku sh.p.k.”, ndërsa nuk ka pasur persona të dëmtuar. Paraprakisht bëhet fjalë për një shumë disa milionë lekë, (700 mijë lekë të reja), por pritet inventari i kompanisë për të dhënë një shifër zyrtare. Gjatë kërkimeve të policisë dhe kontrolleve, u gjet e djegur në periferi edhe autovetura tip “BMW”, afër Urës së Gjolës, që mendohet se është e autorëve të krimit. Grabitësit i kanë vënë zjarrin për të humbur gjurmët dhe për të mos lënë prova pas vetes, pasi uniformat blu kanë ngritur postblloqe të shumta, duke kërkuar edhe përforcime nga Tirana. Madje skema e djegies së mjeteve pas krimit po ndodh shpesh gjatë këtyre muajve, pasi vlerësohet si mënyra më e mirë për të mos lënë asnjë gjurmë.
Sipas dëshmive të mbledhura deri tani, të stafit të punonjësve të firmës së skrapit dhe rojave, autorët kanë zbritur nga makina të maskuar dhe me armë automatike dhe pistoleta në duar. Fillimisht kërcënuan rojën te dera kryesore duke e neutralizuar dhe çarmatosur dhe duke bërë kështu më të lehtë kryerjen misionit të grabitjes. Sipas policisë nuk ka persona të lënduar nga grabitja në pikën e mbledhjes të skrapit “Shijak SHPK”. Kanë hyrë brenda dhe në harkun kohor te 2 minutave kanë marrë nga sirtarët dhe arka e kompanisë të gjitha paratë që ishin grumbulluar nga xhiroja ditore e aktivitetit.
Policia tha se ka ngritur postblloqe të shumta, pasi destinacioni që kanë marrë autorët pas grabitjes ka qenë zona e Krujës. Dhe pas një ore zbuluan në periferi, në një rrugë dytësore dhe vend të izoluar, autoveturën tip “BMW” në tym dhe flakë. Policia tha se makina ishte pothuajse e shkatërruar nga flakët dhe ndërhyrja e tyre nuk arriti të shpëtonte ndonjë provë bindëse paraprakisht.

Ekspertët po përpiqen të zbulojnë ndonjë provë apo detaj nga kjo grabitje, që mund të çojë në identifikimin e autorëve. Dyshohet se grabitësit mund të kenë pasur informacion për aktivitetin dhe xhiron ditore të kompanisë.
Ndërkohë ende nuk dihet sasia e parave të grabitura nga autorët, por flitet se janë rreth 700 mijë lekë të marra nga arka. Ndërsa policia e Krujës dhe Forcat e Ndërhyrjes së shpejtë po vijon punën për zbardhjen e plotë të ngjarjes, identifikim dhe kapjen e autorëve të grabitjes. Mësohet se firma merret me aktivitetin e ndërtimeve, hekurishteve, dhe me shitje materialesh ndërtimi.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *