Dy persona ende të paidentifikuar tentuan të vjedhin me armë një banesë në Krujë. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së hënës në fshatin Arrameras në Krujë, ku dy shtetas të maskuar dhe të armatosur tentuan të vjedhin banesën e 48-vjeçarit me iniciale A.B.
Por banesa e këtij të fundit ishte e pajisur me alarm sigurie dhe grabitësit u pikasën nga pronari i banesës. Në këtë moment grabitësit qëlluan në ajër dhe u larguan më pas në drejtim të paditur.
Fatmirësisht nuk pati të lënduar nga gjuajtja me armë. Policia mbërriti në vendin e ngjarjes menjëherë pas sinjalizimit, ajo gjeti dhe sekuestroi nën cilësinë e provës materiale dy gëzhoja pistolete e kalibrit 7,62 mm.
