Master profesional” dhe “Master shkencor”, si ndahen 7156 kuotat e miratuara për garën e 2019-s

Leda Hysa

Ciklin e dytë të studimeve në degët më të kërkuara të gjashtë fakulteteve të Universitetit të Tiranë do mund t’i vijojnë për herë të parë gjatë këtij viti 7156 studentë të rinj. Në mbledhjen e zhvilluar pak ditë më parë, Senati Akademik i këtij institucioni ka miratuar kuotat e pranimeve edhe për ciklin e studimeve të nivelit të dytë “Master profesional”, si dhe “Master shkencor” për të gjashtë fakultetet e tij, pjesë e të cilave janë edhe kuotat e pranimeve të destinuara për kategoritë e studentëve me status të veçantë. Edhe për këtë vit gara për studimet master do të zhvillohet nëpërmjet konkurimit me dosje, ku prioritet në përzgjedhje do të jenë studentët e fakulteteve publike që kanë mesataren më të lartë të studimeve të nivelit të parë. Gjatë ditëve në vijim, fakultetet do të zbardhin edhe kriteret e tjera specifike që studentët duhet të përmbushin për të vijuar studimet në një nga programet master përgjatë 2019-s. 

Kuotat për programet “Master shkencor”

Në total për programet e studimeve të ciklit të dytë “Master i shkencave” me kohë të plotë, Senati Akademik ka miratuar 4220 kuota pranimi, të cilat ndahen në: 3543 kuota për kandidatët brenda vendit që do të garojnë gjatë këtij viti për studime të larta të nivelit të dytë, ndarjen e të cilave e gjeni të detajuar në tabelën në vijim të shkrimit, 192 kuota për kandidatët që do të vijnë nga trojet, 48 kuota për kandidatët shtetas të huaj, 145 kuota janë miratuar për studentët e kategorive të veçanta ku përfshihen personat me aftësi të kufizuara, ata me statusin e jetimit, si dhe kandidatët romë dhe Ballkan-egjiptianë, 96 kuota do jenë në dispozicion të kandidatëve që do të aplikojnë për transferimin e studimeve në vite të ndërmjetme, si dhe 196 kuota të aprovuara për të gjithë kandidatët që duan të vijojnë studimet në një degë të dytë.

Konkurimi

Të drejtën e konkurrimit për këtë cikël studimesh e kanë të gjithë ata kandidatë që kanë kryer studimet në fakultetet publike dhe private e që janë pajisur me diplomën përkatëse në një program të ciklit të parë “Bachelor”, ose në një program të integruar të studimeve të ciklit të dytë, i cili rezulton i akredituar në momentin e diplomimit të studentit. Mund të aplikojnë edhe të gjithë ata kandidatë që janë diplomuar jashtë vendit, por me kushtin që të kenë përfunduar procedurat e njehsimit të diplomave përkatëse pranë MASR. Sa i takon procedurës së aplikimit, sqarohet se kandidati duhet të paraqitet personalisht dhe të dorëzojë dosjen e dokumenteve të përcaktuara në afatet e përcaktuara, të cilat do të bëhen publike gjatë ditëve në vijim. Gjatë fazës së konkurimit, kandidati duhet të garantojë nëpërmjet dëshmive përkatëse njohjen e të paktën nivelit B1, të një prej pesë gjuhëve të huaja të BE-së: anglisht, frëngjisht, gjermanisht, spanjisht, italisht, sipas kushteve të përcaktuara nga fakulteti përkatës. Gjithashtu, secili fakultet do të përdorë edhe kritere të tjera specifike në përzgjedhjen e fituesve, siç është nota mesatare e studimeve të nivelit të parë dhe atyre të shkollës së mesme.

Kuotat për programet “Master profesional”

Ndërsa për ciklin e dytë të studimeve të nivelit “Master profesional” janë miratuar në total 2936 kuota pranimi, të cilat ndahen në: 2510 kuota për kandidatët brenda vendit që do të garojnë gjatë këtij viti, ndarjen e të cilave e gjeni të detajuar në vijim të shkrimit,  89 kuota për kandidatët që do të vijnë nga trojet, 17 kuota për kandidatët shtetas të huaj, 68 kuota janë miratuar për studentët e kategorive të veçanta ku përfshihen personat me aftësi të kufizuara, ata me statusin e jetimit, si dhe kandidatët romë dhe Ballkan-egjiptianë, 38 kuota do jenë në dispozicion të kandidatëve që do të aplikojnë për transferimin e studimeve në vite të ndërmjetme, si dhe 214 kuota të aprovuara për të gjithë kandidatët që duan të vijojnë studimet në një degë të dytë. Për programet e nivelit profesional, për aplikimet në programet e “Master profesional”, nuk do të jetë e nevojshme njohja e gjuhës së huaj. Sikundër u theksua edhe më lart, për të fituar të drejtën e studimit në një nga programet master, çdo i diplomuar në fakultetet publike dhe private të vendit, duhet të dorëzojë sipas afateve të përcaktuara dosjen me dokumentet e duhura, çka do të thotë se konkurrimi do të zhvillohet nëpërmjet dokumenteve të dorëzuara në dosjen e kërkuar.

Kreditet e programeve master

Sipas kushteve të përcaktuara në ligjin e arsimit të lartë, programet e studimeve “Master profesional” pajisin të diplomuarit me njohuri të thelluara, profesionale në një fushë të caktuar. Këto programe organizohen me 120 kredite dhe kohëzgjatja është 1.5 vite akademike. Studimet e ciklit të dytë “Master profesional” përmbyllen me provim përfundimtar formimi ose punim diplome dhe në përfundim të tyre lëshohet diplomë “Master profesional” në fushën e arsimimit të kryer. Ndërsa programet e studimit “Master i shkencave” e pajisin të diplomuarit me njohuri të thelluara teorike, si edhe me aftësim për kërkim shkencor në një fushë të caktuar. Këto programe organizohen në programe që realizohen me jo më pak se 120 kredite formimi në vijim të ciklit të parë dhe me kohëzgjatje normale dy vite akademike. Studimet e ciklit të dytë në shkenca përmbyllen me punim diplome dhe në përfundim të tyre lëshohet diplomë “Master i shkencave” në fushën e arsimimit të kryer.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *