Matematika dhe letërsia, tipet e ushtrimeve me të cilat duhet të punoni!

redaktor

Maturantët duhet të vijojnë me përgatitjet për testet e maturës sipas udhëzimeve të dhëna në dy materialet e publikuara tashmë nga ekspertët e Qendrës së Shërbimeve të Arsimit.

Sa i takon provimit të matematikës dhe letërsisë, autoritetet e arsimit kanë rikonfirmuar gjatë ditës së djeshme (teksa është përditësuar edhe udhëzuesi për mësimin në kushtet e shtëpisë),  edhe llojet e ushtrimeve me të cilat maturantët duhet të punojnë përgjatë ditëve në vijim.

Për provimin e matematikës, maturantët udhëzohen që të punojnë me disa tematika të përcaktuara si më kryesoret, nisur edhe nga pesha e madhe që ato kanë në programin orientues të Maturës Shtetërore 2020, e për rrjedhojë do të kenë edhe numrin më të madh të pyetjeve në testin final që do të zhvillohet përgjatë muajit qershor. Këto tematika kanë të bëjnë me konceptet si: numri,  matja,  gjeometria,  algjebra dhe funksioni, si dhe probabiliteti dhe statistika.

 

Për testin e matematikës, maturantët duhet të ushtrohen në këto tipologji ushtrimesh:

  • Ushtrime që vlerësojnë vlefshmërinë e një argumenti matematikor në një situate problemore kryesisht nga tematika e algjebrës dhe funksionit.
  • Ushtrime ku kërkohet paraqitja e informacionit matematikor.
  • Ushtrime me alternativa (përzgjedhje e alternativës së saktë nga 4 alternativat e dhëna).
  • Ushtrime për zbatimin e koncepteve dhe proceseve në një situatë të dhënë nga jeta reale, (kjo vlen për të gjitha tematikat sipas programit orientues).
  • Ushtrime ku maturanti ndërton zinxhirin e arsyetimeve dhe interpretimin e hapave të ndjekura për zgjidhjen e një situate problemore.

 

Po ashtu janë përcaktuar edhe tematikat ku duhet të ndaleni me përgatitjet për provimin e detyruar të lëndës së gjuhës shqipe dhe letërsisë, duke detajuar konkretisht tek veprat e autorëve që mund të jenë pjesë e testit final të kësaj lënde.

 

Sa i takon testit të gjuhës dhe letërsisë, maturantët duhet:

  • Të rifreskojnë njohuritë që lidhen me tekstet joletrare, duke u fokusuar më shumë në ato përshkruese dhe argumentuese, për shkak të peshës që zënë në Programin Orientues të Maturës Shtetërore 2020.
  • Gjatë përsëritjes, duhet të përforconi njohuritë që lidhen me analizat e tekstit joletrar nga pikëpamja e përmbajtjes ideore, strukturës dhe teknikave të shkrimit, si dhe aspektit gjuhësor.
  • Duhet të përpiqeni të shkruani në mënyrë të pavarur 4 ese në javë, me tema esesh që paraqiten në rubrikat: të shkruajmë, në tekstet me të cilat punojnë maturantët në shkollat e tyre.
  • Duhet të rifreskoni njohuritë që lidhen me tekstin letrar sipas planifikimit të mëposhtëm: Për autorët, si: Homeri, Eskili, Aligeri, Shekspir, Gëte, Hygo, De Rada, Balzak (të cilët janë studiuar gjatë viteve të shkollimit), mund të realizohet përsëritja e plotë e tyre.
  • Për autorët, si: Kamy, Migjeni, Poradeci, Agolli, Kadare, Shkreli, maturantët është mirë të përsëritin njohuritë që lidhen me autorët që kanë studiuar deri tani në shkollë.
  • Ju gjithashtu duhet të ushtroheni me modele testesh dhe esesh të viteve të kaluara, të përfshira në librin “Matura Shtetërore Gjuha Shqipe dhe Letërsia”, në mënyrë që të familjarizohen edhe me mënyrën e vlerësimit të esesë.

 

p.k\Dita

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *