Një shenjë e keqe për dialogun? Palmer anulon vizitën në Beograd

Leda Hysa

I dërguari i posaçëm i Departamentit amerikan të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Mathew Palmer, ka anuluar pjesëmarrjen në Forumin e nëntë të Sigurisë që fillon punimet të mërkurën në Beograd.

Lajmin e kanë konfirmuar organizatorët e këtij Forumi për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë.

Arsyet e anulimit të pjesëmarrjes së Palmerit në Forum nuk janë bërë të ditura.

Palmer më 30 gusht është emëruar i dërguar i posaçëm i Departamentit Amerikan të Shtetit për Ballkanin Perëndimor. Një muaj më vonë, Shtëpia e Bardhë e ka emëruar Richard Grenell, ambasadorin aktual të Shteteve të Bashkuara në Gjermani si të dërguar për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, shkruan Rel.

Grenell ka vizituar javën e kaluar Prishtinën dhe Beogradin.

Ambasada amerikane në Prishtinë e ka cilësuar vizitën si tregues për mbështetjen që SHBA-ja i jep procesit të dialogut.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka nisur më 2011. Aktualisht ky proces i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian është pezulluar për shkak të taksës 100 për qind që autoritetet e Kosovës kanë vënë në mallrat e Serbisë dhe Bosnjës në nëntor të vitit të kaluar.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç ka përmendur këtë masë si arsyetim për mosvazhdim të dialogut.

l.h/ dita

Share This Article
1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *