Matjet e World Vision / Dhunë brenda mureve të shtëpisë!

redaktor

Matjet kombëtare tregojnë se nga 10 fëmijë, 7 prej tyre përjetojnë një nga format e dhunës në familje dhe në shkollë. Matjet e bëra nga organizata World Vision tek fëmijët e grupmoshës 12-18 vjeç për dhunën në familje e në shkolla, tregon se 80 për qind e të miturve nuk dinë institucionet apo ku të raportojnë rastet e dhunës dhe abuzimit seksual.

Statistikat zyrtare tregojnë nga 10 fëmijë, 7 prej tyre përjetojnë një nga format e dhunës brenda mureve të shtëpisë, ose në institucionet edukuese dhe informuese, çka i bën më të vështirë identifikimin e rasteve.

80 për qind e këtyre fëmijëve nuk dinë se ku ta raportojnë këtë, do të thotë që ne vetëm sa kemi nisur me strategjinë, urgjentisht ne duhet të bëjmë sëbashku zbatimin e saj. Shërbimet Sociale, Shërbimi i Mbrojtjes së Fëmijëve duhet të shkojë urgjentisht në terren”- shprehet drejtori i World Vision, Toni Gogu.

Elda Spaho, specialiste komunikimi pranë WV na thotë për Dita-n se, “Gjendja e fëmijëve shqiptarë, sidomos atyre më në nevojë, është kritike. Fëmijët tanë përjetojnë një nivel të lartë dhune dhe ky përjetim i përditshëm i tyre nuk po bëhet i dukshëm. Flasim për dhunën me të gjitha fytyrat e saj: dhunën fizike, psikologjike, dhunën online. Dhunë edhe shfrytëzimi për punësim apo për lypje i të miturve, lënia e tyre pas dore, qoftë nga familja apo institucionet përkatëse”.

A duhet të shqetësohemi? Sipas Eldës, po. “Duhet të shqetësohemi shumë. Jo vetëm për shkak të niveleve të dhunës së vazhdueshme, shifrat e të cilave ju i dini sepse kanë vite që paraqiten publikisht nga studime të ndryshme. Flasim për shifra që nisin nga të paktën 50% e shkojnë deri në 70%, sipas shpeshtësisë së dhunës. Por duhet të shqetësohemi edhe për diçka tjetër: Të miturit nuk dinë ku ta raportojnë dhunën, pra në cilat institucione. Nuk i kanë njohuritë ose nuk kanë besim. Në të njëjtat matje të World Vision për të cilat folëm para 4 ditësh, 57% e fëmijëve 12-18 vjeç, nuk dinë se ku të kërkojnë ndihmë, flas për ndihmë institucionale. Merreni me mend sa mund të jetë kjo përqindje me grupmoshën 8-11 vjeç!

Bëhet fjalë për matje që i kemi kryer në 10 rrethe të Shqipërisë. Më saktë në Tiranë, Durrës, Kurbin, Dibër, Korçë, Elbasan, Vlorë, Librazhd, Shkodër dhe Lezhë, në periferi dhe fshatra. Janë pyetur rreth 400 fëmijë të moshës 8-18 vjeç, pra fëmijë që kanë nisur të ndërtojnë perceptimin e të drejtave të tyre, deri në pragun e moshës për t’u quajtur “të rritur”. I kemi ndarë në dy nëngrupe 8-11 vjeç dhe 12-18 vjeç. Nga grupi i fundit, vetëm 20% do ta raportonin dhunën tek institucionet përkatëse kur vjen puna te të raportuarit të abuzimit dhe shfrytëzimit. E dini sa është përqindja për grupin e më të vegjëlve? Atyre që janë 8-11 vjeç? Është 0%.

Nëse një fëmijë ndihet i dhunuar janë një sërë rrugësh që duhet ta çojnë në derën e duhur

Që nga fqinji deri te institucioni përkatës që është Punonjësi për mbrojtjen e Fëmijëve në bashki. Shumë pak bashki kanë punonjës së tillë dhe World Vision bashkë me organizatat e tjera më të mëdha për fëmijët në vend po nxit në mënyra të ndryshme rregullimin e kësaj gjendjeje. Kemi çuar të gjitha këshillat tona pasi ky punonjës është kyç për trajtimin e dhunës. Përveç kësaj, për t’ju përgjigjur pyetjes, jemi në një çast të rëndësishëm të të drejtave të fëmijëve; ligji për mbrojtjen e tyre është në proces diskutimi, para se të kalojë në parlament për miratim. Pjesë e propozimeve të reja është bërë edhe “raportimi i detyruar”. Ky ndryshim detyron një sërë të rriturish, përfaqësues së një institucioni në sistemin e mbrojtjes së fëmijëve, që ta raportojnë dhunën të dukshme madje edhe të dyshuar fizike apo psikologjike ndaj një të mituri te Punonjësi i Mbrojtjes së Fëmijëve në bashki. Ky raportim i detyruar përfshin mësuesit, psikologen e shkollës, policin e zonës, mjekun e familjes etj”.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *