Për të shmangur kopjet në ditën e provimit, në 365 sallat e përzgjedhura për të dhënë provimet do të vendosen bllokues të pajisjeve elektronike. Pajisje të cilat do të evidentojnë nëse maturanti tenton të fusë në sallë celular, kufje apo mjete të tjera. Procedurë e re dhe për plotësimin online të formularit A1 e A1Z
Pranvera Kola
Ashpërsohen procedurat e mbikëqyrjes së provimeve të Maturës Shtetërore 2013. Shqetësimet e ngritura vit pas viti mbi përdorimin e mjeteve të komunikimit, e veçanërisht telefonit në ditën e provimit duket se do të marrin fund në sezonin e provimeve të maturës që do të zhvillohen gjatë muajit qershor. Për të shmangur këto raste të marrjes së përgjigjeve të testit me anë të telefonit apo kufjeve, Ministria e Arsimit ka vendosur t’u përgjigjet me bllokimin e tyre. Kjo pasi është vendosur tashmë që në të gjitha ambientet e provimit të vendosen bllokues të mjeteve të komunikimit.
Për provimet e maturës së 2013-s janë përzgjedhur rreth 365 mjedise të ndryshme, në të cilat do të zhvillohen provimet e detyruara dhe ato me zgjedhje sipas datave të caktuara. Shefi i Sektorit të Monitorimit dhe Vlerësimit në Ministrinë e Arsimit, Ndriçim Mehmeti, bën me dije se po merren të gjitha masat që provimet e maturës për 2013-n të zhvillohen në kushte të rrepta sigurie. Kjo risi do të sigurojë menaxhimin dhe administrimin më të mirë të provimeve të detyruara e me zgjedhje, duke shmangur edhe rastet e ndryshme të kopjimit, të cilat falë avancimit të teknologjisë janë bërë tepër të sofistikuara, siç janë montimi i kufjeve të veçanta në vesh, që nuk shihen apo përdorimi i telefonit celular.
Madje në rast të evidentimit të ndonjë situate të tillë bashkë me maturantin, i cili përjashtohet nga provimi, penalizime. “Po shohim mundësitë që në të gjitha zonat që do të kemi provimin të vendosim bllokues për mjetet e komunikimit elektronik. Komunikimi nuk është vetëm përmes celularit, po mund të ketë kufje të fshehta që montohen sikundër thonë në organet e dëgjimit dhe është e pamundur të shihen me sy”, bën të ditur Ndriçim Mehmeti.
Njëkohësisht në rregulloren e maturës është bërë edhe shtimi i kritereve që arsimtarët do të duhet të përmbushin për të qenë pjesë e monitorimit apo vlerësimit të provimeve të maturës. Nuk kanë qenë të pakta rastet e penalizimeve të dhëna gjatë maturave të shkuara ku arsimtarët nuk kanë respektuar rregullat e administrimit të provimeve duke mbështetur apo nxitur kopjimin.
Sipas Mehmetit, me mbikëqyrjen e provimeve do të merren vetëm ata arsimtarë që “kanë treguar korrektesë gjatë gjithë maturës shtetërore dhe përjashtojmë të gjithë ata që nuk kanë treguar korrektesë. Së dyti, administratorë do të merren ata që nuk janë të lëndëve përkatëse, që do të thotë në letërsi nuk merren të letërsisë, dhe kur ka lëndë me zgjedhje bëhet rishpërndarja e tyre në mënyrë që ata të mos bien në lëndën që ata kanë”.
Në mbyllje të muajit shkurt do të bëhet publik edhe formulari A1 dhe A1Z, në të cilin maturantët do të caktojnë dy lëndët që do të japin si provime me zgjedhje. Ndryshe nga maturat e kaluara për 2013-n, plotësimi i këtij formulari do të bëhet tërësisht në internet, sipas një procedure të re që do të zbardhet nga Ministria e Arsimit.
Për të garantuar një plotësim të saktë të formularit në internet (online) është menduar që gjatë ditëve të plotësimit i pranishëm në shkolla të jetë edhe një specialist i teknologjisë. “Ky plotësim do të bëhet i përqendruar, që do të thotë që përveç Tiranës që ka shumë nxënës, shkollat e tjera do të përqendrohen si dhe do të kenë një mbikëqyrje nga një specialist të teknologjisë së internetit”, shprehet Mehmeti.
Kriteret për qendrat dhe mjediset e provimit
Qendrat ku do te zhvillohen provimet e maturës do të plotësojnë këto kritere:
Të kenë jo më pak se sa 150 maturantë.
Në shkollat ku numri i maturantëve dhe i kandidatëve të marrë së bashku është më i vogël se 150, komiteti shtetëror i Maturës do të grupojë shkollat dhe cakton qendrën ku do të zhvillohen provimet.
Maturantët dhe kandidatët e shkollave private do t’i zhvillojnë provimet e Maturës në të njëjtat qendra e mjedise me maturantët e shkollave publike.
8 kriteret që duhet të përmbushen në sallat ku do jepen provimet
Të jenë të ajrosura dhe të ndriçuara mirë.
Të jenë të mjaftueshme për të paktën 15 maturantë. (Domosdoshmërisht të përdoren mjediset me të mëdha të qendrave të provimit.
Largësia ndërmjet çdo maturanti të jetë jo më pak se 120 cm, në të katër drejtimet; si majtas-djathtas, ashtu dhe para-prapa.
Maturantët ulen me fytyrë në të njëjtin drejtim.
Sipërfaqja që maturanti ka në dispozicion për të shkruar është të paktën 40 x 60 cm.
Në ditën e provimit, në mjediset ku zhvillohet provimi nuk zhvillohen veprimtari të tjera.
Në mjediset ku zhvillohet provimi nuk duhet të ketë postera, tabela ose materiale të tjera që kanë lidhje me lëndën që jepet provim.
Çdo mjedis që përzgjidhet për zhvillimin e provimeve, duhet të ketë komunikim me rrugët automobilistike.