Matura 2017, si do jetë testi i detyruar i matematikës

Ornela

 

Pranvera Kola – DITA

Sikundër ndodhi me letërsinë, edhe testet e provimit të tretë të detyruar që do të zhvillohet ditën e enjte në lëndën e matematikës do të diferencohen nga lloji i shkollës së mesme që maturanti ka kryer.

Puna për përzgjedhjen e pyetjeve të tezës finale që do të plotësojnë maturantët e shkollave të mesme të përgjithshme, drejtimeve gjuhësore, shkollave profesionale, artistike, gjimnazeve me profil sportiv, si dhe shkollave të mesme me kohë të shkurtuar, tashmë janë përzgjedhur prej specialistëve të ngujuar në ambientet e Qendrës së Shërbimeve Arsimore.

Shtatë janë linjat e tematikave në të cilat është ndalur përzgjedhja e pyetjeve që do të jenë pjesë e tezës së provimit. Për secilën linjë është përcaktuar edhe ndikimi që do të ketë në sasinë e pyetjeve të tezës së provimit të matematikës.

Çka do të thotë se temat që kanë përqindjen më të lartë do të kenë edhe numrin më të madh të pyetjeve të testit që do të plotësohet ditën e enjte.

Konkretisht bëhet fjalë për linjat si: Numri dhe veprimet me numrat, matja, algjebra, funksioni, gjeometria, njehsimi diferencial dhe integral, si dhe statistika dhe probabiliteti.

Në vijim të shkrimit gjeni të detajuar ndikimin në përqindje që do ketë secila prej këtyre linjave për testet e gjimnazeve të përgjithshme dhe gjuhësore, si  dhe ata të shkollave të mesme që janë me profil artistik, sportiv, profesional dhe gjimnaz me kohë të shkurtuar.

Temat që kanë vlerësimin më të lartë në përqindje duhet të marrin edhe vëmendjen maksimale gjatë fazës përgatitore të mbetur.

Njohuritë për veprimet me numrat

Për këtë tematikë, maturanti duhet të jetë i aftë t’u përgjigjet pyetjeve që kanë të bëjnë me zbatimin e konceptit të numrit dhe veprimeve me numra në situata të ndryshme, përfshirë edhe ato që kanë lidhje me financën e jetës së përditshme.

Në mënyrë të detajuar maturanti duhet të jetë i aftë të përdorë në zbatime marrëdhëniet e ndërsjella ndërmjet bashkësive numerike N, Z, Q, R, të gjejë prodhimin kartezian të dy bashkësive, të përdorë vetitë e veprimeve me numra realë për gjetjen e vlerës së një shprehjeje numerike (me, ose pa kllapa), të paraqesë me mënyra të ndryshme një interval numerik, të përdorë në zbatime prerjen dhe bashkimin e dy intervaleve numerike, të dijë vetitë e logaritmeve në zbatime të thjeshta, si dhe të logaritmojë një shprehje të thjeshtë ku ka fuqi, herës, apo prodhime.

Njohuritë rreth matjes

Kjo pjesë përfshin njohuritë për gjetjen e masës së elementit të kërkuar që nuk matet dot drejtpërdrejt, duke përdorur teoremat e sinusit, të kosinusit dhe ngjashmërinë e trekëndëshave, zbatime të teoremave të Euklidit dhe të Pitagorës në situata problemore, largesën ndërmjet dy pikave, gjatësinë e vektorit dhe prodhimi numerik të dy vektorëve me koordinata të dhëna, vetitë e prodhimit numerik të dy vektorëve, njehsimin me formula të syprinës dhe vëllimit të prizmit, paralelepipedit, piramidës, cilindrit dhe konit rrethor të drejtë, këndit dhe harkut trigonometrik në rrethin trigonometrik, si dhe formulat trigonometrike për këndet me shumë, ose ndryshesë 90°, dhe me shumë 180°, etj.

Njohurit rreth algjebrës

Njohuritë bazë që maturanti duhet të dijë në këtë linjë kanë të bëjnë me shndërrimet e thjeshta të polinomeve (mbledhja, shumëzimi, faktorizimi), njohjen e fuqisë dhe rrënjës së polinomit, veprimet me vlerat e palejuara të ndryshores në një shprehje algjebrike me një ndryshore, shndërrime të njëvlershme të shprehjeve algjebrike, shndërrime të njëvlershme të ekuacioneve dhe inekuacioneve me një ndryshore, zgjidhjen e ekuacioneve dhe inekuacioneve të fuqisë së parë dhe të dytë me një ndryshore grafikisht, ose algjebrikisht, zgjidhjen e sistemeve të të gjitha llojeve të ekuacioneve dhe inekuacioneve të tipeve të përmendura më lart, si dhe studimin e shenjës së binomit të fuqisë së parë dhe të trinomit të fuqisë së dytë me një ndryshore, njohjen e ekuacioneve eksponenciale të thjeshta, etj.

Njohuritë rreth gjeometrisë

Dijet rreth gjeometrisë janë ndër më të rëndësishmet për testin e matematikës, pasi do të kenë edhe numrin më të lartë të pyetjeve në test, duke qenë se kjo linjë vlerësohet me 25 për qind të ndikimit për të gjitha llojet e shkollave të mesme.

Në këtë pjesë maturanti duhet të zotërojë njohuritë e duhura rreth koncepteve të tilla, si: kongruenca, ngjashmëria, veti të shumëkëndëshave, drejtëza dhe plani në hapësirë, vijat e gradës së dytë.

Duhet të ndaleni veçanërisht në zbatime të kongruencës dhe ngjashmërisë së trekëndëshave, zbatime të vetive të trekëndëshit barabrinjës, katërkëndëshit, gjashtëkëndëshit të rregullt, rrethit, gjendjen e ndërsjellët të drejtëzës dhe planit në hapësirë, të dy drejtëzave në hapësirë, si dhe dy planeve, njohjen e koncepteve mbi këndin e drejtëzës me planin, kushtin e mjaftueshëm që drejtëza të jetë pingul me planin, teoremën e tri pinguleve; shumëfaqëshit (prizmi, piramida, kubi, kuboidi), llojet dhe elementet kryesore të tyre, trupat e rrumbullakët (cilindri dhe koni rrethor i drejtë), ekuacioni kanonik i rrethit me qendër (a,b) dhe rreze të dhënë, ekuacioni i tangjentes dhe pingules ndaj rrethit, etj.

Njohuritë rreth funksionit

Sa i takon kësaj pjese, maturanti duhet të jetë i aftë që të shpjegojë dhe të zgjidhë nëpërmjet ushtrimeve përkatëse mënyrat e dhënies së funksioneve, vargun numerik, progresionet dhe limitet e funksionit.

Njohuritë rreth njehsimit diferencial

Për këtë linjë maturanti duhet të ndalet në përforcimin e njohurive rreth limiteve dhe veprimeve me to, vazhdueshmërinë e funksionit, derivatin, monotoninë, përkulshmërinë, si dhe integralin e pacaktuar dhe atë të caktuar. Duhet të gjeni limitet e njëanshme të funksionit, të gjeni asimptotat horizontale dhe vertikale të grafikut për funksione të thjeshtë, studimin e vazhdueshmërisë së funksioneve elementare, etj.

Njohuritë në statistikë, probabilitet dhe kombinatorikë

Nëpërmjet ushtrimeve përkatëse duhet të bëni interpretimin dhe paraqitjen e një informacioni statistikor, gjykimin e situatave probabilitare dhe njohurive fillestare për konceptet kombinatorike. Konkretisht, ushtrimet ndalen në paraqitjen e të dhënave statistikore (diagramet me shtylla, histogramet), mesatares aritmetike, mesores, moda, kuptimi mbi ngjarjen, ngjarje elementare, hapësira e rezultateve në ngjarje të papajtueshme,  probabiliteti i një ngjarjeje të thjeshtë, probabiliteti i ngjarjeve të papajtueshme,  formula për llogaritjen e probabilitetit,  parimi i numërimit, i mbledhjes dhe i shumëzimit, përkëmbimet, formulat për llogaritjen e përkëmbimeve, dispozicionet, formulat për llogaritjen e tyre, kombinacionet, etj.

 

TEMAT ORIENTUESE PËR MATURANTËT E GJIMNAZEVE TË PËRGJITHSHME DHE ATYRE GJUHËSORE

TEMAT ORIENTUESE PËR MATURANTËT E GJIMNAZEVE ARTSITIKE, PROFESIONALE, SPORTIVE DHE SHKOLLAVE ME KOHË TË SHKURTUAR

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *