Ndryshon udhëzimi për provimet e Maturës Shtetërore 2018. Sipas vendimit të marrë së fundmi nga dikasteri i arsimit, i cili tashmë është zbardhur edhe në Fletoren Zyrtare të Qeverisë, përcaktohet se maturantët e shkollave të mesme profesionale do mund të japin si test të detyruar, apo me zgjedhje edhe teorinë profesionale të integruar.
“Teoria profesionale e integruar si provim me zgjedhje për nxënësit e shkollave profesionale do të zhvillohet në datën 20 qershor 2018”, saktësohet në udhëzimin e Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë.
Lidhur me kohëzgjatjen e zhvillimit të testimeve, bëhet me dije se provimet e detyruara do të zgjasin 2 orë e 30 minuta, me përjashtim të provimit të detyruar të teorisë profesionale të integruar, që zgjat 1 orë e 30 minuta.
Provimet me zgjedhje do të zgjasin 3 orë. Ndërsa provimi me zgjedhje për shkollat e mesme profesionale zgjat 1 orë e 30 minuta.
Testi për secilin nga provimet e detyruara përmban 25 pyetje, nga të cilat 13 kërkesa janë me përgjigje alternative, që vlerësohen me një pikë secila (13 pikë gjithsej) dhe 12 pyetje me zhvillim, të cilat vlerësohen me 37 pikë. Testi vlerësohet maksimalisht me 50 pikë.
“Testet e teorisë profesionale të integruar përmbajnë secili nga 20 pyetje, nga të cilat 10 kërkesa janë me përgjigje alternative, që vlerësohen me nga 1 pikë secila (10 pikë gjithsej) dhe 10 pyetje të tjera të llojeve të ndryshme, të cilat vlerësohen me 30 pikë gjithsej. Testi i teorisë profesionale të integruar vlerësohet maksimalisht me 40 pikë”, shkruan Dita.
p.k/dita
