Përzgjedhja e gabuar e dy lëndëve që do jepen si provimeve me zgjedhje gjatë plotësimit të formularit A1, mund të penalizojë maturantin me përjashtim nga gara e konkurrimit për të fituar një të drejtë studimi në universitetet publike të vendit, gjatë vitit të ri akademik 2013-2014.
Për të minimizuar plotësimet e gabuara, Agjencia Kombëtare e Provimeve ka detajuar edhe listën e kombinimeve të lëndëve që maturantët duhet t’i përjashtojnë detyrimisht si alternativa gjatë plotësimit të formularit A1 apo A1Z. Në tabelën bashkëngjitur shkrimit do të gjeni të detajuara 14 kombinimet e gabuara të lëndëve që maturantët detyrimisht duhet të mos i bëjnë gjatë plotësimit të formularit.
Duke iu referuar tabelës, është e ndaluar që në përzgjedhjen individuale maturanti të rendisë dy lëndë që i përkasin profilit gjuhë e huaj e parë ose njëherësh dy lëndë të tjera që renditen si gjuhë e huaj e dytë.
Maturantët penalizohen me përjashtim nga gara nëse rendisin të japin si provime me zgjedhje lëndët matematikë e thelluar dhe letërsi e thelluar. Një tjetër kombinim i palejueshëm është përzgjedhja njëherësh e tre lëndëve që kanë të bëjnë me filozofinë, psikologjinë dhe qytetarinë.
Më tej në tabelën bashkëngjitur shkrimit do të gjeni të detajuara edhe grupet e tjera të lëndëve që nuk duhet t’i rendisni si provimeve me zgjedhje (Z1 dhe Z2) gjatë plotësimit të formularit A1, i cili është hapi bazë që legjitimon të drejtën e maturantit për të vijuar garën për ndjekjen e studimeve të larta në universitetet publike.
Tashmë kanë mbetur edhe pak ditë kohë në dispozicion për të plotësuar këtë formular nga të gjithë nxënësit që mbarojnë studimet e shkollës së mesme gjatë këtij vitit. Ndërsa maturantët e viteve të shkuara do të ndjekin të tjera procedura nëse duan të rimarrin pjesë në garën e pranimeve për shkollat e larta publike.
Ata mund të hyjnë në garë duke mbartur edhe rezultatet e marra në këto provime gjatë maturave të shkuar, me përjashtim të rasteve kur nuk kanë marrë notë kaluese. Kjo kategori maturantësh do t’i nënshtrohen plotësimit të formularit A1Z, proces i cili pritet të nisë gjatë fundjavës. Fillimisht këta maturantë duhet të paraqiten pranë shkollave të mesme ku kanë mbaruar studimet gjatë viteve të shkuara, pasi pranë tyre do të bëjnë edhe regjistrimin e për plotësimin e formularit A1Z, duke dorëzuar edhe dokumentet përkatëse të kërkuara.
Të drejtën për të rihyrë në këtë garë do ta gëzojnë të gjithë ata maturantë që i kanë dhënë provimet me zgjedhje gjatë viteve të mëparshme, ndërkohë që nuk figurojnë të regjistruar në asnjë nga fakultetet publike të vendit. Provimet e maturës do të nisin me 31 maj, ku më shumë se 40 mijë kandidatë në të gjithë vendin do t’i nënshtrohen provimit të parë të detyruar në lëndën e Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë. Ndërsa dy javë më pas do të zhvillohet provimi i dytë i detyruar në lëndën e matematikës.
Data 29 Qershor do të shënojë edhe mbylljen e provimeve të maturës, pasi në këtë ditë maturantët do të japin edhe provimet me zgjedhje të lëndëve që kanë renditur gjatë plotësimit të formularit A1 dhe A1Z.
Pyetjet e provimeve do merren nga programet orientuese
Për të orientuar maturantët në lidhje me temat dhe kapitujt mësimor që duhet të përvetësojnë për të dalë me sukses në provimet e maturës shtetërore, Agjencia Kombëtare e Provimeve ka detajuar tashmë programet orientuese të lëndëve bërthamë dhe atyre me zgjedhje ku duhet të mbështeten maturantët. Në përmbajtje të këtyre programeve janë të detajuara të gjithë kapitujt dhe temat e veçanta mësimore të cilave maturantët duhet t’i kushtojnë vëmendje maksimale pasi prej tyre do të zgjidhen edhe pyetjet finale të te testit. Sipas përcaktimeve të bëra nga MASH, rreth 85 për qind e pyetjeve të testit do të përzgjidhen nga temat që janë në përmbajtje të këtyre programeve. Teza për provimet e detyruara do të ketë në përmbajtje 25 pyetje të cilat do të jenë të kombinuara ndërmjet pyetjeve me alternativa dhe zhvillim. Ndërsa teza e provimeve me zgjedhje do të ketë në përmbajtje 20 pyetje.