Matura, “ngujohen” 3 hartuesit e testeve të letërsisë

anazapta

Shkojnë drejt fundit përgatitjet për provimin e parë të maturës shtetërore 2013  që do të zhvillohet mëngjesin e së premtes (31 maj 2013) në lëndën e Letërsisë dhe Gjuhës Shqipe. Dje në ambientet e AKP-së janë ngujuar edhe tre specialistët e lëndës, të cilët do të përzgjedhin nën kushte të rrepta sigurie (nën vëzhgimin e kamerave dhe forcave të policisë), 25 pyetjet finale që do të jenë në përmbajtje të testit të parë të maturës.

Burimet zyrtare në Ministrinë e Arsimit bëjnë me dije se raporti i pyetjeve në teste do të jetë 40 për qind për nivelin nënmesatar, 40 për qind për nivelin mesatar dhe 20 për qind për nivelin mbimesatar. Tre specialistët e “ngujuar” nuk kanë të drejtë që të dalin nga ambientet e AKP-së deri ditën e premte, një orë pasi të ketë nisur dhe testimi i maturantëve në të gjithë vendin.

Krahas përgatitjeve, maturantët duhet të jenë të kujdesshëm në përmbushjen e kritereve të përcaktuara në rregullore në mënyrë që të mos rrezikojnë hyrjen në provim, pasi në të kundërt humbasin të drejtën e konkurrimit për pranimet në shkollat e larta publike gjatë vitit të ri akademik. Për të hyrë në ambientet ku do zhvillohet provimi, duhet detyrimisht mjeti i identifikimit, si dhe paraqitja 90 minuta para kohës së përcaktuar për nisjen e testimit.

Në rregullore përcaktohet se ata duhet të tregojnë kujdes dhe të ulen në vendet që u janë caktuar, si dhe të shmangin çdo tentativë për të komunikuar apo kopjuar, sepse penalizohen me humbjen e një viti për garën e konkurrimeve në universitete.

Kujdes të veçantë maturanti duhet të tregojë gjatë verifikimit nëse testi i dhënë nga administratori  i përket profilit shkollor që ai ka mbaruar. Në rastet kur testi i dhënë nuk është i profilit të tij, është i dëmtuar ose ka faqe të bardha, ai ka të drejtë të kërkojë menjëherë ndërrimin e tij, por jo më vonë se 30 minuta pas fillimit të provimit, veprim ky që pasqyrohet edhe në procesverbalin përkatës të administratorit.

Testi i letërsisë do të jetë i ndarë në dy pjesë, secila përmban fragmente veprash, rreth të cilave janë dhe pyetjet që kërkojnë shpjegime, zëvendësime, komente, krahasime, analiza, interpretime, perifrazime, pyetje që kërkojnë nxitjen e imagjinatës, si dhe pyetje që kërkojnë përgjigje krijuese.

Në total janë 25 pyetje, 13 me alternativa e 12 me zhvillim ku përfshihet edhe eseja. Bashkangjitur shkrimit do të gjeni të detajuara këshillat se si duhet të kaloni me sukses provimin e parë të maturës shtetërore për 2013-n.

 

Pyetjet me alternativa

Për pyetjet me alternativa, korrigjimi do të bëhet me  0 dhe 1 pikë. Maturanti merr një pikë kur ka rrethuar përgjigjen e saktë. Vlerësimi me 0 pikë kur nuk është rrethuar asnjë alternativë, kur është rrethuar një tjetër dhe jo përgjigja e saktë (përgjigje e gabuar), kur janë rrethuar dy ose më shumë alternativa, i është vënë kryq një rrethimi ose përbri ka shënuar gabim dhe rrethon më tej alternativën e saktë.

 

Pyetjet me zhvillim

Për pyetjet me zhvillim mësuesit do korrigjojnë me kujdes çdo përgjigje të nxënësit edhe në rastet kur ka ndjekur rrugë tjetër nga ajo e përcaktuar. Shihen me kujdes edhe përgjigjet e nxënësit, kur i është dashur të dalë jashtë hapësirës së përcaktuar për zgjidhjen. Ndërsa për esenë vlerësimi bëhet në varësi të shtjellimit të idesë, organizimit dhe strukturës, stilit e origjinalitetit, si dhe saktësisë gjuhësore.

 

Kujdes në ditën e provimit!

Nxënësi rrezikon përjashtimin nëse:

1. Nuk qëndron në vendin që i është caktuar;

2. Nuk është i pajisur me dokument identifikimi.

3. Merr e jep informacion, kopje ose komunikon me maturantë/kandidatë të tjerë;

4. Bën komente për përmbajtjen ose zgjidhjen e testit gjatë kohës së zhvillimit të provimit;

5. Mban telefon celular, radio ose çdo mjet tjetër komunikimi në mjedisin e provimeve.

6. Në rast se kandidati refuzon të largohet nga mjedisi i provimit, mbikëqyrësi i provimit evidenton rastin me procesverbal dhe e njofton atë mbi mosnjohjen e rezultatit.

7. Maturanti apo kandidati që përjashtohet nga provimi për shkelje të parashikuar në pikën 3, shkelje që përshkruhet edhe në procesverbalin përkatës, humbet këtë provim dhe ka të drejtë ta japë atë në sesionin e ardhshëm.

 

Rezultatet e provimit nuk njihen në rastet kur nxënësi:

1. Përdor laps ose stilolapsa me ngjyra të ndryshme në plotësimin e testit;

2. Heq ose dëmton kodin e sekretimit (barkodin) të vendosur në test;

3. Dëmton testin (palos, zhubros, gris, vendos shenja të dallueshme dhe të veçanta) ose nuk e dorëzon atë.

4. Vërtetohet kopja, e pjesshme ose e plotë, gjatë procesit të vlerësimit dhe konfirmohet nga komisioni përkatës.

 

Kujdes!

•Duhet të paraqiteni në mjediset e provimit 90 minuta përpara fillimit të provimit.

•Në këtë kohë kryhet identifikimi i maturantëve, hyrja në mjediset e provimit,

•Sistemimi i tyre nëpër vende, si dhe leximi i rregullave për zhvillimin e provimit.

•Hyrja, shpërndarja dhe sistemimi i çdo pjesëmarrësi nëpër salla, lejohet vetëm duke ndjekur rreptësisht rendin zbritës të listës emërore të dërguar nga Agjencia Kombëtare e Provimeve. Vendi i përcaktuar për maturantët apo kandidatët që mungojnë mbetet bosh. Ndalohet ndërrimi i vendeve.

•Gjatë kohës së zhvillimit të provimit drejtorit të shkollës i ndalohet të jetë i pranishëm në mjediset e provimit.

•Ndalohet hyrja në mjediset e provimit e maturantëve/kandidatëve që nuk kanë emrin në listat e AKP-së, nuk janë të pajisur me dokument identifikimi, si dhe e çdo personi tjetër të paautorizuar.

 

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *