Matura Shtetërore 2021/ Ja datat për plotësimin e Formularit A1 dhe A1Z nga maturantët!

Ornela

Javës së ardhëshme nis zyrtarisht Matura Shtetërore 2021. Maturantët do të nisin me procedurat e plotësimit të formularit A1 në datën 17 nëntor, ku dhe do të listojnë lëndën që do të japin si provim me zgjedhje.

Sikundër ka ndodhur në vitet e shkuara, plotësimi i formularëve A1 dhe A1Z do të bëhet sipas datave të përcaktuara për secilën nga katër Drejtoritë Rajonale të Arsimit Parauniversitar: Durrësit, Fierit, Korçës, si dhe Lezhës, kjo me qëllim shmangien e mbingarkimit të sistemit. MASR dhe Qendra e Shërbimeve të Arsimit kanë detajuar tashmë udhëzuesit dhe kalendarin e datave të plotësimit të këtyre dy formularëve nga maturantët e 2021, si dhe ata të viteve të mëprëshme.

Afatet e plotësimit të formularëve
Sipas kalendarit të përcaktuar, të parët që do të nisin me plotësimin e formularit janë maturantët e Tiranës, pëkatësisht në datën 17 nëntor, për të vijuar një ditë më pas edhe me maturantët e Kamzës dhe të Vorës. Në datën 19 nëntor me plotësimin e formularit do të vijojnë maturantët e Rrogozhinës, Kavajës, Durrësit dhe Shijakut, teksa në datën 20 nëntor në sistem do të apikojnë maturantët e Bulqizës, Matit, Klosit dhe Krujës. Më tej në datat 23, 24 dhe 25 nëntor formularin do ta plotësojnë maturantët e Drejtorisë Rajonale të Fierit, për të vijuar më tej në datat 26 dhe 27 nëntor, si dhe në datat në datat 2 dhe 3 dhjetor me maturantët e Drejtorisë Rajonale të Korçës. Të fundit që do të plotësojnë formularin në datat 4 dhe 7 dhjetor janë maturantët e Drejtorisë Rajonale të Arsimit Parauniversitar të Lezhës. Po në këtë datë do të hapet sistemi edhe për maturantët e vjetër, të cilët do të aplikojnë me Formularin A1Z. Plotësimi i këtij formulari do të bëhet në datat 7-10 dhjetor. Në vijim të shkrimit gjeni të detajur kalendarin me datat e plotësimit të formularit për maturantët e çdo rrethi në vend.

Provimet e detyruara dhe me zgjedhje
Edhe për Maturën Shtetërore 2021 katër janë provimet që maturantët do të zhvillojnë. Konkretisht, bëhet fjalë për 3 provime të detyruara, që do të zhvillohen në lëndët: gjuhë shqipe dhe letërsi, matematikë, dhe gjuhë e huaj e parë, si dhe një lëndë që do të jepet si provim me zgjedhje, e cila do të përzgjidhet sipas preferencave të maturantit nga lista zyrtare e miratuar nga MASR për çdo profil shkollor: shkollat e mesme të përgjithëshme, ato artistike, si dhe shkollat profesionale. Sa i takon provimit me zgjedhje, maturanti duhet të zgjedhë këtë lëndë nga lista e 8 lëndëve të miratuara për nxënësit e shkollave të mesme të përgjithshme, 3 lëndë për shkollat artistike, si dhe 38 lëndë për maturantët e shkollave profesionale. Lista e lëndëve që mund të jepen si provim me zgjedhje i gjeni të detajuara në vijim të shkrimit.

Rregullat për Formularin A1
Këtë formular duhet ta plotësojnë të gjithë maturantët që mbyllin studimet e shkollës së mesme përgjatë vitit 2021. Aplikimi do të bëhet online në portalin e Maturës, dhe në çdo rast maturanti do të ndihmohet nga një mësues mbikëqyrës për të shmangur gabimet në plotësimin e tij. Nga lista zyrtare e lëndëve të miratuara, maturanti ka të drejtë që të zgjedhë vetëm një lëndë për ta dhënë si provim me zgjedhje. Për shkollat profesionale bëhet e ditur se teoria profesionale është e zbërthyer sipas indeksit të shkollave. Maturantët e shkollave profesionale lëndën me zgjedhje duhet ta përzgjedhin detyrimisht nga lista që është e përcaktuar vetëm për këtë profil shkollash.

Rregullat për plotësimin e formularit A1 Z
Sipas kushteve të përcaktuara në udhëzuesin e shpallur nga MASR, formularin A1Z duhet ta plotësojnë të gjithë kandidatët që kanë kryer studimet e shkollës së mesme nga viti 2020 dhe në vitet e mëparëshme. Specialistët e arsimit thonë se Formularin A1Z mund ta plotësojnë kandidatët që kanë përfunduar shkollën e mesme që nga ky vit dhe më parë, dhe që kanë detyrim për të dhënë një, ose disa provime të maturës, po ashtu mund ta plotësojnë kandidatët që kanë kryer arsimin e mesëm jashtë vendit, të cilët pasi kanë bërë njehsimin e diplomës në komisionin përkatës të QSHA-së rezulton se kanë detyrimin për të dhënë një, ose disa provime të maturës, si dhe kandidatët që kanë përfunduar shkollën e mesme në Shqipëri ose jashtë vendit që nuk kanë detyrim për të dhënë provime të maturës 2021, por që dëshirojnë të vazhdojnë studimet në universitetet publike, apo private përgjatë vitit të ri akademik.

Edhe në këtë rast, plotësimi i këtij formulari do të ndiqet nga një mësues mbikëqyrës. Këta maturantë do të bëhen pjesë e maturës duke mbartur rezultatet e provimeve të dhëna në vitet përkatëse, si për lëndët e detyruara, ashtu edhe lëndën me zgjedhje.

Kështu, për të bërë plotësimin e formularit A1Z, kandidati duhet të paraqesë tek mbikëqyrësi një vërtetim të lëshuar nga Komisioni i Maturës Shtetërore dhe Zyrës Vendore të Arsimit, i cili pasqyron provimet që ai ka dhënë, si dhe rezultatet që ka marrë në to. Vërtetimi krahas gjeneraliteteve duhet të ketë edhe këto të dhëna: provimet e detyruara dhe notat e përshkallëzuar të marrë në secilin prej tyre, si dhe notën e përshkallëzuar të marrë në provimin lëndës me zgjedhje.

Për maturantët që në maturat e shkuara kanë dhënë provime me zgjedhje dhe rezultojnë kalues në to, bëhet e ditur se nuk kanë më detyrim që të japin provim me zgjedhje. Ata mund të mbartin rezultatin e kësaj lëndë sipas preferencës së tyre.

Ndërsa maturantët që në maturat para 2011-s nuk kanë dhënë provim me zgjedhje nuk kanë detyrim që të japin më këtë lëndë, me përjashtim vetëm të rasteve, në të cilat kjo përcaktohet nga shkollat e larta si detyrim për konkurrim.

Ndërsa kandidatët që kanë përfunduar shkollën e mesme profesionale duhet të mbartin lëndën e teorisë profesionale të integruar nëse e kanë dhënë dhe kanë rezultuar kalues në të, ose duhet që të rihapin këtë lëndë në përputhje me indeksin e profilit të degës nëse nuk kanë dhënë më parë, ose kanë rezultuar mbetës. Kandidatët që kanë përfunduar shkollën e mesme para 2014-s, por që nuk janë pajisur me Dëftesë pjekurie, apo Diplomë mature nuk e japin gjuhën e huaj si provim të detyruar. Pasi kanë fituar provimet e maturës, ata marrin diplomë dhe certifikatën përkatëse. Çdo maturant që nuk rezulton kalues në provimet e maturës në sezonin e muajit qershor ka të drejtë që t’i japë sërish po sipas të njëjtave kushte në sezonin e vjeshtës. Në maturat e para 2020-s, kur maturanti ka dhënë më shumë se një herë një lëndë në provimet me zgjedhje i njihet vetëm rezultati i vitit të fundit.

Lista e lëndëve me zgjedhje për gjimnazet e përgjithshme

1. Kimi
2. Fizikë
3. Biologji
4. Histori
5. Gjeografi
6. Qytetari dhe Psikologji
7. Filozofi dhe Sociologji
8. Ekonomi

Lista e lëndëve me zgjedhje vetëm për shkollat artistike
• Histori Baleti
• Histori Arti
• Histori Muzike

Lista e lëndëve me zgjedhje vetëm për shkollat profesionale
1. Hoteleri-turizëm
2. Shërbime mjetesh transporti
3. Mekanikë
4. Elektroteknike
5. Elektronikë
6. Përpunim Druri
7. Ndërtim
8. Tekstil Konfeksione
9. Tekstil Konfeksione (NABER-ADA)
10. Teknologji Ushqimore
11. Bujqësi
12. Shërbime sociale dhe shëndetësore
13. Instalues i sistemeve termohidraulike
14. Teknologji Kimike
15. Peshkim
16. Detari
17. Gjeologji-miniera
18. Llogari
19. Shërbime Bankare
20. Sipërmarrje e agjencisë turistike
21. Sigurime
22. Tregti
23. Administrim biznesi
24. Rrjete të dhënash
25. Mbështetje të përdoruesve të TIK
26. Zhvillim Ëebsite
27. Rrjete të dhënash (pilot-giz)
28. Inxhinieri informatike softëeresh
29. Silvikulturë
30. Agrobiznes
31. Gjeodezi
32. Veterinari
33. Biznes Harry Fultz
34. Elektronikë Harry Fultz
35. Automekanik Harry Fultz
36. Shërbime Kujdesi për të moshuar, pilot Giz
37. Kërkim shpim dhe shfrytëzim gazi, nafte dhe uji.
38. Shërbime të udhëtimit dhe turizmit.

 

Maturantët e vjetër: Rastet kur mund të mbartet nota e lëndës me zgjedhje:
• Kandidati është pajisur me diplomë dhe ka dhënë 1 lëndë me zgjedhje në Maturën Shtetërore 2020.
• Kandidati është pajisur me diplomë dhe ka dhënë dy lëndë me zgjedhje në vitet e mëparëshme. Nga këto dy lëndë që ka dhënë duhet të zgjedhë njërën prej tyre që mund të jetë ajo me notë më të lartë, ose lënda që i jep më shumë përparësi në degën e universitetit ku dhe do të konkurojë për studimet e larta.
• Kandidati është pajisur me diplomë dhe ka dhënë tre provime me zgjedhje në Maturën Shtetërore të vitit 2012. Nga këto tre lëndë që ka dhënë mund të zgjedhë njërën prej tyre, që mund të jetë ajo me notën më të lartë, ose lënda që i jep më shumë përparësi për të fituar universitetin.
• Kandidati nuk është pajisur me diplomë sepse ka dhënë dy provime me zgjedhje, por ka mbetur në njërën prej tyre, ose kur ka dhënë tre provime me zgjedhje dhe ka mbetur në dy prej tyre. në këto raste ai zgjedh të martë lëndën në të cilën ka notë kaluese dhe pret që të pajiset me diplomë në përfundim të procedurave të Maturës Shtetërore 2021.
• Kandidati është ish maturant i shkollave profesionale dhe ka dhënë dy apo tri provime me zgjedhje ku ndër këto lëndë njëra është teori profesionale, atëherë ai mbart notën e teorisë profesionale, kur ajo është notë kaluese dhe pret të pajiset me diplomë, edhe pse mund të ketë nota jokaluese në lëndët e tjera me zgjedhje që ka dhënë në vitet e mëparëshme.
• Për të gjitha këto raste duhet të bëeni kujdes që gjatë plotësimit të formularit A1Z të plotësoni saktë viti kur është dhënë lënda me zgjedhje.

 

 

Share This Article
1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *