Pranvera Kola
Kur ka mbetur edhe më pak se një javë nga nisja zyrtare e provimeve të Maturës Shtetërore, maturantët po zhvillojnë tashmë konsultimet e fundit në lidhje me përgatitjen që duhet të kenë për testet e këtij viti. Duke qenë se për një periudhë të konsiderueshme kohe mësimi është zhvilluar online si pasojë e pandemisë së Covid-19, në ndihmë të maturantëve, Qendra e Shërbimeve të Arsimit (QSHA) ka shpallur modelet se si do të jenë testet e matematikës dhe gjuhës-shqipe e letërsisë. Nëpërmjet këtyre dy modeleve, maturantët mund të orientohen rreth përmbajtjes dhe llojeve të pyetjeve që do të jenë në tezën finale të provimit të secilës lëndë. Në vijim të shkrimit i gjeni të plota testet orientuese për të dyja këto lëndë, ndërsa skemat e përgjigjeve gjenden të detajuara online në faqen zyrtare të Qendrës së Shërbimeve të Arsimit. Maturantët që për arsye shëndetësore të Covid-19 nuk do të mund të hyjnë në këtë sezon provimesh. Këta maturantë do tëmund ti japin provimet në sesionin e dytë që do të zhvillohet në vjeshtë.
Tezat e provimeve do të kenë në përmbajtje pyetje me alternativa, si dhe pyetje që kërkojnë përgjigje të shtjelluar. Konkretisht, për matemtaikën testi do të ketë në përmbajtje 34 pyetje, 20 prej të cilave do të jenë me alternativa, dhe pjesa tjetër me zhvillim. Ndërsa testi i letërsisë do të ketë në përmbajtje 35 pyetje, ku sërish 20 prej tyre do të jenë me alternativa, ndërkohë që të tjerat kërkojnë përgjigje të zgjeruar. Ndryshe nga një vit më parë, në testin e letërsisë është rikthyer edhe eseja, e cila vlerësohet maksimalisht me 8 pikë. Eseja do të marrë në konsideratë vlerësimin e katër komponentëve kryesorë që janë: shtjellimin e idesë, organizimin dhe strukturën, stilin dhe origjinalitetin, si dhe saktësinë gjuhësore nëpërmjet vlerësimit të sintaksës dhe drejtshkrimit të gjuhës.
Sipas skemës së përcaktuar, çdo test i maturës do të vlerësohet në total me 60 pikë, ndërkohë që për të qenë kalues, maturanti duhet të grumbullojë me përgjigjet e dhëna detyrimisht 25 për qind të pikëve totale të testit (15 pikë). Sa i takon skemës së vlerësimit, sqarohet se nëse për një pyetje keni mbushur dy rrathë, përgjigja për këtë pyetje do të jetë e pavlefshme dhe do vlerësohet me 0 pikë. Kur për një pyetje keni plotësuar alternativën e saktë në test, por nuk e keni shënuar në fletën e përgjigjeve, ajo pyetje do të vlerësohet gjithashtu me 0 pikë. Nëse për një pyetje nuk keni mbushur asnjë alternativë, sërish do të vlerësoheni me 0 pikë.
Provimet do të nisin në datën 3 qershor me testin e detyruar të gjuhës së huaj, për të vijuar në datën 7 qershor me provimin e detyruar të gjuhës shqipe dhe letërsisë, në datën 11 qershor me testin e detyruar të matematikës, si dhe në 15 qershor me provimin e fundit që do të jetë ai i lëndës me zgjedhje. Sipas autoriteteve të arsimit, provimet e detyruara do të mbështeten vetëm në kurrikulën bërthamë. Programet orientuese të provimeve të detyruara (Gjuhë shqipe dhe Letërsi, Matematikë, Gjuhë e huaj) për të gjithë maturantët/kandidatët janë në përshtatje me programet ekzistuese të arsimit të mesëm të lartë. Ndërsa programet orientuese të lëndëve zgjedhje janë të njëjta për të gjithë maturantët që kanë plotësuar formularin A1 dhe A1Z. Programi orientues i lëndëve me zgjedhje përmban programin e lëndës bërthamë dhe atë me zgjedhje.
Maturantët duhet të bëjnë kujdes që të respektojnë edhe rregullat e përcaktuara për zhvillimin e provimeve. Sipas kushteve të përcaktuara në rregulloren e shpallur më herët nga MASR, maturanti dhe kandidati pasi merr testin dhe fletë-përgjigjen kontrollon që ato janë me emrin e tij dhe i nënshkruan. Gjithashtu duhet të kontrolloni me kujdes edhe gjendjen fizike të testit nëse ka probleme dhe është i palexueshëm, apo mungon ndonjë faqe. Nëse vërehen parregullsi ju duhet të kërkoni një test tjetër nga administruesit e provimit. Pasi të merrni testin e ri duhet që të firmosni një deklarate që konfirmon këtë veprim.
Po sipas rregullores së provimeve të maturës, përcaktohet se maturanti do të përjashtohet nga provimi, nëse konstatohet se ka ndryshuar vendin që i është caktuar, merr, jep informacion apo kopje, ose komunikon me maturantë/kandidatë të tjerë, bën komente për përmbajtjen ose zgjidhjen e testit, mban telefon celular, radio ose çdo mjet tjetër komunikimi në mjedisin e provimit, refuzon kontrollin nga ana e administratorëve gjate hyrjes në qendrën e provimit.
Ndërsa në rastet të tilla nuk njihet rezultati i provimit: kur përdor laps, stilolapsa me ngjyra jo si atë të përcaktuar në rregulloren e provimit, nëse ka hequr ose dëmtuar kodin e sekretimit të testit (barkodin), nëse ka dëmtuar testin (palosur, zhubrosur, grisur, vendosur shenja të dallueshme dhe të veçanta), të evidentuara në procesverbal, nëse vërtetohet kopja, e pjesshme, ose e plotë, gjatë procesit të vlerësimit dhe konfirmohet nga Kopoted, si dh kur është marrë masa e përjashtimit nga provim.
Datat e provimeve të Maturës 2021:
- Provimi i gjuhës së huaj do të zhvillohet në datën 3 qershor.
- Provimi i gjuhës shqipe dhe letërsisë do të zhvillohet në datën 7 qershor.
- Provimi i matematikës do të zhvillohet në datën 11 qershor.
- Provimi i lëndës me zgjedhje do të zhvillohet në datën 15 qershor.
