Maturantët do kandidojnë në disa degë

Dita
Maturante te shkolles Arben Broci, duke dale pas provimit te Letersise, per Maturen Shteterore.

Autoritetet e arsimit bëjnë me dije se procesi i aplikimit për të fituar studimet e larta do bëhet direkt e në universitet, e jo më nga AKP. Konkurset e pranimit mbeten të vlefshme vetëm për degët e Universitetit të Arteve dhe atij të Sporteve. Nuk do të ketë ndryshime sa i takon zhvillimit të provimeve të detyruara dhe atyre me zgjedhje të maturës. Llojet e institucioneve ku do të aplikohet për studime të larta gjatë vitit të ri akademik 2016-2017

***

Pranimet në degët e arteve dhe të sporteve, edhe për vitin e ri akademik do vijojnë të bëhen nëpërmjet konkurseve. Për shkak të natyrës specifike të këtyre degëve, konkurset vlerësohen si forma më e mirë e përzgjedhjes së maturantëve që gëzojnë formimin e duhur për ndjekjen e studimeve të larta në një nga degët e fakulteteve të Universitetit të Arteve, si Universitetit të Sporteve. Një ditë pas shpalljes nga Universiteti i Tiranës, të procedurave që do të ndiqen për fituesit e rinj të  itit akademik 2016-2017, dikasteri i arsimit ka sqaruar maturantët në lidhje me mënyrën se  ku, dhe si do të aplikohet për të fituar studimet e larta, si dhe ndikimin që do të kenë pesë provimet e Maturës Shtetërore dhe plotësimi i formularit A1. Në një takim të zhvilluar gjatë ditës së djeshme me maturantët e shkollës së mesme, “Arben Broci”, ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, ka pohuar se nuk do të jetë më Agjencia Kombëtare e Provimeve që do të bëjë rankimin e fituesve, apo që do të monitorojë procesin e përzgjedhjes së preferencave. Pas njohjes me kriteret e shpallura nga institucionet e arsimit të lartë, maturantët do të vendosin vetë se në cilin prej universiteteve duan të aplikojnë për të fituar degën e preferuar. Sipas përcaktimeve të bëra, maturantët mund të aplikojnë në disa universitete dhe në varësi të përmbushjes së kritereve, do të përcaktohet edhe dega se ku do të vijojnë studimet. Një tjetër risi e këtij viti, ka të bëjë edhe me procesin e plotësimit të formularit A1, që është hapi bazë i aplikimit për ndjekjen e studimeve universitare. Sipas ministres së Arsimit, ajo që ndryshon këtë vit është mënyra e aplikimit për të ndjekur studimet në institucionet e arsimit të lartë, ku risi është plotësimi i formularit A1 nga të gjithë maturantët, edhe nga ata që do vijojnë studimet në universitete publike, por edhe nga ata që dëshirojnë të studiojnë në universitete private. Kush nuk plotëson këtë formular, sipas rregullave të vendosura mbetet jashtë garës së ndjekjes së studimeve të larta. “Nuk do të jetë më Agjencia Kombëtare e Provimeve ajo që do të bëjë renditjen sipas profileve të caktuara në universitet. Ju si maturantë do të vendosni vetë, në bazë të kritereve që universitetet përcaktojnë, se ku doni të ndiqni studimet tuaja. Keni të drejtë të shkoni dhe të regjistroheni në disa universitete, aty ku ju mendoni që plotësoni kriteret e shpallura prej këtyre të fundit”, ka sqaruar ministrja Nikolla për maturantët që janë në prag të nisjes së përgatitjeve finale për provimet e maturës, si dhe hapave të mëtejshme për ndjekjen e studimeve të larta. Ligji i ri i Arsimit të Lartë e detyron MAS-in që të përcaktojë përmes një vendimi të Këshillit të Ministrave, vetëm nivelin dysheme të notës mesatare që duhet për të hyrë në universitet. Aktualisht, universitetet kanë çuar në MAS kriteret e tyre për mënyrën dhe detyrimin që do të kenë maturantët për të aplikuar në universitet. Këto kritere kanë nisur tashmë të bëhen publike nga vetë universitetet, ndërkohë që brenda një harku të shkurtër kohor do të dërgohen në çdo shkollë të vendit për, t’ua bërë të ditura në mënyrë të detajuar edhe të gjithë maturantëve. “Çdo universitet ka të drejtë të përcaktojë kritere të tjera përveç mesatares dysheme që vendos qeveria. Ne jemi duke biseduar me universitetet në mënyrë që kriteret që ata përcaktojnë dhe vendimmarrja e qeverisë mos të cenojë asnjë prej maturantëve që kërkon dhe ka meritën për të studiuar në institucionet e arsimit të lartë”, ka shtuar më tej ministrja Nikolla. Sa i takon shpalljes së fituesve, theksohet se maturantët nuk do të presin më muajin shtator, për të parë se në cilën degë janë përzgjedhur. Shpallja e listave fituese do të bëhet që në muajin korrik. Grupi i ekspertëve në MAS po diskuton rreth nivelit të mesatares që do të përcaktohet si kriter hyrës në universitet për çdo kandidat që mbaron me sukses studimet e shkollës së mesme. Maturantët që do të jenë me mesatare më të ulët se sa niveli dysheme, nuk do mund të aplikojnë për studimet në shkollat e larta, por do të shohin mundësi të tjera formimi të arsimit profesional, për të cilat tregu i punës gjatë viteve të fundit ka shfaqur kërkesa të shumta.

Maturantët duhet të kalojnë detyrimisht në 5 provimet e maturës

Provimet me zgjedhje dhe ato të detyruara do vijojnë të jenë pjesë  e rëndësishme e mbarimit të shkollës së mesme. Maturantët duhet që të kalojnë detyrimisht në këto provime, nëse duan të pajisen me Diplomën e Maturës, e cila i hap udhë më pas procesit të konkurrimit në shkollat e larta publike, apo private të vendit. Gjatë diskutimeve të zhvilluara me maturantët, ministrja Nikolla theksoi se për provimet e Maturës Shtetërore, në procedurë nuk do të ndryshojë asgjë as këtë vit, kjo veçanërisht sa i përket procesit të miradministrimit të tyre, dhe zhvillimit të pesë provimeve të detyruara dhe me zgjedhje. “Asgjë nuk ndryshon në punën tuaj dhe energjitë tuaja për Maturën Shtetërore. Ashtu siç e dini, që kur keni hyrë në gjimnaz, se në fund të vitit të tretë do të keni provimet e Maturës Shtetërore, e njëjta gjë do të jetë edhe këtë vit. Pra, do të keni provimet e detyruara dhe provimet me zgjedhje, për të cilat ju po vijoni përgatitjen. Këto testime, do të jenë provime dalëse, pra provime që vetëm certifikojnë përmbylljen e një faze të rëndësishme të formimit tuaj në gjimnaz”, ka theksuar ministrja Nikolla, duke nënvizuar se rezultatet e tyre nuk do të kenë më ndikim vendimtar në përzgjedhjen e degëve, ku maturanti kërkon të ndjekë studimet e larta. Gjatë ditëve të vijim do të bëhen publike edhe kriteret shtesë që do të aplikojnë universitetet e tjera të vendit, në përzgjedhjen e studentëve të rinj që duan të kenë në auditore gjatë vitit të ri akademik.

 

 

Institucionet ku do të apikohet për ndjekjen e studimeve të larta

Maturantët që plotësojnë kriterin e mesatares së vendosur, do të konkurrojnë për të fituar studimet në disa lloje institucionesh të arsimit të lartë që janë: “Universitetet, Kolegjet Universitare, Akademitë dhe Kolegjet Profesionale të Larta”. Secila prej këtyre institucioneve ofron cikle të ndryshme studimi, të cilat klasifikohen sipas kohëzgjatjes dhe nivelit të krediteve.

 

Universiteti

Universiteti është institucion i arsimit të lartë që vepron në fushën e arsimit, kërkimit shkencor, veprimtarive krijuese dhe profesionale. Universiteti përfaqëson një strukturë të integruar dhe të përbërë nga njësi kryesore, njësi bazë dhe njësi të tjera, sipas përcaktimeve të statutit të institucionit dhe duhet të ketë në përbërje së paku tri fakultete. Sipas përcaktimeve të vendosura në ligjin e ri të arsimit të lartë, universiteti ofron arsimim të lartë, zhvillim të dijeve, të shkencës, të inovacionit dhe të profesioneve, zhvillon kërkim shkencor bazë e të zbatuar, veprimtari krijuese, ofron shërbime dhe ushtron veprimtari të tjera, në përputhje me fushat e programeve të studimit, me këtë ligj dhe me statutin e tij, si dhe mbështet aftësimin e personelit akademik në funksion të misionit të tij. Në këto institucione të arsimit të lartë do zhvillohen programe studimi në të gjitha ciklet e studimeve, si dhe programe studimi me karakter tërësisht profesional.

Akademia

Ligji përcakton se akademia është institucion i arsimit të lartë i profilizuar, që vepron në fushën e arsimit të lartë dhe të kërkimit shkencor, veprimtarive krijuese dhe profesionale. Ky lloj institucioni i arsimit të lartë, përfaqëson një strukturë të përbërë nga të paktën një fakultet. Në përputhje me fushën përkatëse të kompetencës, akademia mund të ofrojë programe të studimeve në të gjitha ciklet e studimit, si dhe programe studimi me karakter profesional. Akademia mund të realizojë kërkim shkencor bazë dhe të zbatuar, shërbime, si dhe ushtron veprimtari të tjera, bazuar në këtë ligj dhe në statutin e saj.

Kolegji Universitar

Kolegji universitar është institucion i arsimit të lartë që vepron në fushën e arsimit, kërkimit shkencor, veprimtarive krijuese dhe profesionale. Kolegji universitar duhet të ketë në përbërje të tij, së paku dy fakultete, të cilat do të mundësohet zhvillimi i dijeve të shkencës, të inovacionit dhe të profesioneve të caktuara. Kolegji mund të zhvillojë kërkim shkencor, veprimtari krijuese, ofron shërbime, si dhe ushtron veprimtari të tjera, në përputhje me fushat e programeve të studimit, si dhe mbështet aftësimin e personelit akademik në funksion të misionit të tij. Sipas kushteve të vendosura në ligj, kolegji universitar ofron programe studimi në ciklin e parë dhe të dytë të studimeve, si dhe programe studimi me karakter profesional.

Kolegji profesional i lartë

Kolegji profesional i lartë është institucion i arsimit të lartë me orientim profesional, që përgatit profesionistë me aftësi praktike, dhe ky institucion duhet të përfaqësojë një strukturë të përbërë nga së paku dy departamente. Ky lloj kolegji kryen veprimtari mësimore dhe trajnuese, që zgjasin një ose dy vite akademike me ngarkesë përkatësisht 60 ose 120 kredite dhe që finalizohen me lëshimin përkatësisht të një certifikate ose diplome profesionale. Kolegji profesional i lartë mund të ngrihet edhe pranë institucioneve të arsimit të lartë, që kanë statusin e universiteteve dhe kolegjeve universitare. Në këto raste ai konsiderohet si njësi kryesore e institucionit. Në të gjitha rastet e tjera kolegji profesional i lartë konsiderohet njësi e veçantë e arsimit të lartë. Do të jetë Këshilli i Ministrave që do të përcaktojë mënyrën e organizimit dhe funksionimit të këtyre kolegjeve.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *