Maturantët e 2015-s regjistrohen të parët në sistem

redaktor

Plotësimi online i formularëve A1 dhe A1Z do të realizohet në dy faza të ndryshme. Grupi i ekspertëve të maturës bën me dije se të parët që do të regjistrohen në sistemin online të provimeve të Maturës Shtetërore do të jenë nxënësit që janë në prag të mbylljes së shkollës së mesme. Çka do të thotë se maturantët e viteve të shkuara nuk mund të aplikojnë në sistemin që i rikthen ata sërish në garë për ndjekjen e studimeve të larta në një nga fakultetet publike, pa mbaruara më parë procesi i regjistrimit për maturantët e 2015-s. Këta të fundit duhet të plotësojnë formularin A1, ku regjistrojnë edhe dy lëndët që do të jepen si provime me zgjedhje, duke përcaktuar në këtë formë edhe orientimin e tyre në lidhje me programet universitare ku duan të vijojnë ndjekjen e shkollës së lartë. Më pas maturantët “e vjetër” do të iniciojnë procesin e plotësimit të formularit A1Z, me të cilin mund të garojnë për të fituar studimet e larta, duke mbarur rezultatet e provimeve me zgjedhje të marra gjatë viteve të shkuara, kur janë vlerësuar me nota kaluese, si dhe duke përzgjedhur një ose dy lëndë të tjera që do të jepen si provim me zgjedhje nëse kanë rezultuar mbetës në sezonet e mëparshme të maturës. Procesi i regjistrimit do të kryhen në portalin online të qeverisë, http://www.e-albania.al/, ku në vendin e posaçëm të maturës, tashmë janë hedhur online udhëzuesit dhe lëndët me kreditet përkatëse, nga të cilat maturantët do të listojnë në bazë të preferencave dy lëndët që duan të japin si provime me zgjedhje. Gjatë kësaj jave MAS dhe Agjencia Kombëtare e Provimeve pritet të shpallin listën zyrtare të koeficienteve që janë përcaktuar për të gjitha profilet e shkollave të mesme në vend, si dhe koeficientet e detajuar për lëndët me zgjedhje nga vetë strukturat e arsimit të lartë. Me zbardhjen e këtyre koeficienteve dhe tabelës së indekseve për drejtimin e shkollës së mesme, maturantët kanë në dispozicion të gjithë informacionin e nevojshëm për të bërë aplikimin online në formularin A1 dhe A1Z, duke renditur dy lëndët favorite që mund t’i çojnë ata drejt universitetit të preferuar. Pas datës 10 mars, portali qeveritar online do të jetë i aksesueshëm për të gjithë maturantët e 2015-s, të cilët në bazë të një planifikimi të organizuar sipas datave të përcaktuara për të gjitha rrethet, do të fillojnë plotësimin konkret të dhënave të kërkuara në përmbajtje të formularit. Autoritetet e arsimit sqarojnë se për të bërë një plotësim të vlefshëm maturantët duhet të jenë konsultuar më parë me koeficientet e çdo lëndë, në mënyrë që pikët e fituara në fund të jenë sa më të larta. Grupi i punës po përgatit kalendarin e plotësimit online të plotësimit të formularit për të dyja kategoritë në datat 15-30 mars, dhe i detajuar sipas rretheve. Ndërkohë që një kopje e formularit të plotësuar, i printuar do të dorëzohet edhe në shkollën e mesme të maturantit, me qëllim që shkollat të kenë në dispozicion të gjitha të dhënat, në rastet e situatave të papritura me mungesën e informacionit që mund të shfaqen në sistemin online. Maturantët duhet të jenë të kujdesshëm që në momentet e plotësimin online të kenë pranë tyre kartën e identitetit, si dhe telefonin celular, ku dhe do të njoftohen për kodin identifikues që do të përdorin përgjatë gjithë procesit të maturës 2015.

Njohja mirë e udhëzimeve të regjistrimit

Maturantët duhet të konsultohen mirë me dy udhëzimet, në të cilat përcaktohen kushtet se si duhet të rendisin dy provimet me zgjedhje. Kjo pasi rregullat janë të ndryshme për shkollat e mesme të profileve shoqërore dhe natyrore, si dhe atyre profesionale, apo artistike. Maturantët e shkollave profesionale nga lista e 27 lëndëve me zgjedhje që janë të aksesueshme për të gjithë, duhet të zgjedhin vetëm një, ndërsa tjetrën e kanë me zgjedhje të detyruar, e që është “Teoria profesionale”, sipas llojit dhe drejtimit të shkollës së mesme që kanë kryer. Plotësimi është i pavlefshëm nëse në formular këta maturantë regjistrojnë si provime me zgjedhje dy lëndë që kanë të drejtë të përzgjedhin maturantët e shkollave joprofesionale. Kur jepen si provime me zgjedhje, gjuhët e huaja vlerësohen me nivelin më të lartë të krediteve. Sipas listës së miratuar të shtata lëndët e gjuhëve të huaja që do jepen si provime me zgjedhje vlerësohen me 10 kredite secila.

Degët me konkurs

Për degët e sporteve dhe arteve, për të fituar të drejtën e studimeve nuk do të jenë të mjaftueshme rezultatet e provimeve të Maturës Shtetërore. Peshën kryesore në përzgjedhjen e fituesve që do të mund të ndjekin këto programe universitare do ta kenë pikët që kandidatët do të marrin në konkurset specifike që do të zhvillohen nga vetë fakultetet në muajt gusht dhe shtator. Rezultatet e këtyre konkurseve zënë mbi 60 për qind të peshës në përzgjedhjen e kandidatëve fitues, pjesa e mbetur i takon pikëve të fituara nga provimet e maturës.

Lëndët dhe kreditet për maturantët e 2015

Sipas rregullave të sanksionuara në udhëzimin e provimeve, maturantët e 2015-s duhet përzgjedhin nga lista e 27 lëndëve të përcaktuara, dy prej tyre për t’i dhënë si provime me zgjedhje, por duke respektuar kushtin për kreditet e vendosura. Lëndët mund të përzgjidhen, pavarësisht faktit nëse maturanti i ka zhvilluar në programin mësimor të shkollës që ka ndjekur. Kundrejt kushteve të përcaktuara për kreditet, në listimin e dy provimeve me zgjedhje, udhëzimi përcakton se: “Shuma e krediteve të 2 lëndëve nuk duhet të jetë më e vogël se sa 8 kredite. Maturantët që ndjekin shkollën e mesme të profilit artistik, duhet të përzgjedhë njërën lëndë nga profili i shkollës së tyre, dhe tjetrën nga grupi i lëndëve të përcaktuara për të gjitha shkollat e tjera të mesme”.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *