Maturantët kundërshtojnë notat e letërsisë, nisin protestat tek MAS

anazapta

Dhjetëra maturantë nga shkolla të ndryshme të kryeqytetit kanë protestuar gjatë paradites së djeshme para Ministrisë së Arsimit, pasi janë të pakënaqur me notat e marra në provimin e detyruar të letërsisë dhe gjuhës-shqipe. Dy ditë pas shpalljes së notave, dhe skemës zyrtare të pikëve që i korrespondojnë notës, maturantët kanë kërkuar rishikimin e testit, pasi në bazë të vetëkontrollit të përgjigjeve të dhëna me ato të çelësit të shpallur nga MAS, kanë vënë re se janë vlerësuar me më pak pikë se sa meritojnë në bazë të përgjigjeve të dhëna. Maturantët theksuan se nuk do të ndalen me protestat deri në rishikimin e rezultateve të tyre. “Si është e mundur që i kam bërë të gjitha saktë sipas çelësit, të marr notën 7. Ndërsa një tjetër maturant në shkollën time që ka plotësuar vetëm alternativat është vlerësuar me notë më të lartë se sa 8. Kjo është thjeshtë e pashpjegueshme, duket se testet tona nuk janë parë fare”, ka deklaruar njëra nga maturantet protestuese. Maturantët e tjerë protestues kanë deklaruar se në rast se nuk do të marrin përgjigjen e duhur nga ministria për rishikimin e testit, atëherë nga dita e nesërme pritet të iniciojnë protestat, të cilat dot jenë masive pasi do të kërkohet pjesëmarrja e maturantëve të të gjitha shkollave në kryeqytet dhe atyre në rrethe. Në procedurat e shpjeguara nga Ministria e Arsimit sqarohet se maturantët mund të kërkojnë tërheqjen e kopjes së testit të korrigjuar së bashku me pikët e marra për çdo përgjigje të dhënë. Procedurë kjo, e cila kryhet duke dorëzuar një kërkese pranë shkollës ku maturanti ka dhënë provimin nga data 20 deri në 25 qershor. Do jetë më pas shkolla, e cila me Drejtorinë Rajonale të Arsimit, do kryejë procedurat e tjera deri në tërheqjen e fotokopjes së testit të korrigjuar. Procedurë, e cila maturantëve do t’u kushtojë shumë kohë pritjeje pasi kopjet e testeve të korrigjuara nuk do të mund t’i tërheqin dot para datës 30 korrik. Po gjatë ditës së djeshme në faqen e saj zyrtare, Ministria e Arsimit ka sqaruar sërish se nuk do të ketë rishikim të  testit po vetëm ndreqje të gabimeve teknike, çka ka shtuar zemërimin tek maturantët. “Agjencia Kombëtare e Provimeve dërgon në komisionet e maturës së çdo shkolle fotokopjet e testeve brenda datës 30 korrik 2014. Bazuar po në rregullore, AKP nuk bën rishikim të testeve, por vetëm në rastin e gabimeve teknike (sekretime gabim, hedhje pikesh, gabim). Theksojmë, maturanti ose kandidati ka të drejtë të kërkojë fotokopjen e testit te tij pas përfundimit të gjitha provimeve”, sqarohet zyrtarisht nga MAS. Vetëm tre maturantë kanë marrë pikët maksimale në testin e letërsisë, teksa aktualisht vijon korrigjimi i provimeve të matematikës. Provimet me zgjedhje në datën 18 qershor janë edhe prova e fundit që duhet të kalojnë maturantët për të nisur pastaj procedurën zyrtare të aplikimit për në universitetet publike.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *