Provimet e detyruara as këtë vit nuk i kanë shpëtuar kritikave të maturantëve. Provimi i dytë i maturës i zhvilluar pak ditë më parë në lëndën e letërsisë dhe gjuhës shqipe ka ngjallur pakënaqësi të shumta në radhët e nxënësve.
Dhjetëra maturantë kanë protestuar ditën e djeshme para Ministrisë së Arsimit, ku dhe kanë theksuar se testi kishte në përmbajtje pyetje dhe fragmente që nuk i kishin zhvilluar në programin e tyre mësimor. Sipas, maturantëve përmbajtja e testit ishte më e vështirë nga sa ishte deklaruar, pasi në përmbajtje kishte pyetje jashtë programit, ndërkohë që edhe pyetjet me alternativa ishin të vështira, duke mos lënë hapësira për nxënësit e nivelit mesatar. Gjatë protestës maturantët pohuan se fragmenti i shkëputur nga teksti joletrar kishte probleme të shumta.
“Shumë pyetje nuk kishin lidhje me tekstin dhe nuk testonin njohuritë tona gjuhësore. Çelësi i përgjigjeve na penalizon, shumica e nxënësve janë të shkëlqyer dhe skema e vlerësimit e shfaqur i penalizon me ulje të pikëve që duhen për të fituar universitetin”, deklaruan maturantët e pakënaqur me përmbajtjen finale të testit. Ata i kanë dërguar një letër MAS-it, lidhur me parregullsitë e vërejtura në test, duke kërkuar që gjatë procesit të korrigjimit të bëhen lëshime.
Kundrejt shqetësimeve të ngritura nga maturantët, drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Provimeve, Rezana Vrapi ka theksuar se përmbajtja e testit është hartuar në përputhje me të gjitha përcaktimet e detajuara në programin orientues.
Ajo pohon se përmbajtja e testit përfshinte pyetje për të tria nivelet e vështirësisë, nga niveli më i ulët, tek ai mestar, si dhe pyetje që konsiderohen të vështira, por që shërbejnë për të bërë identifikimin përkatës ndërmjet maturantëve të notës 8, 9 apo të 10-ës.
Megjithatë, Vrapi ka qetësuar më tej maturantët, se skema e vlerësimit e shpallur vetëm pak orë pas mbarimit të provimit nuk është përfundimtare. Çka do të thotë se maturantët nuk duhet të shqetësohen, pasi nëse përgjigja e tyre është në logjikën e variantit të hedhur në skemën e vlerësimit, atëherë komisioni i korrigjimit nuk do ta penalizojë me ulje të pikëve.
Gjithashtu nuk do të ketë reduktim pikësh as në rastet kur maturanti nuk është përgjigjur fare pyetjes, apo kur ka dhënë përgjigje të gabuar. “Testi është hartuar brenda të gjitha kritereve të përcaktuara më parë në program.
Natyrisht që ka pyetje të nivelit të lartë të vështirësisë, sepse duhet të bëhet diferenca mes maturantëve të notës 8,9 apo 10, dhe nuk pretendohet që një nxënës i pesës apo gjashtës të hyjë në këtë grup pyetjesh dhe t’i zgjidhi ato.
Çelësi nuk është skemë përfundimtare, pasi është e pamundur të ndërtosh një skemë të tillë me natyrën e provimit.
Kemi të bëjmë me një skemë thjeshtë orientuese dhe ne gjithmonë vendosim shënime që pranohen si përgjigje nga komisioni i korrigjimit, të gjitha rastet kur gjykohen të sakta dhe që janë në të njëjtën linjë me ato të shprehura në skemën e shpallur.
Ne do t’i shqyrtojmë me shumë kujdes dhe do japim përgjigjen tonë në lidhje me të dy peticionet e bëra”, ka theksuar gjatë ditës së djeshme drejtuesja e AKP-së, Rezana Vrapi.
