Mërgim Mavraj dhe tifozët e Greuther Furth kanë shprehur pakënaqësitë ndërsjellë dhe kjo mund të sjellë ndarjen përfundimtare të mbrojtësit kuqezi me skuadrën e rrezikuar. Të shtunën, Furth u mund 0-3 në shtëpi nga Hofenhajmi, rival direkt në luftën për mbijetesë, dhe tifozët e kanë kontestuar skuadrën e lojtarët, të pakënaqur me paraqitjen dhe rezultatet. Ata nxorën një parullë ku shkruhej: “Rënia nuk është problem. Por, doni të ikni duke u tallur?”. Përveç kësaj, në minutat e fundit të ndeshjes, tifozët brohoritën tri herë “gol” në mënyrë ironike për dështimin e lojtarëve në fushë. Mavraj, i cili është kapiten i skuadrës, ka reaguar në emër të saj, duke u kujtuar tifozëve arritjet e vitit të kaluar, kur u sigurua ngjitja në ligën e parë. Sipas kapitenit, skuadra i ndan edhe hidhërimet, jo vetëm gëzimet, me tifozët, të cilët duhet ta përkrahin edhe në ditë të keqe. “Kjo skuadër nuk e meriton turpërimin nga tifozët tanë pas gjithë asaj që kemi bërë gjatë këtij viti”, tha Mavraj për parullën e nxjerrë nga tifozët dhe brohoritjet ironike. “Kemi festuar së bashku dhe, nëse biem, duhet të jemi përsëri bashkë”. Kritika e bërë nga kapiteni i ka zemëruar edhe më tepër tifozët, të cilët kanë shkruar në internet duke i vënë në dukje largimin e mundshëm te Mainci. Sipas asaj që shkruajnë tifozët, Mavraj nuk do të jetë me skuadrën përsëri në ligën e dytë, ndaj nuk ka arsye pse të bëjë thirrje për të qëndruar së bashku. Lojtari shqiptar, i lindur në Danau të Gjermanisë, është kërkuar nga disa skuadra të Bundesligës, si Shtutgarti e Hofenhajmi, por destinacioni më i mundshëm përflitet Mainci. Aty ai do të zëvendësojë Jan Kirchof, i cili në verë shkon te Bajerni i Munihut.
