Finalizohet operacioni “Montana”, ku janë arrestuar në flagrancë 2 shtetas për veprat penale “Shfrytëzim prostitucioni”, “Mbajtje e ambienteve për prostitucion”, “Heqje e paligjshme e lirisë së personit”, “Shkaktim i vetëvrasjes”.
Në pranga kanë rënë shtetasit Filip Shtjefni (me nofkën Tony Montana), 49 vjeç, banues në fshatin Gramsh, Lezhë dhe Lula Marku, 47 vjeçe, banuese në Lezhë . Operacion i nisur nga procedimi penal proaktiv bazuar në informacione të siguruara në rrugë operative si dhe në denoncimin e bërë nga shtetasja E.M., ndaj Filip Shtjefnit, i cili u shpall në kërkim me datë 18 korrik 2016 për veprat penale “Heqje e paligjshme e lirisë” dhe “Dëmtime të tjera me dashje”.
“Më mbanin peng tek lokali dhe më shfrytëzonin për prostitucion. Prej gjendjes së rëndë psikologjike kam tentuar që të vrasa veten”, ka thënë E.M., përpara policisë.
Pas marrjes së dëshmisë, grupi hetimor nisi hetimet dhe rezultoi se dy të arrestuarit e lartpërmendur në bashkëpunim me njëri- tjetrin, posedonin një lokal në Lezhë, të cilin e përdornin për shfrytëzim prostitucioni, duke shfrytëzuar shtetasen E.M., e cila pas kësaj ngjarje ka tentuar të vrasë veten. Materialet u referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë dhe Tiranë për veprat e lartpërmendura.
