Lëvizja VETËVENDOSJE ka organizuar sot në Tiranë tryezën e dytë me titullin “Shqiptarët dhe integrimi evropian”, si vazhdim i tryezës të mbajtur më 15 maj 2018 në Prishtinë me po të njëjtin titull e temë. Ashtu si në Prishtinë, edhe në këtë tryezë morën pjesë akademikë, studiues, artistë, gazetarë, aktivistë të shoqërisë civile, profesionistë të fushave të ndryshme dhe përfaqësues të subjekteve politike.
Tryeza u hap nga kryetari Albin Kurti, i cili, ndër të tjera, shpjegoi edhe 5 konkluzat e dala nga tryeza në Prishtinë: (1) nevoja për një proces integrimi që shihet e vlerësohet si proces i bërjes anëtar dhe jo i vajtjes në BE; (2) rëndësia strategjike e integrimit të njëkohshëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor; (3) zhvillimi ekonomik dhe drejtësia si prioritet; (4) harmonizimi i një politike të jashtme të përbashkët Shqipëri-Kosovë dhe e shqiptarëve në përgjithësi; dhe (5) puna me pesë shtetet anëtare të BE-së që ende nuk e njohin Kosovën.
Pjesëmarrësit e tryezës në Tiranë shprehën dakordësinë me konkluzat e nxjerra nga tryeza në Prishtinë, duke shtuar edhe konluaza të tjera si në vijim:
- Çështjet kombëtare as nuk shuhen dhe as nuk marrin zgjidhje përfundimtare me integrimin në BE. Rasti aktual i Katalunisë në Spanjë është shembull që e vërteton këtë fakt.
- Një nga pengesat më të mëdha të integrimit të shqiptarëve në procese më të gjera, përfshirë atë në BE ka qenë statu quo-ja në përfaqësimin politik shqiptar, e cila duhet të ndryshojë duke ndryshuar edhe cilësinë e përfaqësuesve në Parlamente.
- Keqkuptimi dhe keqinterpretimi i Bashkimit Evropian vetëm si proces teknik nga jashtë dhe si mbikëqyrje formale standardesh nuk e ka lejuar shoqërinë shqiptare të shprehet aktivisht në bazë të elementeve dhe aftësive përbërëse të integrimit.
- Një nga shtysat më të rëndësishme të integrimit evropian nis me njohjen sa më të plotë të aftësive si kolektivitet kombëtar, dh jo si përdorim instrumental i aktorëve civilë, politikë dhe ndërkombëtarë.
- Bashkërendimi dhe bashkimi i tregjeve dhe prodhimeve të Kosovës e Shqipërisë.
- Integrimi kulturor mbarëkombëtar është domosdoshmëri që duhet të realizohet paralelisht me integrimin evropian.
- Platforma e çështjes kombëtare nuk mungon, siç këmbëngulet në të folurin mbizotërues, por ajo është shpallur që në Lidhjen e Prizrenit, ndaj sot nuk duhet të reduktohet në ekskluzivitet qeveritar, por në një akt të përbashkët intelektual politik.
Në të dy tryezat e organizuara deri më sot për këtë temë, nga Lëvizja VETËVENDOSJE!, është dalluar qartë nevoja e madhe që kanë shqiptarët për të diskutuar hapur e përmbajtësisht lidhur me integrimin evropian, përtej formulave gjuhësore të ngurta e të përcipta, teknike dhe burokratike, që përdoren shpesh për këtë temë nga elitat politike shqiptare dhe zyrtarët e BE-së në vendet tona. Ne do të vijojmë të mundësojmë diskutimin pa komplekse sipas idesë dhe jo sipas interesave të ngushta që e zhbëjnë vetë politikën.
l.h/ dita

Llafe gjithshqiptare, besa, boll te bukura motit.
Albin islamisti prej jush nuk. Na fusin ne europe
QE NUK DO TE NDODHE KURRE.