Vijojnë kontrollet e banesave në rrethin e Tepelenës për të sekuestruar armët e zjarrit dhe municionet luftarake. Arrestohet në flagrancë një shtetas pasi ju gjetën 148 fishekë pistolete, 520 copë fishekë kallashnikovi, si dhe dy bajoneta .
Në vijim të masave të marra në lidhje me ngjarjen e ndodhur më datën 14.01.2013 , ku u grabit me armë një autobuz me pasagjerë , Drejtoria e Policisë së Qarkut Gjirokastër ka hartuar një plan masash me qëllim kontrollin e të gjitha ambjenteve dhe banesave të dyshuara se mund të ketë armë zjarri dhe municione , si dhe rritjen e prezencës se uniformave blu në rrugët nacionale të qarkut Gjirokastër për parandalimin e ndonjë ngjarje tjetër dhe rritjen e sigurisë në rrugë për qytetarët.
Në këtë kuadër si dhe në vjim të kontrolleve të shumta të bërë gjatë dy ditëve të fundit, më datën 15.01.2013 , në fshatin Mamaj të rrethit Tepelenë , Specialistët e Sektorit Kundër Krimeve të Rënda në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër , forcat e Komisariatit të Policisë Tepelenë në bashkëpunim edhe me forcat e Komisariatit të Policisë Gjirokastër kanë ushtruar kontrolle të shumta në ambjente të dyshuara por edhe në banesa ku nga kontrolli ka rezultuar se në banesën e shtetasit Luan Bërxhi, i datëlindjes 1958 , lindur dhe banues në fshatin Mamaj të rrethit Tepelenë u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale një sasi municionesh luftarake si dhe dy armë të ftohta dhe konkretisht:
148 copë fishekë luftarakë të kalibrit 7.62 mm, 520 copë fishekë luftarakë model 56, si dhe dy bajoneta.
Shtetasi Luan Bërxhi është shoqëruar në ambjentet e Komisariatit të Policisë Tepelenë ku në përfundim të veprimeve të para hetimore të kryera nga Specialistët për Parandalimin dhe Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Tepelenë është bërë arrestimi i tij në flagrancë .
Arrestimi i këtij shtetasi u bë për veprat penale të “prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake”, si dhe “prodhim dhe mbajtie pa leje të armëve të ftohta”, vepra këto të parashikuara nga nenet 278 e 279 të Kodit Penal.