Shkojnë drejt mbylljes regjistrimet për pranimet e reja në kopshtet dhe çerdhet e Tiranës. Ndryshe nga vitet shkuara, regjistrimet për 2013-ën janë shoqëruar me një fluks të lartë kërkesash, çka ka detyruar drejtuesit e strukturave të arsimit që të mbipopullojnë grupet e nxënësve. Burime pranë drejtorisë bëjnë me dije se në shumë prej kopshteve të kryeqytetit janë formuar grupe me më shumë se 40 nxënës, duke lënë të nënkuptojnë se ka edhe shumë grupe me 50-55 nxënës. Kjo për arsye të këmbënguljes së prindërve për të regjistruar fëmijët e tyre në kopshtet dhe çerdhet publike të Tiranës, duke qenë se fatura e privatit mbetet e papërballueshme për ta. Mungesa e ambienteve ka detyruar që shumë prindër të mos përfundojnë dot regjistrimin e fëmijës në kopshtet e çerdhet publike duke i lënë ata në listat e pritjes. Zgjerimi i grupeve ka ardhur jo vetëm për shkak të shtimit të popullatës në kryeqytet, por edhe nga mungesa e ngritjes së godinave të reja për të përballuar këtë fluks. Madje këtë vit situata është rënduar edhe më shumë si pasojë e kujtesës së strukturave vendore për rikonstruksionin e disa godinave në prag të çeljes së vitit të ri shkollor. Situatë e cila i ka detyruar drejtuesit e strukturave arsimore që të transferojnë fëmijët e godinave që po rikonstruktohen drejt çerdheve dhe kopshteve më të afërta. Aktualisht në kryeqytet numërohen rreth 42 kopshte. Ky do te jete viti më i vështirë edhe për edukatorët, të cilët do të duhet të zhvillojnë mësimin në grupe të fryra me nxënës. Sipas të dhënave të zbardhura nga drejtoria Arsimore e Tiranës, për vitin e ri shkollor në kryeqytet institucioneve parashkollore publike do t’i drejtohen rreth 6500 fëmijë të grupmoshave nga 2 deri në 6 vjeç. Në çdo kopsht parashikohet sistemimi i rreth 150 fëmijëve, të ndarë sipas grupeve përkatëse. Drejtuesit e këtyre institucioneve, si dhe vetë edukatorët tashmë kanë marrë edhe udhëzimet e fundit në lidhje me përgatitjet për çeljen e vitit të ri shkollor 2013-2014, që zyrtarisht inicion në datën 16 shtator. Gjithashtu, drejt fundit po shkon edhe pajisja e kopshteve dhe çerdheve më bazën e nevojshme materiale për zhvillimin e procesit mësimor.

E çfarë se mbaruan regjistrimet!!? Le ti mbajnë veté prindërit duke mos vajtur njëri né punë. Nuk humbasin kushedi çfarë në kohën e bollêkut të madh që na ka lënê sali bollëku! A jemi të dytet pas gjermanisë? Pse bëni sikur se dini o prinder?