Pak javë më parë, Bashkia Tiranë njoftoi projektin për t’i zëvendësuar palmat me pisha, teksa kaloi vendimin ndryshime dhe rishpërndarjen e fondeve në buxhetin e Bashkisë së kryeqytetit për vitin 2017.
Kosto e plotë e projektit “Furnizim dhe vendosje drurë dekorativë në zonën industriale Kamëz-Kashar” është 333.8 milionë lekë, ose gati 2.5 milionë euro, e shpërndarë në 66.7 milionë lekë në 2017-n, 117 milionë lekë në 2018-n dhe 150 milionë lekë në 2019-n.
“Gjatë periudhës që sapo kaloi me thatësirë të pazakonte, bimësia dekorative (palmat e mbjella) nuk u përshtatën me kushtet klimatiko-tokësore të Tiranës, kësisoj nuk i mbijetuan zhvillimit të ciklit të tyre jetësor”, thuhet në relacion. Për këtë arsye propozohet që në vend të palmave të mbillen lloje dekorativësh të pishës së butë, që përshtaten me klimën dhe mjedisin.
Duke qenë se periudha më e mirë për mbjelljen e pishës së butë është muaji dhjetor, kërkohet përfshirja në buxhet e këtij investimi. Për ujitje propozohet sistemi ujitës artificial në formë shiu.
Palmat në autostradë u mbollën rreth tre vjet më parë, si pjesë e një plani që përfshiu dhe rregullimin e sinjalistikës në zonën Mbikalimi i Kamzes dhe i Kasharit deri në aeroportin e Rinasit.
Dimrin e kaluar palmat nuk i rezistuan të ftohtit dhe u thanë në pjesën më të madhe të tyre. /Marrë me shkurtime nga Monitor
