Sulmuesi duhet shitur me çdo kusht, për të shpëtuar klubin nga kriza financiare
“Internimi” ka marrë fund për Edgar Çanin, i cili është rikthyer në stërvitje me skuadrën e parë të Polonias së Varshavës. Ai u dënua të stërvitej me skuadrën e dytë të klubit, pas sherrit me stafin teknik dhe fjalëve të rënda në adresë të trajnerit, në përfundimit të takimit të fituar me Belçatov, në tetor. Dje ai është ribashkuar me skuadrën e parë, por nuk do të jetë me grupin për ndeshjen e ardhshme të kampionatit. Kthimi i Çanit në skuadrën e parë është bërë jo për shkak se është zbutur armiqësia ndaj tij, por thjesht sepse shqiptari duhet të shitet! Polonia është zhytur përherë e më tepër në krizë ekonomike dhe borxhi kundrejt lojtarëve po rritet, për shkak të mosdhënies së pagave. Çani është lojtari që ka rrogën më të lartë te Polonia, 120 mijë zlloti në muaj, rreth 30 mijë euro.
Një pagë e tillë tashmë konsiderohet luks edhe për ata që luajnë me skuadrën e parë, ndërkohë që Çani nuk e ka parë fushën me sy prej javësh. Përveç kësaj, për të është vënë çmimi 400 mijë euro dhe llogaritet që nga shitja e sulmuesit shqiptar presidenti Ireneush Krol të jetë në gjendje t’u japë pagat e prapambetura lojtarëve të tjerë. Tashmë është pothuajse e sigurt se Çani do të shitet jashtë Polonisë, pasi Krol nuk dëshiron që të forcojë rivalët direkt, ndërkohë që skuadrat që nuk rivalizojnë me të nuk e kanë mundësinë ekonomike për të paguar kartonin e më pas edhe rrogën e lojtarit. Pas interesimit nga klube gjermane, italiane dhe ukrainase, në skenë kanë dalë edhe skuadra nga Qipro dhe Anglia, nga kjo e fundit në Championship. Ditët deri në janar do të jenë vendimtare, ndaj shumë shpejt Çani mund të shihet në fushë. Çmimi i tij ka rënë së tepërmi me “internimin” te skuadra e rezervave dhe vështirë se do të ngrihet përsëri aq shumë sa mund të pretendojë Krol, aq më tepër që, duke qenë i padëshiruar nga shokët, Çani nuk do të ketë mundësi të shkëlqejë në fushë. Aktualisht, Polonia mban vendin e dytë në renditje, me një pikë më tepër se Leh Poznan dhe pretendon kualifikimin në Europa League.