Parlamenti grek e kaloi paketën e re të kursimeve vetëm me shumicë të vogël. Kritika ndaj kursimeve është e shtirë, sepse grekët e kanë shkaktuar vetë krizën e tyre.
Duket si një ironi e historisë që në Greqi duhet ta shpëtojnë tani “atdheun” si partnerë në koalicionin qeveritar pikërisht ato parti të cilat kanë qenë përgjegjëse kryesore në dekadat e kaluara për keqadministrim, korrupsion dhe klientelizëm. Vërtet parlamenti grek miratoi me një shumicë të ngushtë dhe madje pa të gjitha votat e “Nea Demokratia”-s konservatore të kryeministrit Antonis Samaras dhe të PASOK-ut socialdemokratik të Evangelos Venizelos-it paketën e tretë të kursimit dhe të reformave të tri viteve të fundit.
Miratimin e refuzoi madje partneri i tretë i koalicionit, partia e vogël e Të Majtëve Demokratikë e Fotis Kuvelisit, për të cilën masat e miratuara me trojkën e donatorëve ndërkombëtarë për reformimin e së drejtës së punës, e kalonin kufirin. Të gjitha partitë e opozitës, mbi të gjitha E Majta Radikale e populistit Aleksis Cipras, e kanë refuzuar kategorikisht paketën e kursimeve si punë të qoftëlargut dhe si të padiferencuar. Këto nuk duken si qeveri e “shpëtimit kombëtar”, as si opozitë që vepron me ndjenjë përgjegjësie dhe në mënyrë konstruktive. Kriza vetëm sa i ka përkeqësuar të gjitha sëmundjet e demokracisë së vonuar neogreke.
Ndarje nga vetëshërbimi
Sistemi politik po ndahet me vështirësi të jashtëzakonshme nga epoka e gjatë e vetëshërbimit, bollëkut. Debati i ndezur në parlament, që shpesh merrte trajtë retorike pa efekt, si dhe të thënët në mënyrë të përsëritur të njëmijë të zezave për Gjermaninë dhe për donatorët ndërkombëtarë nga ana e përfaqësuesve të popullit të ngjyrave të ndryshme, tregoi edhe një herë fare qartë provincialitetin e thellë dhe shtirësinë e politikës greke. Njëherë ndërmorën për vite të tëra gjithçka ose asgjë për të minuar ekonomikisht sovranitetin e vendit. Tani, kur vendi mbijeton me fuqinë e donatorëve, ankohen për ndërhyrjet e fuqive të huaja, të këqija.
Dhe kjo, ndërkohë që qeveritë greke kanë hezituar vetë tepër gjatë për të rimëkëmbur sektorin publik dhe për rigjallëruar ekonominë. Zelli për reforma, i arritur me detyrim nga jashtë, po merr forma të çuditshme, mirëpo ato janë tipike për kulturën politike të vendit. Qysh gjatë debatit parlamentar ministri i Financave, Janis Sturnaras, u përpoq që me anë të një shtojce urgjente në paketën e reformës, të arrinte heqjen e favorizimeve të ndryshme të nëpunësve të parlamentit. Kur nëpunësit kërcënuan me grevë të menjëhershme, duke rrezikuar kësisoj gjithë votimin, Sturnarasi e tërhoqi propozimin e tij. Dhe nëpunësit e parlamentit vazhdojnë të jenë më mirë sesa nëpunësit e shtetit.
Ogur jo i mirë
Mbështetja me gjysmë zemre e paketës së reformës në parlament nuk është ogur i mirë për të ardhmen. Për momentin si në politikë, ashtu edhe në shoqëri mbizotërojnë forcat refuzuese. Një kulturë e re e prodhimit nuk duket në horizont. Megjithatë, mbetet një fije shprese, transhi i ri i ndihmës ndërkombëtare prej 31,5 miliardë eurosh. Ai nuk do të jetë shpëtimi, por në kombinim me reformat strukturore të miratuara kjo ndihmë mund të përbëjë një shans të vogël për ekonominë e rrënuar. E kësisoj edhe për shëndoshjen e Greqisë, këtij partneri të domosdoshëm dhe të padurueshëm evropian.