Me mijëra maturantë në të gjithë vendin nuk kanë mundur të marrin nota kaluese në dy provimet e detyruara të maturës, teksa testet me zgjedhje janë ende në proces vlerësimi. Si rrjedhojë, maturantët mbetës përjashtohen nga gara për pranimet në universitetet publike sipas parimit të meritë-preferencës, ku përmes këtij parimi listohen në formularin A2 dhjetë degët më të preferuara nga maturantët që do garojnë për ndjekjen e shkollës së lartë gjatë vitit të ri akademik që fillon në tetor. Vlerësimet negative të marra në provimet e detyruara dhe ato me zgjedhje nuk i lejojnë maturantët mbetës që të marrin pjesë në raundin e parë të pranimeve që universitetet realizojnë gjatë muajit shtator. Statusi “mbetës”, bën që këta maturantë të heqin dorë nga konkurrimi për degët që janë më të preferuarat prej tyre, plotësimi i të cilave realizohet gjatë raundit të parë të fituesve që zbardhen nga formula tradicionale e maturës. Megjithatë, burimet zyrtare të Ministrisë së Arsimit bëjnë me dije se: “Maturantëve mbetës nuk u digjet e drejta për ndjekjen e studimeve të larta gjatë këtij viti. Me vendosjen e sezonit të vjeshtës, maturantët rikthehen sërish në garë për shkollat e larta publike. Por, gara për të fituar shkollën e lartë për mbetësit do të jetë e kushtëzuar vetëm me një numër të caktuar degësh, të cilat kanë rezultuar si më pak të pëlqyerat në raundin e parë”. Gjatë ditës së djeshme Ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj ka firmosur edhe udhëzimin me datat dhe procedurat që do të ndiqen për dhënien e provimeve të maturës gjatë sezonit të vjeshtës, të cilin e gjeni të detajuar bashkangjitur shkrimit. Mbetësit do hyjnë në garë për të ndjekur shkollën e lartë, vetëm pasi të kenë dhënë provimet e mbetura në sezonin e vjeshtës (ku duhet të rezultojnë kalues), dhe më pas do të plotësojnë formularin A3, në përmbajtje të cilit do të zbardhen vetëm degët që kanë kuota bosh. Krahas maturantëve mbetës formularin A3 do ta plotësojnë edhe një sërë kategorish të tjera. “Kanë të drejtë të plotësojnë formularin A3 të gjithë kandidatët që kanë marrë pjesë dhe kanë rezultuar fitues në provimet e maturës, sezoni i parë, por nuk kanë plotësuar formularin A2, ata që kanë marrë pjesë dhe kanë rezultuar fitues në provimet e maturës në sezonin e vjeshtës, ata që kanë përfunduar shkollën e mesme jashtë vendit dhe që kanë ekuivalentuar rezultatet e shkollës së mesme dhe provimet e Maturës Shtetërore. Këta të fundit duhet të kenë plotësuar edhe formularin A1Z në sesionin e vjeshtës, si dhe të rezultojnë kalues në provimet me zgjedhje”, sqarohet në vendimin e shpallur nga MASH mbi kuotat e pranimeve për vitin e ri akademik. Aktualisht po shkon drejt fundit vlerësimi i provimeve me zgjedhje për rreth 50 mijë maturantët pjesëmarrës. Gjatë fundjavës, Agjencia Kombëtare e Provimeve pritet të shpalle rezultatet e marra nga maturantët në dy provimet me zgjedhje, notat e të cilave janë vendimtare në përcaktimin e profileve për programet universitare që kandidati do të ndjekë. Shpallja e notave për provimet me zgjedhje do ti hapë rrugë zyrtarisht garës, ku mijëra kandidatë në të gjithë vendin do të konkurrojnë për të fituar një të drejtë studimi në strukturat publike të arsimit të lartë. Kandidatët që duan të vijojnë studimet në degët e arteve apo të sporteve duhet të tregojnë kujdes maksimal gjatë plotësimit të formularit A-2. Kjo pasi pranimet në këto degë do të përzgjidhen nga testimet specifike, që do të zhvillohen në fund të muajit gusht. Kështu, maturantët-kandidatë që parapëlqejnë më shumë programet e studimeve që parashikojnë konkurs, si: arte e sporte, dhe vendosin t’u nënshtrohen konkurseve përkatëse të pranimit, në preferencat e tyre këto programe duhet t’i rreshtojnë në krye të listës, përndryshe rrezikojnë të humbasin shansin për t’u shpallur fitues në këto degë.
Si do përzgjidhen fituesit në universitete
Shpallja e fituesve në programet publike të studimeve të larta për këtë vit do të kalojë në dy raunde. Fillimisht do të bëhet përzgjedhja e fituesve, të cilët në varësi të listimit të preferencave në formularin A-2 arrijnë të grumbullojnë pikët më të larta për të qenë brenda vijës finale të fituesve. Pas kësaj faze parashikohet të ketë edhe një tjetër formular A-3, të cilin do të mund të plotësojnë të gjithë ata kandidatë që nuk u shpallën fitues në asnjë program të fazës së parë të pranimeve. Ndryshe nga sa ka ndodhur gjatë viteve të shkuara, këtë vit plotësimi i formularit A-3 do të lejohet edhe për maturantët mbetës në një nga provimet e maturës, por me kushtin që këta maturantë në datat e përcaktuara nga Ministria e Arsimit për sezonin e vjeshtës do të duhet të vlerësohen me nota kaluese. Vetëm më pas do të përfshihen në garën e përzgjedhjes së degëve që do të përmbajë ky formular A-3.
Kushtëzimet edhe për universitetet private
Menjëherë pas shpalljes së notave të provimeve me zgjedhje, drejtoritë arsimore do të iniciojnë procedurat për tërheqjen dhe shpërndarjen e formularit A-2, ku maturantët do të rendisin 10 preferencat ku duan të vijojnë studimet e larta publike. Për të vijuar procesin e konkurrimit për pranimet në shkollat e larta secili kandidat (maturant) duhet të marrë të gjitha provimet e maturës, duke përfshirë lëndët e detyruara dhe ato me zgjedhje. Vetëm pas marrjes së notës kaluese në të gjitha këto provime maturanti do të mund të pajiset me diplomën e maturës, e cila kushtëzon shlyerjen e detyrimeve me shkollën e mesme, si dhe lejon vijimin e procedurës për pranimet në universitetet. Këtij rregulli gjatë këtij viti do t’i nënshtrohen edhe universitetet private. Në këto të fundit nuk do të lejohet ndjekja e studimeve nga ata maturantë që nuk kanë marrë qoftë njërin nga provimet e maturës, pasi nuk kanë shlyer detyrimet e shkollës së mesme
Formula e pikëve që selekton fituesit në universitete
Formula e llogaritjes së pikëve, të cilën duhet ta përdorë çdo maturant, është: ((D1 + D2 + M) x k1 + (T1 + T2) x k2) x 100 = X (në varësi të rezultatit që del). Sipas kësaj formule, M = mesatarja e katër viteve të gjimnazit, D1 = provim i detyruar i Letërsisë, D2 = provim i detyruar i Matematikës, T1 = provimi me zgjedhje 1, T2 = provimi me zgjedhje 2, k1 = koeficienti sipas shkollës së kryer dhe k2 = koeficienti sipas provimeve me zgjedhje. Me këtë formulë nxënësit mësojnë sa pikë kanë përpara se të plotësojnë formularin A2 me anë të të cilit do të zgjedhin preferencat.
Udhëzimi i firmosur dje nga ministri Myqerem Tafaj për sezonin e vjeshtës
Datat në të cilat do të zhvillohen provimet e maturës për vjeshtën
Gjuha shqipe dhe letërsia 17 shtator 2013
Matematika 19 shtator 2013
Provimet me zgjedhje 21 shtator 2013
- Në sezonin e vjeshtës provimet e Maturës Shtetërore do të zhvillohen në orën 09:00. Testi për secilin nga provimet e detyruara do të përmbajë 25 kërkesa, nga të cilat 13 kërkesa janë me alternativa dhe vlerësohen me 13 pikë, kurse 12 kërkesat e tjera do jenë me përgjigje zhvilluese që do të vlerësohen me 37 pikë. Provimet e lëndëve të detyruara do të zgjasin 2 orë e 30 minuta secila. Ndërsa për provimet me zgjedhje, maturantët do tu përgjigjen 20 pyetjeve të cilat vlerësohen në total me 40 pikë.
4 kategoritë që do shlyejnë detyrimet në vjeshtë
Në provimet e sezonit të vjeshtës kanë të drejtë të marrin pjesë :
•Maturantët dhe kandidatët që rezultuan mbetës në një ose më shumë provime të maturës shtetërore gjatë sezonit të parë të provimeve që u zhvillua në muajin Qershor.
•Maturantët që rezultuan mbetës në vitin e fundit të shkollës së mesme, në një nga lëndët mësimore, të cilën duhet ta fitojnë në datat 4 dhe 6 shtator, për të dhënë më pas provimet e detyruara dhe ato me zgjedhje të maturës në datat e përcaktuara 17, 19 dhe 21 shtator.
•Kandidatët që kanë përfunduar shkollën e mesme para vitit 2013, por nuk •kane shlyer detyrimet e Maturës Shtetërore dhe që për arsye të ndryshme nuk kanë plotësuar as formularin A1Z.
•Kandidatët që kanë përfunduar shkollën e mesme jashtë vendit dhe kanë njehsuar dokumentet shkollore në Komisionin e posaçëm të ngritur në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës.
