Mbetësit nuk mund të marrin pjesë në plotësimit të Formularit A2

redaktor

Mosmarrja e notave kaluese në një nga provimet e maturës, si në lëndët me zgjedhje dhe në provimet e detyruara, e përjashton maturantin nga raundi i parë i konkurrimit për vijimin e studimeve të larta në degën e tyre të preferuar. Në rregulloren e provimeve të këtij viti është vendosur kushti se maturanti mund të vijojë të aplikojë për të fituar studimet e larta në një nga degët e preferuara (përzgjedhja e të cilave do të bëhet nëpërmjet plotësimit të formularit A2 gjatë muajit korrik), vetëm nëse merr nota kaluese në të 5 provimet e maturës. “Për të fituar të drejtën e studimit në institucionet e arsimit të lartë publik, çdo maturant që kërkon të vazhdojë studimet e larta, duhet të plotësojë formularin A2 online, sipas një kalendari dhe udhëzimeve përkatëse që do të publikohen nga MAS. Por, më parë duhet të kenë marrë nota kaluese në të gjitha provimet e maturës. Çdo kandidat ka të drejtë të përzgjedhë jo më shumë se 10 programe studimi sipas renditjes preferenciale”, detajohet në rregulloren e provimeve. Në këto kushte, maturantët mbetës duhet të presin sezonin e vjeshtës për të dhënë sërish këto provime. Megjithatë, nuk dihet ende nëse maturantët mbetës mund të gëzojnë një shans të dytë, për të qenë sërish pjesë e garës për universitetet (nëpërmjet plotësimit të formularit A3). Autoritetet e arsimit nuk kanë vendosur ende nëse në maturën e këtij viti do të ketë sërish një raund të dytë pranimesh, i cili u vjen në ndihmë plotësimit të kuotave të mbetura bosh nga mbyllja e regjistrimeve të raundit të parë.

Maturantit nuk i njihet rezultati i provimit të matematikës nëse:

  • Nëse përdor laps, stilolapsa me ngjyra jo si ato të përcaktuara në rregulloren e provimeve të 2015-ës, si dhe kur përdor më shumë sesa një ngjyrë në plotësimin e testit.
  • Nëse ka hequr ose ka dëmtuar kodin e sekretimit të testit (barkodin).
  • Nëse ka dëmtuar testin (palosur , zhubrosur, grisur, vendosur shenja të dallueshme dhe të veçanta), të evidentuara në procesverbal.
  • Nëse vërtetohet kopja, e pjesshme ose e plotë, gjatë procesit të vlerësimit dhe konfirmohet nga KOPOTED-i (komisioni i ngritur për verifikimin e testeve që dyshohen se kanë kopjuar).
  • Nëse është marrë masa e përjashtimit nga provimi.
  • Maturantët apo kandidatët e tjerë që dorëzojnë testin e provimit përpara kohës së caktuar, nuk mund të dalin nga qendra e provimit para kohës së përfundimit të provimit. Ata grumbullohen brenda qendrës së provimit, në një mjedis të përcaktuar më parë.
  • Kur maturanti vëren ndonjë shkelje të rregullores së provimit, ka të drejtë të informojë administratorin e provimit, përgjegjësin e administrimit dhe përfaqësuesit e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit.
  • Maturanti ka të drejtë të kërkojë fotokopjen e testit pas përfundimit të së gjithave provimeve, me një kërkesë drejtuar Komitetit Shtetëror të Maturës Shtetërore. Afatet e kërkesës përcaktohen me Udhëzim të veçantë të Ministrit. Proces rivlerësimi të testit nuk do të ketë.
Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *