Gjykata e Elbasanit lë në burg të vetëshpallurin si “I dërguari i Zotit” në tokë, kreun e “Kishës së Apostujve Pentagonianë”. Në prani të gjyqtarit të gatshëm, në një seancë me dyer të mbyllura, 39-vjeçari i arrestuar Ilirjan Hida, mohoi se ka nxitur urrejtjen fetare, duke thënë se bënte predikime normale si të gjitha kishat e tjera dhe nuk ka abuzuar me asnjë prej vajzave. Ai deklaroi pafajësi dhe nëpërmjet avokatit kërkoi lirimin nga qelia. Por pas provave të prokurorisë si dëshmi, denoncime, përgjime dhe të dhëna të tjera, gjykata la në “arrest me burg” të dyshuarin për akuzën “nxitja e urrejtjes ndërmjet kombësive, racave dhe feve”. Hida ka deklaruar se është denoncuar për shkak inati nga prindërit e vajzave që janë të rritura, studente dhe e kanë vetë fatin e jetës në dorë. Gjithashtu ai pretendoi se po goditet qëllimisht, pasi nuk kryen asnjë aktivitet të paligjshëm.
Ilirjan Hida, banues në lagjen “5 Maji” Elbasan, u arrestua të enjten e 9 majit, pasi u kallëzua penalisht nga familjarët e vajzave të cilat mashtroheshin nga ky i fundit për të mos ndjekur udhëzimet dhe këshillat e familjarëve, edhe pse vajzat e kishin mbaruar universitetin. Policia konfirmoi se që prej 25 shkurtit kishte 4 denoncime të prindërve të dokumentuara.
Prindi me inicialet B. F., ka kallëzuar se vajza e tij, e cila vazhdon shkollën e lartë në Tiranë, ka disa kohë që frekuenton një sekt fetar të krishterë me predikues shtetasin Hida, i cili predikimet i zhvillon në ambientet e banesës së tij. Sipas bisedave që kallëzuesi ka bërë me vajzën e tij, predikuesi Hida i mësonte atyre që të tërhiqeshin nga familja dhe mos ti respektonin prindërit. Sipas Prokurorisë, predikuesi i instruktonte vajzat që të ndaheshin nga shoqëria ku bënin pjesë dhe të kishin kontakte vetëm me persona që ishin pjesëtarë të këtij grupi predikues. Predikimet, 39-vjeçari i bënte me anë të telefonit 2 orë në mëngjes dhe 2 orë në darkë, ndërsa ditën e diel vajzat duhet të vinin në Elbasan tek banesa e tij. Kurse prindi Q. A., ka deklaruar se disa vite më parë vajza e tij ka filluar të frekuentojë “Kishën e lirë të Apostujve të Pentagosisë” në Tiranë. Vajza ka rreth 3 vjet që ka mbaruar shkollën e lartë, por nuk pranon që të punësohet, pasi, sipas saj, zoti nuk e lë të punojë. Kallëzuesi Q. A. ka folur në telefon me Hidën duke i kërkuar që të largohej nga jeta e vajzave të tij dhe të mos ndikonte për keq. Hida i është përgjigjur që ajo ishte motra e tij dhe se ata ishin në luftë me gjithë botën. “Si rezultat i predikimeve dhe ndikimit të shtetasit Ilirian Hida, vajza është rënduar nga ana psikologjike, duke preferuar të rrijë e vetmuar dhe e shkëputur nga shoqëria e saj”, thuhet në deklaratën e Prokurorisë së Elbasanit.
