I penduar dhe i pamëshirshëm me jetën e tij. Kështu është shfaqur i mituri Alfred Vukaj gjatë seancës së masës së sigurisë së zhvilluar pasditen e djeshme në Gjykatën e Shkodrës. Ka pranuar autorësinë e krimit të kryer për gjakmarrje, ku gaboi shënjestrën dhe vrau një kalimtar, plagosi një student dhe objektivin e hasmërisë. “Nuk kam dashur të vras njeri dhe aq më tepër një kalimtar të rastësishëm. Kam qëlluar në drejtim të Lekë Markut, për ta trembur dhe arma më doli nga kontrolli”, ka thënë 16-vjeçari kur u pyet nga gjyqtari i gatshëm dhe pasi prokuroria lexoi aktet e dosjes dhe provat materiale.
Dëshmia
Dhe për të bindur të pranishmit në sallë, pas kafazit të hekurt, Vukaj tha se nuk e njihte fare viktimën dhe më mirë ta kishte humbur ai jetën dhe jo 24-vjeçari. “Më mirë të më kishte marrë mua plumbi, sesa Aleksandër Qarrin, që as e kam njohur. Jam penduar dhe ndiej keqardhje për atë që ndodhi”, shtoi ai për ngjarjen, duke ndjerë dhe peshën e një rreziku për një hasmëri të re dhe me një tjetër familje. Prokurori Lazër Çardaku, deklaroi se i mituri është autori i dyshuar i vrasjes me paramendim dhe dashje të ndodhur përballë Universitetit “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës. Organi i akuzës konfirmoi se nga hetimet rezulton se objektivi nuk ka qenë 24-vjeçari Qarri, por 37-vjeçari Lekë Marku, që mbeti i plagosur. Po kështu u plagos edhe studenti 19-vjeçar nga Lezha, Agustin Begeja. I pranishëm në seancë përveç avokatit mbrojtës, edhe psikologu, për shkak të moshës së mitur të Vukajt. Avokati tha se djali është i tronditur, pasi jo vetëm ka humbur pjesëtarët e familjes si pasojë e sulmeve për gjakmarrje në këto 15 vite, por tani ndjen edhe peshën për një tjetër viktimë të pafajshme. Prokuroria pranoi se i mituri ka humbur disa familjarë në vite dhe se motivi ishte gjakmarrja. Ndaj e klasifikoi krimin me paramendim e në rrethana cilësuese, dhe kërkoi “arrest me burg” pavarësisht moshës. Gjithashtu Alfred Vukaj ka thënë se “nuk kam dashur ta vrasë, por vetëm ta tremb Lekë Markun”, duke mohuar akuzën e vrasjes me paramendim. Gjithashtu deklaroi se konfliktet mes fiseve Vukaj-Marku kanë nisur prej vitit 1994. Avokati i kërkoi gjykatës masën lehtësuese “arrest shtëpie” për 16-vjeçarin për shkak të moshës së mitur. Gjyqtari Tonin Stërkaj, pasi dëgjoi të dyja palët dhe të dyshuarin, ka vendosur që ndalimi i bërë nga policia ka qenë i ligjshëm dhe ka caktuar si masë sigurie “arrest në burg”.
Kushëriri
Po dje, para gjykatësit ka dalë dhe djali i xhaxhait të 16-vjeçarit, Sandër Vukaj, 37 vjeç, me akuzën e “armëmbajtjes pa leje”. Fillimisht u ndalua si autor i krimit. Mbrojtja për këtë të akuzuar ka kërkuar “detyrim për paraqitje”, ndërsa akuza “arrest me burg”, masë që dha edhe gjykata. Në sallën e gjyqit ka pasur vetëm gra.
Ngjarja
Krimi ndodhi para universitetit “Luigj Gurakuqi”, mëngjesin e së hënës, rreth orës 09:00. Një person i veshur si peshkatar dhe që udhëtonte me biçikletë zbrazi breshëri automatiku. Vdiq me 5 plumba në trup Aleksandër Qarri, u plagos studenti Agustin Begeja dhe objektivi Lekë Marku. Motivi ishte hasmëria.