Në këto ditë ku na kërkohet të gjithëve që të kujdesemi në maksimum për higjienën personale dhe atë të banesës ku qëndrojmë, natyrshëm na shkon mendja edhe te mbeturinat që prodhon qyteti në një ditë.
Ato që kemi parë që të lëvizin më shpesh në këtë periudhë në rrugët e zbrazura të qytetit janë makinat që grumbullojnë plehrat në lagjet e Tiranës.
Po ku shkojnë këto plehra?!
Nëse i ndjek nga pas, rruga të çon në Sharrë.
Dhe ti mendon se aty do të shohësh atë malin gjigant të plehrave, ku mes tymit dhe aromës së padurueshme punojnë njerëz! Jo!
Makinat që grumbullojnë mbetjet e Tiranës futen në një park dhe dalin prej andej me të pastra se sa hynë!
Gjithçka ka ndryshuar në Sharrën e famshme. Mbetjet përpunohen sipas standardeve të Bashkimit Evropian dhe asgjë nuk shfaqet në sipërfaqe. Asnjë aromë e pakëndshme nuk ndihet. Por vetëm punohet dhe përpunohet.
Rikuperimi i mbetjeve, si burim për të prodhuar energji siguron për shoqërinë energji të rinovueshme, vende pune të reja dhe mjedis më të pastër. Duke zvogëluar ndikimet negative në mjedis dhe shëndetin e njerëzve me praktikat e duhura për menaxhimin e mbetjeve, vendbanimet rreth zonës bëhen më tërheqëse. Përparësitë sociale sjellin burime të reja punësimi të ligjshëm, potencialisht edhe për komunitetet e varfra në vende në zhvillim siç është Shqipëria.
Ajo çka ka ndodhur me zonën përreth është dukshme. Vite më parë, banorët e Sharrës e kishin të pamundur të hapnin dritaret, ndërsa sot, kanë përballë një park të gjelbëruar dhe vetëm kaq.
Shqipëria, nga statistika shpeshherë jo të pranuara si zyrtare edhe nga vetë shteti shqiptar, gjeneron 0.5 ton mbetje /vit. Të gjitha këto mbetje kanë ndikim të madh në mjedis, duke shkaktuar ndotje dhe shkarkime të gazrave serrë që kontribuojnë në ndryshimin e klimës, shëndetin e njerëzve dhe sigurinë e mjedisit. Landfilli i Sharrës është kthyer në një shpëtim për Tiranën, për sa i përket mbeturinave që prodhohen në kryeqytet.
Po mbetjet e rrezikshme ku shkojnë?
Në vendin tonë nuk dihet ende se ku shkojnë mbetjet spitalore, vajrat industrial, mbetjet ndërtimore. Është e vështirë që të gjesh një kompani që të plotësoj kriteret, jo vetëm për trajtimin por edhe për eksportimin e mbetjeve të rrezikshme.
Pak ditë në parë gazeta i drejtoi disa pyetje Agjencisë Kombëtare të Mjedisit në lidhje me mbetjet e rrezikshme. Një nga pyetjet që i drejtuam zotit Edison Konomi, kreu i AKM-së ishte: A ka marrë AKM një masë për menaxhimin e mbetjeve që vijnë nga shërbimi shëndetësor në emergjencë? Deri në momentin e botimit të këtij shkrimi nuk kemi ende një përgjigje.
Në maji të 2018, sasi të mëdha të vajit të djegur janë derdhur nga persona të paidentifikuar nga policia e Durrësit në akuariumin e portit duke shkaktuar një katastrofë natyrore. Më parë, ujërat e Dhërmiut dhe Himarës u mbuluan nga vaji i djegur dhe nafta, të shkarkuara nga një anije greke. Në raste të tjera, sidomos në Vlorë, dyshimet për hedhjen e vajit të djegur, janë fokusuar nga kompanitë e kontraktuara për menaxhimin e këtyre mbetjeve.
Goditja e një grupi, i cili trafikonte mbetje të dyshuara si të rrezikshme dhe lëndë kancerogjene amiant nga Italia, për t’i groposur në Vlorë, përmes një pike grumbullimi, të kamufluara si produkte kimike pastrimi, ka ngritur një pikëpyetje të madhe se ku përfundojnë mbetjet toksike që prodhon vetë Shqipëria.
Ligjet shqiptare ndalojnë kategorikisht dhe kanë kriminalizuar importimin e mbetjeve të rrezikshme në Shqipëri, por mister mbetet se ku përfundojnë mbetjet toksike që prodhojmë ne vetë, në kushtet kur në Shqipëri nuk ka landfille të atilla për menaxhimin e tyre.
Në një situatë ku mjedisi dhe njeriu po kërcënohet nga ndotja do të ishte e udhës që të gjitha këto mbetje të rrezikshme të përfundonin në duar të sigurta, në mënyrë që të përpunoheshin në formën e duhur. Nëse ne i groposim në tokë, e shkarkojmë në lumenj, pa asnjë lloj kriteri, natyra, në mos sot, një ditë do të hakmerret ndaj nesh!


