Mbi 10 cm borë në Kukës, nis bllokimi i akseve rrugore

Saimir Lleshi

Pjesa verilindore e vendit është përfshirë nga reshje dëbore, ndërsa në qytetin e Kukësit trashësia ka arritur deri në 10 centimetra.

Fillimisht, në këto zona ranë reshje të mëdha shiu, por më pas nisi dëbora, çka rrit shpresat për rritjen e nivelit të ujit në hidrocentralin e Fierzës.

Dy borëpastruese janë angazhuar në terren për të mbajtur rrugët të hapura, ndërsa kanë vështirësitë e para në disa akse, ku këshillohet lëvizja me zinxhirë.

“Situata në përgjithësi paraqitet pa ndonjë problematik të theksuar. Situata në Tropojë është pak më e vështirë për shkak se atje trashësia e borës arrin deri në 10-15 cm, megjithatë rrugët janë të gjitha të hapura. Ka një angazhim të të gjitha firmave sipërmarrëse, të cilat kanë sasinë e duhur edhe të kripës dhe të mjeteve të nevojshme”, shprehet Abdulla Domi, nga Shtabi i Emergjencave.

Vështirësi në qarkullim e automjeteve pati edhe në afërsi të tunelit në Rrugën e Kombit, ndërsa borëpastrueset u vunë menjëherë në punë duke mbajtur të hapur aksin.

Policia kërkon nga drejtuesit e mjeteve që të qarkullojnë ngadalë nëpër rrugë për të shmangur aksidentet. /Dita/

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *