Shifrat e INSTAT: Mbi 30% e popullsisë nuk merr shërbimin e menaxhimit të mbetjeve

Edona Llukacaj

Sipas të dhënave të Instat, më shumë se 30% e popullsisë shqiptare nuk merr asnjë shërbim të përpunimit të mbetjeve. Po sipas këtyre të dhënave, mbulimi i popullsisë me këto shërbime u përkeqësua ndjeshëm vitin e kaluar. Në fakt, treguesi i shërbimit të menaxhimit të mbetjeve nga 68.9 % që ishte në vitin 2017, ra në 65.7% në vitin 2018.

Kjo shifër bëhet edhe më shqetësuese kur reforma territoriale synonte në thelb rritjen e eficiencës dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve vendore. Fakti që një përqindje kaq e lartë e popullsisë nuk e merr shërbimin bazik të menaxhimit të mbetjeve është një tregues në vetvete mjaft domethënës.

Sipas Instat, sasia e mbetjeve të menaxhuara vitin e kaluar u rrit me afërsisht 6%, por rritja erdhi kryesisht nga rritja e mbetjeve industriale që trajtohen së bashku me mbetjet urbane. Forma kryesore e trajtimit të mbetjeve urbane në Shqipëri ngelen landfillet, ku groposen më shumë se 76% e tyre. Kjo lidhet edhe me natyrën e mbetjeve urbane, që në 61% të totalit janë mbetje organike.

Ndërkohë, vetëm 18.5% e mbetjeve të prodhuara në vend riciklohen. Megjithëse përqindja e mbetjeve të ricikluara është rritur në krahasim me vitin 2017, ky tregues ngelet relativisht i ulët dhe larg nivelit më të lartë prej 25%, që u regjistrua në vitin 2015. Gjatë vitit 2018 është regjistruar edhe një rritje e peshës specifike të mbetjeve që digjen për prodhim energjie. Ky tregues ka arritur në afërsisht 3% të totalit të mbetjeve urbane të menaxhuara./ Scan

e.ll./dita

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *